100-vjetori i Pavarësisë
Berisha përjashton Protokollin

Protokolli i shtetit është "përjashtuar de facto dhe de jure" nga Komiteti Ndërshtetëror i ngritur me një vendim qeverie për të organizuar të gjitha evenimentet e këtij viti të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Burime nga ky institucion që operon me një ligj të përcaktuar qartë, thanë për gazetën "shqiptarja.com" se asnjë zyrtar i protokollit të Shtetit nuk është ftuar në komisionin shtetëror për këto festime.
"Ndërkohë që janë vendosur në këtë komitet që është krijuar me vendim qeverie pothuajse pjesa më e madhe e ministrave, për të organizuar aktivitete në të cilat duhet të shkojnë personalitetet më të larta të qeverisë dhe të shtetit dhe ku është e domosdoshme edhe prezenca e protokollit të shtetit, pikërisht në këtë komitet ne nuk jemi ftuar" tregon një nga zyrtarët e protokollit të Shtetit, të cilët nuk duan të identifikohen edhe për shkak të frikës për largimin nga puna. Ndërkaq, në komisionin që është ngritur për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe të gjitha eventet që po organizohen në të gjitha qytetet e shqipërisë, është vetë kryeministri Sali Berisha, ministri i kulturës Aldo Bumçi, zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto, dhe nga personalitetet jashtë fushës politike është drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari si dhe drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit Nevila Nika. Ky komitet ka ruajtur një përbërje të tillë, por zyrtari i protokollit të shtetit thotë për shqiptarja.com se është hera e parë në 22 vite demokraci, por edhe në eksperiencën e mëparshme të kohës së diktaturës, që asnjë person nga protokolli i shtetit nuk është në një komitet të tillë. Dhe pikërisht, sipas tyre, gjithçka që ndodhi në datën 2 mars në qytetin e Lezhës me rastin e 568 vjetorit të Beslidhjes së Lezhës, ka ndodhur edhe për faktin se mes Bashkisë së Lezhës, kryeministrisë dhe presidencës nuk ka pasur asnjë institucion që duhet të bënte koordinimin e personaliteteve.
Veprim i qëllimshëm?
Sipas zyrtarëve të lartë të protokollit të shtetit kjo ka ndodhur për herë të parë për 100 vjetorin e pavarësisë ndoshta me një qëllim të caktuar. Nisur nga rasti i Lezhës ku Presidentit fillimisht iu tha se do të mbante fjalimin dhe në një draft program të dytë iu mohua kjo e drejtë prej kryetari shteti, po mendohet se gjithë organizimet që do të ketë në të gjithë vendin, nga Tirana e rrethet për 100 vjetorin e pavarësisë, do të kenë organizim vetëm kryeministror, duke koordinuar me bashkitë por edhe me kuvendin e Shqipërisë. Kjo është arsyeja që duke nisur që nga Lushnja në 21 janar e deri në Lezhë në 2 mars, në krah të kryeministrit Sali Berisha qëndron gjithmonë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Insinuatat për një veprim të qëllimshëm në fakt vijnë nga vetë protokolli, i cili gjendet në një pozitë të vështirë për shkak të kërkesës së llogarisë që i vjen nga të gjitha anët, kur në fakt ata duan të heqin përgjegjësinë nga vetja se nuk organizojnë ata këto takime.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet