TIRANË - Mbarë shqiptarët festojnë 103-vjetorin e pavarësisë, mbi një shekull nga ngritja e flamurit më 28 nëntor të 1912-ës në qytetin historik të Vlorës. Edhe ky vit e gjen të ndarë politikën shqiptare, një "ngërç" i krijuar ndër vite që i ka ndarë festat kombëtare në "blu" dhe të "kuqe". Socialistët në pushtet kremtojnë në këtë 28 nëntor Ditën e Flamurit, ndërsa më 29 nëntor atë të çlirimit të Shqipërisë. Ndërsa demokratët festojnë në të njëjtën ditë edhe pavarësinë edhe çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.

Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, prefektja Entjola Hoxha u përkulën para monumentit të Pavarësisë në Sheshin e Flamurit në qytetin bregdetar të Vlorës.

rama

edi rama

Në të njëjtën kohë, lideri i opozitës Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe figurat më të larta të Partisë Demokratike nderuan të rënët për çlirimin e vendit në "Varrezat e Dëshmorëve" në Tiranë. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli pas kësaj ceremonie ku tha se liria kombëtare është e paplotë pa lirinë nga tirania dhe arbitrariteti i varfërisë. Lideri i opozitës ftoi shqiptarët në një bashkim të madh për t’i dhënë lirisë kombëtare dimensionet e plota të zhvillimit dhe shanseve të barabarta për të gjithë para ligjit.

“Nga altari i martirëve të kombit dua t’i uroj të gjithë shqiptarëve anembanë Shqipërisë, trojeve shqiptare dhe anembanë botës gëzuar festën e Pavarësisë, festën e Flamurit, gëzuar festën e Çlirimit! Dua të përkujtoj së bashku me të gjithë qytetarët shqiptarë sakrificën sublime të mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që dhanë jetën e tyre për lirinë kombëtare, për lirinë e Shqipërisë, për lirinë nga okupatorët nazifashistë. Asnjë komb tjetër nuk ka paguar më shtrenjtë për lirinë kombëtare se kombi shqiptarë ndër shekuj. Por kjo liri është e paplotë pa lirinë nga tirania e varfërisë, pa lirinë nga tirania e padrejtësisë, e arbitraritetit dhe arrogancës. Ndaj jam i bindur se ky 28 Nëntor do të shërbejë për një bashkim të ri dhe të madh të shqiptarëve për t’i dhënë lirisë kombëtare dimensionet e plota dhe të vërteta, të lirisë, demokracisë, përparimit, zhvillimit dhe shanseve të barabarta për të gjithë para ligjit”, - tha Basha..
basha te varrezat e deshmoreve