1 vit pa Gjonajn, kineastin që punoi 5 dekada me filmin! Xhepa: Sikur ta shikoja  “Ëndrrën çame” film artistik

'Kujtimi para se të fliste buzëgjeshte njëherë, pastaj nxirrte fjalën. Aty fshihej mirësia e këtij njeriu'

Ishte fare i ri, kineasti Kujtim Gjonaj,  kur së bashku me moshatarët e tij, rendte në biletaritë e kinemave të kryeqytetit, për të siguruar një radhë, mes publikut.  Prej aty, do të krijohej siguria, se ai e dashuronte filmin... ende pa e ditur, se kinemaja do të ishte e ardhmja e tij...

Afro 5 dekada kontribut në kinematografi përmes skenarit e regjizurës, kineasti Kujtim Gjonaj i ndarë nga jeta një vit më parë për shkak të KOVID-19, kujtohet nga miq e kolegë në ambientet e Muzeut Historik.

Dokumentari “Gjurmët e kohës” përmes rrëfimeve, udhëton në rininë e Gjonaj, kur ai shfaqi pasionin e madh për historitë njerëzore e letërsinë. Kur mendonte se profesioni i gazetarisë do ta afronte me njerëzit e kësaj toke e më tej më artin e të shkruarit.  E në fakt ashtu ndodhi, në vitin 1968 ai nis punë si redaktor i skenarëve të dokumentarëve, ndërsa pas 5 vitesh do të shfaqej si autor i tyre. Ish Kinostudio që ai ëndërronte, e ku punonin figura të adhuruara prej tij si Anagnosti, Gjika e Dhamo, do të kthehej në shtëpinë e tij të dytë.

“Në rrugëtimin e tij të gjatë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e jashtë kufijve. Sa kilometra ka bërë Kujtim Gjonaj, për të përjetësuar në filmat e tij dokumentarë, momente pikante të historisë së Shqipërisë, figurat e shquara dhe kulturën e madhe shqiptare”, u shpreh miku e bashkëpuntori i tij, shkrimtari Enver Kushi.

Vit pas viti, duke ndjekur me ëndje procesin se si skenarët ktheheshin në gjuhë filmike, Gjonaj do të përvetësonte regjisurën, duke kaluar edhe këtë sprovë me një sërë filmash, ku gjinia e dokumentarit historik do të mbetej “Kali i tij i Betejës”. Ikona e kinematografisë e teatrit shqiptar, Margarita Xhepa kujton bashkëpunimin me Gjonajn në 2011-ën me “Ëndrrën Çame”.

“Kemi punuar bashkë, në dokumentarin e mrekullueshëm ‘Ëndrra çame’, që kam shpresë se do të bëhet edhe film”, shprehet aktorja Margarita Xhepa.

Përtej kineastit, miqtë e kujtuan  “Mjeshtrin e madh”, Gjonajn, si njeriun modest e të fjalës së mirë, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinematografisë me filma si “Kryengritje e mëdha”, “Thirrja”, “Ata ishin katër” si dhe biografitë e figurave të shquara.

“Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, ose vdekatarët e zakonshëm, krijuesit kanë një fat tjetër përjetësinë, para se të ikin nga kjo jetë”, shton Kushi.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen