“Të gjithë njerëzit e agjërojnë 30 ditë por fëmijët e mi kanë shumë vite që e agjërojnë “- Kështu e nis rrëfimin nëna e 3 fëmijëve jetim, në emisionin “Pa Gjurmë” në Report Tv.
38-vjeçarja Flutura Deda bën thirrje për ndihmë pasi djali saj 10 vjeçar është me vrimë në zemër dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale. Por ky nuk është problemi i vetëm i kësaj nënë, me lot në sy ajo tregon së si fëmijët e saj flenë pa ngrënë dhe se që nga periudha kur ka rënë tërmet shtëpia e saj është bërë e pabanueshme! Qëndrimi në atë banesë rrezikon seriozisht jetën e saj dhe të fëmijëve, aq sa shtrihen të flenë me frikën se mos shtëpia do t'u shembet mbi kokë.
“Fëmijët kanë frikë dhe shumë herë ndodh që nuk flenë, ndonjëherë i dërgoj tek mamaja ime pasi djali është i vogël dhe vuan nga zemra. Mamaja ime rri me qira në një dhomë e kuzhinë dhe nuk na strehon dot të gjithëve. Jemi të shpërndarë si familje dhe të tre fëmijët s’mund të rrinë dot bashkë. Unë aktualisht jam pa punë dhe është shumë e vështirë. Vetë jam e sëmurë me diabet dhe me gjendje depresive, djali vuan nga zemra dhe askush nga ne nuk merr invaliditet. Mjekimet i marr borxh në farmaci dhe kur i mbledh paratë shkoj dhe ua jap. Djali ka vrimë në zemër dhe vuan edhe nga astma gjithashtu, ai ka nevojë për operacion dhe për medikamente por nuk kam mundësi financiare, ia kam lënë në shpresë të zotit. Kur e kam zbuluar për herë të parë mjeku më tha lajmëro të afërmit sepse duhet ta bëjmë operacion por kur i thash që nuk i kam mundësitë ai u tërhoq dhe më dha disa medikamente që t’ia përdorja djalit.
Për pjesën e shtëpisë kemi bërë kërkesë që të na ndihmojnë sepse është e shembur edhe nga tërmeti por nuk na kanë kthyer përgjigje pasi sipas tyre nuk është vlerësuar siç duhet. Fëmijët nuk marrin asnjë lloj ndihme. Më shumë bien të flenë pa bukë sesa me bukë, ndonjëherë mbledhin barishte që i bëj ndonjë byrek. Të gjithë njerëzit e agjërojnë 30 ditë por fëmijët e mi kanë shumë vite që e agjërojnë. Ka raste i gënjej që nuk është bërë gjella apo buka që t’i vë në gjumë pa ngrënë sepse nuk kam. Dy fëmijët e mëdhenj e kuptojnë kur i them nuk ka për të ngrënë”-përfundon Flutura.
2 numrat tanë të kontaktit për këtë rast që kërkojmë ndihmë:
Në cel: 069 99 55 698 si dhe në aplikacionet: WhatsApp dhe Viber
Në tel: 0444 17 778
Në adresën tonë në facebook:
në kanalin tonë në Youtube: Pa gjurmë Channel