Jo shumë muaj larg nga zgjedhjet e 11 majit, kreu i PD Sali Berisha e theksoi edhe një herë qëndrimin se qeveria nuk bën zgjedhje të lira por fasadë.
“Kjo është diktaturë”
Nëse s’ka zgjedhje të lira tha Berisha, nuk ka rotacion, duke lënë një shteg të hapur për alibinë në rast humbje.
“Nuk është diktaturë komuniste kjo. As naziste, as teokratike. Kjo është diktaturë, sepse të gjitha pushtete janë në duart e diktatorit. Është diktaturë sepse ka bllokuar zgjedhjet. Janë fasadë, nuk e themi ne, tani e thotë gjithë bota se ky bën zgjedhje fasadë dhe po nuk bëre zgjedhje nuk ka rotacion.”
Me thirrjen për zgjedhje të lira, të cilat sipas PD mundësohen vetëm përmes garancisë së një qeverie teknike, demokratët do të zbresin sërish në rrugë të hënën, në kuadër të mos-bindjes civile me të cilën synojnë ta imponojnë plotësimin e kërkesës së tyre.
Skenari do të jetë thuajse i njëjtë me atë të herës së shkuar duke bllokuar akset kryesore të Tiranës. Kjo është protesta e parë që Berisha e drejton nga terreni, që prej lirimit të tij nga arresti i shtëpisë ku ndodhej për shkak të hetimeve të aferës Partizani.