10 gjërat që Mira Kazhani i dëshiron tani

10 gjërat që Mira Kazhani i dëshiron tani
Gazetarja simpatike e televizionit A1 Report, Mira Kazhani ka rrëfyer në një intervistë ndryshe për “Madame Mapo” gjërat që pëlqen dhe dëshiron për momentin. Ajo ka treguar dhe ndarë me lexuesit disa nga pasionet dhe dëshirat e saj.

1.Vendi që dua më shumë

Janë disa vende qe i dua në mënyrë gati diabolike. Shtëpia e gjyshërve në fshat. Kur isha e vogël rrija ulur tek një derë e cila nuk përdorej prej vitesh për shkak të një ndryshimi të strukturës së shtëpisë. Shkoja aty shpesh pas gjumit të drekës dhe dëgjoja gjingallat e verës. Është një vend që do doja të rikthehesha por kam frikë se ajo paqe nuk përsëritet më. Ndihem shumë rehat kur rri para kompjuterit në studion e lajmeve dhe lexoj mediat e huaja me një kafe që e marr tek makineta e punës. Një vend tjetër që dua shumë është divani im. Gjithmonë e marr gjumin e parë aty në mbrëmje dhe për këtë i ngjaj babit.

2. Filmi që shoh e rishoh vazhdimisht

Gladiatori. Është e çuditshme gjithmonë shpresoj që ai do të bëjë dashuri me vajzën e mbretit… Qesh me vete, se disa iluzione fëmijësh na shoqërojnë për fat të mirë gjithmonë.

3.Look-u im i preferuar

Më pëlqen të provoj pak nga të gjitha. Tani po vdes për një palë çizme “UGG”, që t’i vesh me fustane dhe pantallona lëkurë. Zakonisht më gjen me flokët e krehura të valëzuara, shumë pak tualet ose hiç fare (për këtë më kritikon shumë një mike dhe mami) dhe veshje të lirshme e të pranueshme për çdo orë të ditës.

4.Libri i fundit që më ka mbetur në zemër

Nga Haruki Murakami 1Q84.

5.Telefonata e punës më e çuditshme që kam marrë ndonjëherë

Që po të doja mund të isha përfshirë në një formacion politik. Mu duk e çuditshme sesi dikush (me peshë) e kish menduar këtë. Kur e mbylla telefonin u pashë në pasqyrë dhe përfytyrove të pakten tre gra të politikës, por e pranoj nuk jam aq e zonja ta shes sapunin për djathë.

mira kazhani

6.Gjëja që më mungon më shumë kur jam larg shtëpisë

Gjithmonë harroj diçka të domosdoshme në udhëtimet e mia. Jam shumë rrëmujaxhie ndonjëherë nuk di ku vë edhe njerëzit. Por, që të kthehem tek pyetja juaj, për më konkretisht, në përgjithësi më mungon banjoja ime.

7.Në këtë moment mendoj se...

Në këtë moment mendoj që është dhjetor dhe do doja të isha diku mes borës dhe oxhakut të ndezur. Ndoshta në Zvicër, ndoshta në Dardhë? Mendoj shumë gjëra në të njëjtën kohë. Jam si një autostradë, ku makinat janë mendimet, por ndonjëherë duhet hapur krahu dhe duhet ecur në korsinë e ngadaltë. Ajo që mendoj më së shumti kohët e fundit është që një femër a një mashkull duhet të pretendojë gjithmonë e më pak dhe kështu ja del të marr gjithmonë kënaqësi nga ato çka jeta i sjell. Dhjetori na bën të gjithëve pak filozofë e pak njerëz më të mirë.

8.Gjëja më e çmendur që kam bërë në jetë

Kam ikur me pushime pa lejen e prindërve. Më saktë i gënjeva që isha në një udhëtim pune. Përveçse më dolën nga hundët pushimet, sepse nuk isha rehat me gënjeshtrën u pendova shumë në ardhje dhe pas pak ditësh u rrëfeva në familje dhe ishte kaq çliruese të ishe e vërtetë me ata që të duan pa kushte. Sigurisht që ka ndodhur shumë vite më pare, por në të ka një leksion që do doja ta ndaja me miqtë e mi: është raporti me sinqeritetin. Nuk do fshihja asnjë mendim, veprim, apo dëshirë timen. Është arrogancë deri diku të jesh i sinqertë, por ia vlen.

9.Aktorët që admiroj më shumë

Julia Roberts, Rusell Crow, Meryl Streep.

10.Tani ...

Tani do telefonoj motrën time dhe t’i tregoj se në çantë kam një dhuratë për të. Dhe do i them që kam plotësuar një pyetesor të Madame. A e dini çdo më thotë ajo?! “Mira shpresoj të mos jesh treguar drejt e drejt siç e ke zakon ti, se nuk të kupton njeri”. Unë kam frikë se nuk do i përgjigjem fare, por do qesh dhe do përqëndrohem tek dhurata. Vdes t’ju bëj dhurata të tjerëve, por jam edhe pak shtatanike, se mezi pres t’jua tregoj. Nuk e di kur do botohet ky numër por do doja t’i uroj “Madame” festa të bukura dhe të vazhdojë të mbetet e preferuara e duarve tek tezga.

(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve