POGRADEC- Pamjet filmike nga momenti ku hotel 'Voloreka' qëllohet me breshëri armësh kanë çuar në identifikimin e një prej autorëve, e për pasojë edhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje që tronditi opinionin publik në ditë më parë. Uniformat blu kanë bërë me dije se kanë ndaluar 34 vjeçarin, e identifikuar si Mariglen Topuzi, i dënuar më herët për shkatërrim prone me armë zjarri, ndërkohë që 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Burime zyrtare i thanë Shqiptarja.com se ka qenë një sherr me pronarin e hotelit, Jetmir Muçllarit dhe djalin e tij që kanë provokuar 2 atentate, brenda 7 ditëve, 1 më 1 gusht dhe tjetri një ditë më parë. Tre personat e shpallur në kërkim Ilirjan Berberi, 52 vjeç, banues në Tiranë, Merad Berberi 34 vjeç dhe B. S., 28 vjeç, të dy banues në Pogradec. Ndaj tyre, grupi hetimor bën me dije se ka prova të forta që janë autorë të dy sulmeve me armë, të cilët fatmirësisht nuk përfunduar me jetë të marra, por dëme të mëdha materiale në godinën e hotelit, por edhe të 7 automjeteve që ishin të parkuara.

"Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 mjet motor tip "Suzuki",  pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë", njofton Policia.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për tre veprat penale "Kanosja", "Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera", "Prishja e qetësisë publike", "Armëmbajtja pa leje". 

Njoftimi i plotë i policisë
Ndalohet njëri nga autorët e dyshuar të ngjarjeve të ndodhura më datë 01.08.2020 dhe më datë 08.08.2020, pranë një hoteli në fshatin Tushemisht. Shpallen në kërkim edhe 3 bashkëpunëtorët e dyshuar të tij.

Sekuestrohen 1 mjet motor, 2 skafandra të përdorura nga autorët, municion luftarak, pamje filmike dhe prova balistike. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e dy ngjarjeve të ndodhura më datë 01.08.2020, si edhe mëngjesin e djeshëm, pranë një hoteli në fshatin Tushemisht, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit:

• M. T., 34 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec (i dënuar më parë për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr").
Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit:
• I. B., 52 vjeç, banues në Tiranë.
• M. B., 34 vjeç, banues në Pogradec.
• B. S., 28 vjeç, banues në Pogradec.

Nga tërësia e veprimeve intensive hetimore të kryera, dyshohet se këta shtetas pas një konflikti të mëparshëm me pronarin e hotelit dhe djalin e tij, në bashkëpunim midis tyre, më datë 01.08.2020, kanë kanosur me armë zjarri përpara hotelit, shtetasin J. M., 20 vjeç, si edhe më datë 08.08.2020, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit në pronësi të shtetasit J. M., 47 vjeç, ku u shkaktuan dëme materiale tek godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 mjet motor tip "Suzuki", pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë. Vijon puna për sqarimin e mëtejshëm dhe kapjen e tre personave të tjerë të shpallur në kërkim, të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale "Kanosja", "Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera", "Prishja e qetësisë publike", "Armëmbajtja pa leje". 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:22
FOTO/ Kush është i riu që qëlloi me breshëri arme hotel 'Volorekën'

Ky është Mariglen Topuzi, i riu që qëlloi me breshëri arme ndaj hotel "Volorekës". Ai u ndalua ditën e sotme nga uniformat blu, teksa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.