11 vite nga lumturimi i misionares së dashurisë, Nënë Tereza

Me 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II,  shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e eteri. Cdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumnimit të Nënës sonë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut në Vatikan, e cila nuk është vetëm festë liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj.

Kjo ditë me të drejtë, u shpall edhe festa e të gjithë shqiptarëve por në te gjitha vendet kujtohet si një prej personazheve më të famshme në botë, si murgesha që ndihmoi të varfërit në metropolin indian. Nënë Tereza ka lindur në Shkup me 26 gusht 1910 në një familje kosovare dhe kur ishte 18 vjeçe u bë kandidate e Motrave të Loretos, të cilët kryenin misione humanitare në Indi. Në vitin 1931, Nënë Tereza shkoi në Kalkuta, ku atje punoi dhe mësoi për 17 vitet e ardhshme. Nënë Tereza u largua nga manastiri dhe filloi të ndihmonte të varfrit nëpër rrugët e Kalkutës.

Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm gjuhën shqipe pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare. Shkrimet e saj në gjuhën shqipe, janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip të popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel më 1979 dhe lutja në Shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës me 17 Qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezen se nga ishte. Ajo deklaroi: "Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri".

Pas shumë vite kërkesash insistuese personale dhe zyrtare, në gusht të viti 1989 Agnesa Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza, do të realizonte deshirën e madhe, sikurse është shprehur para largimit: "Vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim".

Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: "Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shume krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave te lirisë". Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Vetëm sipas të dhënave të vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 000 të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtepi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetime. Nëna Terezë vdiq më 12 shtator të vitit 1997 dhe prehet në selinë e urdhrit të misionarëve të bamirësisë në Kalkuta te Indisë.

ATSH

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Lulzim Basha i bashkohet lutjeve për Kryepeshkopin Anastas Janullatos