Gjithçka ngeli nga qëndresa e Adriatik Lapajt para kryeministrisë, është një pankartë “Sheshi u lirua”. Pas 108 ditësh, “Shqipëria Bëhet” mbylli protestën para godinës qeveritare, ku qëndroi prej 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë.
“8 dhjetori i rinisë, prita reagim, po nis një protestë si qytetar, do jem ditë natë pa ndalim, në ditët në vijim shpresoj të mblidhen qindra e mijëra”, ishte mesazhi i parë që dha Lapaj në ditën e parë të qëndresës poshtë zyrës së kreut të qeverisë.
Por, thuajse të vetmit që iu bashkuan në këto ditë, herë të ftohta e herë në shi, ishin vetëm anëtarë dhe simpatizantë të “Shqipëria Bëhet”. Qytetarët ishin të rrallë, për të mos thënë, inekzistentë.
Vizitat më të shpeshta ishin nga forcat e policisë, që largonin çadra e karrige të vendosura në shesh.
Nuk munguan as disa episode të përplasjeve fizike mes tyre, të vetmet momente që ndiznin protestën dhe i jepnin zë qëndresës në Bulevard.
Thirrjet për bashkim, ranë në vesh të shurdhët. As qytetarët, por as Sali Berisha, të cilit festa për t’iu bashkëngjitur qëndresës Lapaj ia bëri disa herë, nuk iu bashkuan.
Madje, këtij të fundit çdo të hënë i linte sheshin, për të mbajtur foltoret e tij, duke u zhvendosur bashkë me protestuesit e tjerë, në bunkerin përballë kryeministrisë.
Ndërsa ditët kalonin, vetë Lapaj shihej gjithnjë e më pak në shesh, tregues se shpresa e tij për revoltë mbarë qytetarë që do të sillte dorëheqjen e Edi Ramës, po shuhej.
Në këto më shumë se 3 muaj, Lapaj thirri në Bulevard edhe disa protesta kombëtare, të cilave veç disa figurave të shoqërisë civile, e disa syve kureshtarë të kalimtarëve, nuk iu bashkuan qytetarë.
Komente












Lapaj duhet ti bashkohet Salianjit dhe Arlind Qorrit dhe te krijojne levizjen intelektuale pra parti te re me te pakenaqur politikan ish politikan nga krejt partite
Përgjigju