Historike! Tirana dhe Prishtina mbledhje të përbashkët të Kuvendeve! Rama: Njohja e Kosovës s’do vonojë, Thaçi i munguari i kësaj salle! Kurti: S’ka çifligje, por një kala të përbashkët (VIDEO)

27 nëntori do të jetë një datë e shënuar në kalendarin e historisë së Shqipërisë dhe Kosovës, si dita e mbledhjes së parë të dy kuvendeve që nga shpallja e pavarësisë. Kuvendi i Shqipërisë, mirëpriti atë të Kosovës, në vigjilje të 110 vjetorit të pavarësisë së vendit tonë.

Deputetët nderuan dy himnet, fillimisht atë të Kosovës, e më pas të Shqipërisë, për t’i lënë rrugë mesazheve për të forcuar bashkëpunimin, duke mos harruar historinë. 

Kryeministri Edi Rama, tha se Kosova do të përmbyllë shumë shpejt kapitullin e njohjes së plotë. Por kjo mbledhje e parë, për të ishte e paplotë pa Hashim Thaçin, i cili ndodhet në Hagë.

"Njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët dhe se Kosova nuk do presë aq sa ka pritur pavarësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht", tha Rama.

Për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Shqipëria e Kosova janë një kala e përbashkët ku gjithkush vendos një tullë.

"Duhet të gëzohemi kur përfshihemi me njëri tjetrin. Duhet të përfshihemi por jo për të penguar. Politika e ekonomia nuk janë çifligje por kalaja ku vëmë të gjithë nga një gur", tha Kurti.

Drejtuesit e dy qeverive u ndalën edhe tek bashkëpunimi ekonomik. Rama tha se shkëmbimet tregtare janë rritur, ndërsa u ndalën edhe në projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë që do të vihet në jetë, si edhe në Portin e Durrësit.

Nga kjo mbledhje, Rama lajmëroi që në korrik të vitit tjetër do të nisë puna për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. Një ftesë e pati edhe për Kurtin dhe kabinetin e tij qeveritar që të vijnë sërish në Tiranë më 12 dhjetor për të marrë pjesë në prezantimin e madh të Projektit të Durrësit. 

Dy krerët e Kuvendeve, Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca kërkuan që kufinjtë të shndërrohen në barriera formale.

"Shqipëria dhe Kosova si dy etnitete politike të Shqiptarëve në Ballkan dhe me aspiratë integrimin evropian duhet të bashkendajnë përgjegjësinë për të materializuar vullnetin e shqiptarëve për t’i shndërruar kufijtë shtetërore mes dy vendeve, por edhe me vendet fqinje në kufij formale", u shpreh Nikolla.

Në fjalimin para deputetëve të Kosovës e Shqipërisë, kreu i Grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se një përfaqësi nesër do të mbërrijë në Hagë, për t’i uruar nga afër pavarësinë drejtuesve të UÇK.

Demokratët shfrytëzuan rastin, për të shprehur qëndrimin kundër Ballkanit të Hapur, ndërsa i vetmi i pakënaqur ishte Sali Berisha, i cili braktisi momentin historik duke e quajtur Edi Ramën vëlla të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

"Kundërshtitë tona për këtë projekt kanë qenë mbi të gjitha, se Kosova kurrë nuk e pranoi, se ky ishte e mbetet një projekt që e fut çështjen e Kosovës dhe rolin e shqiptarëve në Ballkan në një rrugë të dyshimtë e të paqartë”- tha Alibeaj.

"Në platformën  e këtij parlamenti, po flet një nga 2 armiqtë kryesor të Kosovës, njeriu i cili është tashmë i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij Aleksandër Vuçiç", tha Berisha.

Për mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve, në oborrin e Parlamentit Shqiptar ishte vendosur edhe një ekspozitë me figurat qendrore që prej shpalljes së pavarësisë. Takimi i radhës mes dy kuvendeve, pritet të mbahet më 10 Qershor 2023 në Prishtinë, në kuadër të 145 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:57
Mbledhja historike, çfarë nuk u pa nga mbledhja Shqipëri-Kosovë (FOTO)

Të veshur me ngjyra patriotike, me shtrëngime duarsh e duke uruar njëri-tjetrin për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, krerët e dy vendeve Shqipëri-Kosovë nisën kështu mbledhjen e përbashkët.

Duke e ‘veshur’ Kuvendin e Shqipërisë me një atmosferë të ngrohtë festive, duke ndërlidhur vlerat e zakonet e vendit, Tirana e Prishtina sot u bënë një.

Në disa foto të shkëputura nga mbledhja duken momentet që jo lehtë mund ‘të t’i kapë syri’.

Ora 15:16
Mbledhja historike e dy kuvendeve Prishtinë-Tiranë, Begaj: Vërtet jemi dy shtete, por mbi të gjitha jemi një Komb

1669558720_thumbsbcf60ca3537e10bd6a6f7ccccd9866040d1.jpg

Presidenti Bajram Begaj përshëndeti mbledhjen historike mes dy kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Mbledhja e përbashkët e cila pati në fokus, bashkëpunimin dy palësh në virgjile të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë përcolli frymë dhe mesazhe vëllazërore theksoi Begaj.

“Përshëndes nga zemra seancën e përbashkët të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, zhvilluar sot në vigjilje të Ditës së Flamurit dhe 110-vjetorit të Ditës së Pavarësisë.

Fryma dhe mesazhet vëllazërore të përcjella në këtë Kuvend të përbashkët duhet të shtrihen në të gjitha fushat e bashkëpunimit ndërshtetëror. Vërtet jemi dy shtete, por mbi të gjitha jemi një Komb, një Komb i cili sot kremton i lirë Ditën e Flamurit dhe është Sovran dhe Zot i fateve të veta.

Urime të gjithë deputetëve të Kuvendeve të Shqipërisë e të Kosovës për kontributin që japin për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore!”- shkroi Bajram Begaj.

Ora 14:41
Seanca plenare e përbashkët, Kryemadhi ‘thumbon’ Ramën: Bashkëpunimi me Kosovën mënjanon aventurat me interes individual si Ballkani i Hapur

Deputetja e partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka thumbuar kryeministrin Edi Rama teksa reagoi edhe për seancën e përbashkët mes kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në një postim në facebook, Kryemadhi shkruan se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk linte vend për Ballkanin e Hapur, që sipas saj është një aventurë me interes personal i disa politikanëve, duke nënkuptuar kryeministrin Rama.

“Sot në mbledhjen e parë historike të kuvendit të Shqipërisë me atë të Kosovës, zhvilluar si pjesë e ceremonive me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Si të zgjedhurit e popullit, ne deputetët e Shqipërisë dhe të Kosovës duhet të bëjmë më tepër çdo ditë, për të shtuar bashkëpunimin që rrit mirëqenien e qytetarëve tanë, fuqizon ekonomitë tona, e që mënjanon aventurat me interes individual të disa politikanëve, si Ballkani i Hapur”- thuhet në reagimin e Kryemadhit.

 

Ora 12:38
Rama nuk harron Hashim Thaçin: I munguar i madh në këtë sallë

 

Kryeministri Edi Rama nuk ka harruar të përmendë Hashim Thaçin gjatë fjalës së tij në seancën e përbashkët parlamentare Shqipëri-Kosovë.

“Dy emra do të sjell këtu në vëmendje pa të cilët nuk mund të kuptohet as ardhja në këtë ditë, as vazhdimësia pas kësaj dite, LDK dhe UÇK. Të dyja këto lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar i madh në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht me një mision që vazhdon”, tha Rama.

 

 

 

 

Ora 12:36
Rama: Në korrik të 2023-shit nis puna për portin e ri në Porto Romano, ftoj Kurtin më 12 dhjetor në prezantimin e madh të projektit

 

Kryeministri Edi Rama njoftoi se në korrik të 2023 do të nisë puna për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. Nga mbledhja e përbashkët mes dy Kuvendeve, Rama ftoi kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij qeveritar që të marrin pjesë më 12 dhjetor në prezantimin e projektit të madh të Portit të Durrësit.

“Pavarësisht të gjitha llafeve, në fillim të vitet të ardhshëm hapim garën ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit dhe nëse gjithçka do shkojë sipas planit, në fillim të 6 mujorit të dytë të vitit të ardhshëm ne do jemi në kantier në portin e Romanos që do lidhet me Kosovën.

Më 12 dhjetor, shpresoj që kryeministri i Kosovës dhe ministrat të na bashkohen në prezantimin e madh publik të projektit përfundimtar. Më 12 dhjetor do prezantojmë projektin përfundimtar dhe do fillojë nga puna në fillim të 6 mujorit të dytë”, tha Rama.

Ora 12:29
Deputetja e Kuvendit të Kosovës: Seanca të përbashkëta si kjo duhet të mbahen çdo vit

 

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rezarta Krasniqi tha se Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për nëra tjetrën. Në një intervistë për Report TV, ajo shprehur dëshirën që seanca të tilla të përbashkëta mes dy kuvendeve të mbaheshin çdo vit.

“Sot jemi këtu të tregojmë se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për ndihmën e njëra-tjetrës. Unë uroj që ky kuvend të mbahet edhe në vite të tjera”-tha Krasniqi.

E pyetur mbi procesin e integrimit, ajo tha se Kosova po punonte shumë në këtë aspekt pavarësisht se procesi i liberalizimit të vizave ishte shtyrë deri në janar të 2024-tës.

“Ne jemi duke punuar shumë në këto procese por siç e dini procesi i liberalizimit të vizave është shtyrë deri në janar të vitit 2024. Gëzuar 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Uroj që kuvende të tilla të mbahen çdo vit”-përfundoi deputetja.

Ora 12:12
Rama: Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, jo thjesht të shkëlqyera në parim por edhe më produktive në terren

 

Kreu i qeverisë Edi Rama ka folur në mbledhjen mes dy Kuvendeve për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Rama tha se tashmë marrëdhëniet mes dy vendeve janë produktive dhe me marrëveshje konkrete, siç janë lëvizja e lirë, rritja e shkëmbimeve tregtare, abetarja e përbashkët.

"Marrëdhëniet nuk janë më të shkëlqyera, thjesht sepse jemi dy vende të ndara, por të bashkuara me një zemër, por janë edhe produktive më shumë se ç’kanë qenë më parë. këtë e tregojnë faktet e treguara nga vullneti  he rritja e aftësisë për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimin në interes reciprok. Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare, apo lirinë e lëvizjes, apo abetaren e përbashkët një tjetër ngjarje e rëndësishme dhe e realizuar, apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik shqiptar. Apo bashkëpunimin e përditshëm në fushën e energjisë, apo punën e nisur për të bërë realitet atë që është vepra më e madhe, portin dhe hekurudhën. Për hekurudhën themi tani më, ofertuesit që kanë ofertuar për të marrë përsipër studimin e fizibilitetit", tha Rama. 

Ora 11:53
Rama: Njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët, nuk do presë aq gjatë sa ka pritur për pavarësinë

 

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij gjatë seancës së përbashkët të mbajtur mes deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisën. Ai tha se shqiptarët ishin sot më mirë se kurrë në raport me të huajt, ndërsa theksoi se njohja e Kosovës do vijë më herët nga se mendohet se dhe nuk do të presë aq sa është pritur për pavarësinë. 

Më tej ai shtoi se askush nuk do ta kishte menduar se në këtë 110 vjetor, gjuha shqipe do të ishte zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe se kryeministri i Malit të Zi do të ishte shqiptar.

“Më lejoni të ndaj me ju bindjen se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt. Por përsëri edhe sot nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. Unë besoj se edhe njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët dhe se Kosova nuk do presë aq sa ka pritur pavarësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut. Shumë më vonë pas lirisë së Kosovës, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme, vendi ku flamuri shqiptar vazhdonte të shihej si një provokim. Sot nuk besoj se janë të shumtë ata që mund të thonë ata që e dinin se në 110 vjetorin e pavarësisë, Maqedonia e Veriut do kishte shqipen gjuhë zyrtare dhe kryeparlamentarin shqiptar. Po ashtu nuk besoj se e ka menduar dikush më parë se Mali i Zi mund të kishte një kryeministër shqiptar siç e ka sot”- u shpreh Rama.

Ora 11:50
Albin Kurti: Bajraktarizimi na ka penguar ndër shekuj, na pengon edhe sot! Këtu nuk ka çifligje, por një kala të përbashkët ku gjithkush vendos një tullë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur fjalën e tij gjatë seancës së përbashkët ëqë po zhvillohet mes deputetëve të dy vendeve në Tiranë në kuadër të 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Kurti tha se përfshirja në punët publike të njëri-tjetrit ishte gjë e mirë dhe se kritikat e ndërsjellta duhet të pranoheshin. Ndërsa shtoi se po punohej për krijimin e një fjalori të përbashkët enciklopedik mes dy vendeve.

“Ndarjet krahinore ishin pengesë e prapambetje atëherë, edhe sot ashtu janë. Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri tjetrit jo për të prishur punë por për të ndihmuar. Na duhet të punojmë bashkë të mbajmë ide me njëri-tjetrin dhe të pranojmë kritikat e njëri-tjetrit. Teksa në Evropën Lindore por vinte demokracia, profesori Ukshin Hoti thoshte se politikanët shqiptarë duke thelluar ndarjen mes vetes, po u jepnin arsye atyre që donin t’i shihnin të ndarë. Jam i sigurt se shumica këtu pajtoheni me mesazhin e Luigjit dhe të Ukshinit. Nesër shënohet 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ndërsa sot shënojmë 25 vjetorin e formimit të ushtrisë kombëtare të Kosovës. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ajo sot është vend i NATO-s, anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe ka bërë hapa të dukshme në fusha të ndryshme. Urojmë që sukeset Shqipërisë të mos i ndalen. Jam i sigurt se edhe në Shqipëri gëzohen për sukseset e Kosovës. Kemi tashmë abetaren e përbashkët dhe po punohet për fjalorin e përbashkët enciklopedik. Kemi unifikuar tregjet e punës me Shqipërisë dhe po punojmë drejt unifikimit doganor”- u shpreh Kurti.

Kurti foli edhe për emigrimin, duke u thënë një mesazh shqiptarëve jashtë kufirit se dy vendet do të punojnë më shumë për t’u ofruar atyre mundësi më të mira dhe për t’i kthyer në atdhe.

“Situata nuk është kurrë e askund rozë. Nëse e ndalim përpjekjen, nëse pushojmë së punuari menjëherë rrezikojmë. Vendet tona ballafaqohen me probleme, nga të cilat më i mprehti është largimi i të rinjve. Një mesazh atyre që kanë marrë udhën e kurbetit, kjo ditë është e dhe e juaja, mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona dhe familjet e tyre, por edhe burim demokratizmi  e kulture. E di se atje nuk po shkoni për qejf, por prej brengës, e di që s’kemi bërë mjaftueshëm që t’ua kthejmë besimin në drejtësi, shtet, politikë. Këtë betejë do ta bëjmë deri në fund dhe do ta fitojmë edhe me ndihmën tuaj. Shqipëria bëhet dhe Kosova bëhet”, tha Kurti.

Ora 11:42
Nesër 110 vjetori i pavarësisë, Balla: Një grup prej nesh do shkojë në Hagë, t’ia urojmë nga afër Ditën e Flamurit krerëve të UÇK-së

 

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla bëri me dije se ditën e nesërme, me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë, një grup deputetësh të Shqipërisë dhe Kosovës do të shkojnë në Hagë për t’iu uruar nga afër krerët e UÇK-së për Ditën e Flamurit.

"Nesër më 28 Nëntor, Adem Jashari do të festonte dy festa:  110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjen e tij të 67. Unë nuk e di se çfarë do të donte të na thoshte, apo të na qortonte nëse do të ishte këtu mes nesh sot Adem Jashari. Ai nuk e jetoi dot lirinë, nuk e arriti dot çlirimin, nuk e gëzoi siç do donte ditën e pavarësisë së Kosovës edhe pse dha gjithçka për t’i mbërritur. Kosovën, Bill Klinon do ta quante një fitore të paqes, një fitore për demokracinë dhe vlerat e saj duke nënvizuar se “edhe kombet e vogla” mund të fitojnë nëse e drejta qëndron pas tyre. “Kosova, për botën dhe për Shtetet e Bashkuara, për NATO-n qëndroi për diçka më të madhe sesa vetë (Kosova)”.

E ndërsa flasim për këto vlera nuk duhet të harrojmë faktin e njohur ndërkombëtarisht dhe meritën e veçantë të Presidentit Rugova,  i cili  demokracinë e ktheu në doktrinë të shpëtimit të Kosovës dhe Perëndimin në aleat të saj. Për çfarë do të na qortonte sot baca Adem? Ndoshta do të ishte dëshira e tij për të na parë më shumë sëbashku, më shumë të integruar, më shumë të koordinuar, më shumë të bindur se liria e Kosovës ka qenë një ëndërr e madhe qysh prej Kongresit të Berlinit në shekullin e 19-të, të cilën e arritëm me aq shumë sakrificë dhe në aleancë me perëndimin.

Kështu si sot Adem Jashari do të donte të na shihte shpesh ne përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe ndoshta do të na qortonte për çkujdesjen tonë për të mbrojtur shkëlqimin e merituar të fitores dhe pastërtinë e luftës çlirimtare. Sepse, ndërsa ne i gëzoheshim fitores dhe shpalljes së pavarësisë, të tjerët, humbësit bashkë me aleatët e tyre u kujdesën mjeshtërisht që të njollosnin tinëz, luftën e ndritshme çlirimtare. Qëndresa paqësore, beteja e drejtë për liri dhe demokraci e popullit shqiptar të Kosovës dhe valët biblike njerëzore që i iknin kasaphanës, vunë në lëvizje botën demokratike me një reagim të vendosur. Reagim që erdhi pas operacionesh barbare ushtarake spastrimesh etnike, që sollën si rezultat zhvendosjen e qindra mijëra civilëve, gjysmë milioni vetëm këtu në Shqipëri,

Masakrat dhe spastrimet e pamëshirshme etnike  në Kosovë janë një monument tmerri dhe errësire! Janë 12.000 bij e bija nënash të cilëve ju grabit jeta, janë 20 000 gra dhe vajza që u përdhunuan… dhe ende sot: janë rreth 1600 persona të tjerë të vdekur e të pakallur, ose si i thonë në gjuhën burokratike: rezultojnë të zhdukur. Dhe ende sot, të gjallët kërkojnë nëpër terr, të dashurit e tyre.

Por Monumenti i Errësirës, nuk mbaron me kaq! Sepse sot, komandantët e UCK-së mbahen të arrestuar, në të njëjtin burg, sikur ata që urdhëruan masakrat në Kosovë, Srebrenicë e gjetkë, mbi bazën e disa akuzave të paqena, të një raporti dhe një rezolute turpi, për ata që e shkruan dhe ata që e votuan. Ne shqiptarët i jemi gjithmonë mirënjohës komunitetit ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë SHBA-ve, të cilet morën përgjegjësinë dhe na erdhën në ndihmë.

Ndërhyrja e parë e plotë dhe e vetme deri më tani, ushtarake e NATO-s në tokën europiane, e njohu luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që solli si rezultat pavarësinë e Kosovës. Kjo po ishte Drejtësia që duhej vënë në vend. Lufta e Putinit në Ukrainë e ka futur Europën në një Epokë të re rreziku. Lufta e Putinit po na risjell shumë analogji. Një ndër to lidhet me faktin se Rusia po flet njëlloj për trafik organesh njerëzore në Ukrainë.

Duhet ta kishim mbrojtur dhe duhet ta mbrojmë legjitimitetin e luftës heroike të UÇK për çlirimin e vendit dhe duke qenë të bindur se pavarësisht se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, vrasjeve, përdhunimeve, dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë. Nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë të popullit në Kosovë,  nga ana tjetër, çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor, por se nuk mund të ketë çështje pafundësisht në hetim",.

Ora 11:38
Svelça: Kemi eleminuar barrat burokratike mes Shqipërisë dhe Kosovës, bashkë jemi të pakapërcyeshëm ekonomikisht dhe politikisht

 

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zvelça u shpreh gjatë seancës së përbashkët me deputetët në Kuvendin e Shqipërisë se marrëveshjet mes dy vendeve kanë nisur të japin efektet e para.

Ai tha se kishte disa marrëveshje mes dy vendeve sa i takon hapjes së pikave kufitare të përbashkëta në mënyrë që të lehtësoheshin procedurat.

“Tani është koha që hapat tonë të jenë një, që mbërritja drejt qëllimit të jetë edhe më i shpejt. Marrëveshjet mes dy vendeve, kanë nisur të japin efektet e para. Ka një sërë marrëveshjen për hapjen e pikave kufitare të përbashkëta për lehtësimin e procedurave. Si pasojë e kësaj mase, gjatë verës kalimi i kufirit është bërë pa asnjë procedurë. Kemi eliminuar barrat burokratike. Po punojmë për forcimin e Kosovës, por të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e rolit të Shqipërisë. Bashkë me Shqipërinë, të pa kapërcyeshëm politikisht dhe ekonomikisht”, tha Svelça.

Ora 11:28
Alibeaj: Do e shohim Serbinë vetëm me sytë e Kosovës! PD, kundërshton Open Balkan!

 

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha gjatë seancës së përbashkët mes deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë se PD do ta shihte Serbinë nëpërmjet syve të Kosovës.

"Partia Demokratike është e percaktuar në qëndrimin se dhe një ndër çështjet më delikate në rajon, siç është ai i i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka të gjithë mbështetjen tonë për t'u zgjidhur ne dialog, por në ç'do rast ne, Partia Demokratike, do ta shohim Serbinë vetëm përmes syve të Kosovës. Ne jemi për paqen midis popullit serb e atij shqiptar, por të palekundur mendojmë se të drejtën e shpalljes së kësaj paqeje e ka Kosova e populli i saj.

Edhe pse në një mosdakordësi të plotë me qeverinë aktuale në Tiranë, PD ka votuar e mbështetur pa asnjë dilemë, çdo nisme që shkon në mbështetje apo me pjesmarrjen e Kosovës. Kemi mbështetur mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive dhe kemi kërkuar që marrëveshjet të implementohen në terren në mënyrë aktive e të mos mbeten në letë” – u shpreh Alibeaj,

Mes të tjerash ai theksoi edhe kundërshtimin e PD-së ndaj projektit ‘Open Balkan’ projekt i cili sipas tij së fundmi nga Parlamenti Evropian u vlerësua si papërputhshëm.

“Kundërshtitë tona energjike ndaj një projekti si ish-minishengen apo Open Ballkan, i cili së fundmi edhe nga parlamenti evropian në dokumentin e strategjisë se zgjerimit u vlerësua me rezerva kundërshtuese, si i papërputhshëm me normat evropiane dhe që nuk garanton gjithëpërfshirje.

Kundërshtitë tona për këtë projekt kanë qenë mbi të gjitha, se Kosova kurrë nuk e pranoi, se ky ishte e mbetet një projekt që e fut çështjen e Kosovës dhe rolin e shqiptarëve në Ballkan në një rrugë të dyshimtë e të paqartë”- shtoi Alibeaj.

Ora 11:25
Mediu në mbledhjen e përbashkët me Kosovën: Serbia provokon në Veri, çdo politikë e jona e përbashkët duhet të ndalojë influencën e Vuçiç

 

Kreu i Grupit Parlamentar Alenca për Ndryshim, Fatmir Mediu, tha në mbledhjen e përbashkët me Kuvendin e Kosovës foli për Serbinë dhe ndikimin e saj në rajon. Mediu tha se Serbia është një faktor destabilzimi në rajon, ndërsa tha se ajo mbështet nga Rusia. Sipas tij, çdo politikë e përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndaljë penetrimin e influencës së Serbisë në rajion.

“Jemi kombi më i vjetër në Ballkan dhe nesër festojmë 110 vjetorin. Jemi 2 shtete dhe një komb i ndarë, nëse nuk mësojmë nga historisë, do e përsërisim atë. Dhe unë besoj se nesër do të jemi sërish bashkë, në Europë. E kemi detyrim ndaj heronjve që bënë historinë, ndaj shqiptarëve, Kosova është e pavarur dhe Shqipëria në NATO, këto arrije janë në bazë të sakrificave por edhe në bazë të bashkëpunimit me aleatët tanë, SHBA.

Sa realisht duhet të jemi ne aleat me ta. Sa demokraci, ekonomi, liri dhe të drejtë gëzojnë shqiptarët, jo sa optimistë janë qeveritarët, por sa besimplotë janë shqiptarët. Ç’po bëhet dhe ç’duhet të bëjmë të ndalim eksodin masiv, të të rinjve dhe të rejave. Sesi mund ti kthejmë për të shmangur plakjen e kobit  tonë. Si duhet ne në rrugëtimin tonë europine të ruajmë vlerat e traditat shqiptare. Jetojmë në një rajon me konflikte të vjetra e të reja, konflikte interesash politike, situata në rajonin e Ballkanit është një ndër më problematike. Serbia shpenzon 3% të buxhetit me armatime nga Rusia dhe Kina. Kë do të kërcënojë Serbia sot? Sërpska kërkon shkëputjen nga Bosnja Hercegovina. Serbia provokon në veri të Kosovës dhe mbështet nga Rusia. Përdor të njëjtën narrativë që ka përdorur Rusia në Ukrainë.

Dialogu duhet të na bashkojë si shqiptarë në kuptim qëndrim dhe veprimin të përbashkët. Nuk mund të kërkojmë kuptim më të tjerët, pa pasur mes vetes. Kombi nuk është trofe politike, ai është mbi çdo politikë. Çdo politikë e jona, hapje apo bashkëpunim në Rajon, duhet të ndalojë infuencimin e Serbisë dhe Rusisë. Të kemi qartësi në përcaktimin e prioriteteve, në Procesin e Berlinit. Kjo botë as nuk fillon as nuk mbaron me ne. duhet të gjejmë ne vendin që na takon, të jemi bashkë si shqiptarë, të bëjmë detyrat tona të shtëpisë dhe të përulemi me respekt para heronjve që kanë bërë historinë tonë dhe të shpresojmë që në rrugëtimin tonë të bëjmë diçka për kombin tonë. Më lejoni ta mbyll me shprehjen e Nënë Terezës: Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, tha Mediu.

Ora 11:04
Doda: Të ecim drejt bashkimit me Kosovën, lek dhe ekonomi të bashkuar! Kjo sallë ka mungesa të mëdha, krerët e UÇK-së ende në Hagë

 

Kryetarja e Grupit Parlamentar ‘Për Demokraci dhe Integrim’, Mesila Doda dha propozime konkrete për atë që quajti në kthimin e kufijve mes dy vendeve në të padukshëm. Në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, Doda tha se është një detyrim i dy vendeve për të afruar brezin e të rinjve, ndërsa propozoi përdorimin e lekëve të përbashkëta, apo krijimin e një Akademie të Përbashkët të Shkencave, krijim i një komisioni të përbashkët parlamentar Shqipëri-Kosovë.

Mesila u ndal edhe tek krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke thënë se kjo sallë ka mungesa të mëdha.

"Nuk është gabim të ëndërrosh bashkimin kombëtar, por të mos punosh për ta jetësuar atë. Kemi detyrimin të afrojmë brezin e ri te njëri tjetri, zhvillim të përbashkët ekonomik, krijimin e një Akademie të Përbashkët të Shkencave, krijim i një komisioni të përbashkët parlamentar Shqipëri-Kosovë, kjo është të heqësh kufijtë mes nesh, t’i bëjmë të padukshëm. Sot nga kjo sallë duhet të kujtojmë se Shqipëria nuk është ajo që la plaku i urtë Ismail Qemali. Shteti i Shqipërisë dhe Kosovës duhet të punojë për shqiptarët e lënë jashtë kufijve. Sot kjo sallë ka mungesa të mëdha. Krerët e UÇK që janë në Hagë dhe është momenti për të thënë që lufta e tyre ishte e lavdishme.

Sot kemi Shqipërinë politike e cila rrethohet me shqiptarë në të gjithin kufirin e saj politik. Kemi Preshvën e cila rrezikon të kthehet në Çamëri të Dytë. Më së fundmi më lejoni të kujtoj se kjo sallë ka mungesa të mëdha sot, janë komandantët e luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të tjerë të cilët janë të akuzuar në Hagë. Ne sot pushojmë së qenit politikanë dhe mbrojmë luftën e heronjve tanë. Kosova dhe beteja e saj për liri janë fitoret tona të jashtëzakonshme në këtë mijëvjeçar", tha Doda. 

Ora 10:42
Spiropali: Regjimi i vizave për Kosovën është absurd, së shpejti në të dyja anët e Drinit do valëvitet flamuri i BE

 

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë seancës së përbashkët mes kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës, ka thënë se vendi ynë do të vazhdonte të kërkonte liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ajo tha se ishte absurde që të rintjë e Kosovës sot janë të izoluar krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre. Ndërsa shtoi se së shpejti në të dy anët e Drinit, do të valëvitej edhe flamuri i Bashkimit Europian.

“Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një nga avokatet më të zëshme të Kosovës për liberalizimin e vizave. Ne e gjykojmë aburde sesi ekziston regjimi i vizave. Sesi ata që sot në Kosovë kanë moshë gjyshërish lëviznin lirisht në kohën e ish Jugoslllavisë ndërsa nipërit e tyre sot janë të izoluar. Rajoni duket se i ka mbyllur hesapet me luftën por paqja nuk është kurrë një ekuilibër. Dua të përmend një fakt, memorandumet mes Shqipërisë dhe Kosovës po i afrohen numrit, 200. Duhet të dëshmojnë qartë, shpejt në të dy brigjet e Drinit do valëvitet edhe flamuri i Europës. Për ne kjo është e vetmja zgjidhje”- u shpreh Spiropali.

Ora 10:37
Konjufca: Serbia nuk e fsheh lidhjen me Rusinë, vetëm duke qëndruar në krah me Shqipërinë mund të mbrohemi nga ky rrezik

 

Kryetari i Kosovës, Glauk Konjfca në fjalën e tij në Kuvend në mbledhjen e përbashkët me kuvendin e Shqipërisë e vuri theksin në marrëdhënien e fortë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Konjufca vuri theksin edhe në tensionet me Serbinë, ndërsa tha se Vuçiç nuk e fsheh lidhjen me Serbinë. Sipas tij, vetëm duke qëndruar sëbahsku, Kosova dhe Shqipëria, mund të mbrohen nga ky rrezik, siç Konjuca e quajti.

Na ka bërë tok në Tiranë, dita më e rëndësishme e kombit, 28 nëntori. Le ti përshëndesim së bashku nga këtu të gjithë si shqiptarët në Kosove, Shqipëri, preshve, Bujnovc, ne Greqi e Itali, bashkatdhetarët në Gjermani, Zvicër, SHBA e çdokund ku ata jetojnë. Jemi këtu dhe jemi me ju e juve u kemi në zemër, urime dita e flamurit. 28 nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat kolektive, por edhe aspiratat përbashkëta, mund e përpjekjet për liri. Kjo ditë e ka simbolin për të na i mbajtur gjallë emocionet më të thella, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara. 28 nëntori është i shqip po aq sa është i Kosovës meqë është si gjithë shqiptarëve. Në këtë ditë lindi edhe heroi i madh Adem Jashari i cili duke luftuar për komb e atdhe u sakrifikuan me familjarë e me bashkëfshatarë në Prekazin legjendar. Lufta çlirimtare e largoi okupatorin serb dhe i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashti siç lidhja  e Prizrenit 1 shekull më parë i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Meqë në zemrën e tyre e kishin 28 nëntorin. Kur ishim të shtypur, e jetonim në terrin jugosllav, popullin tionë të pamposhtur e mbajti. Rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë, dy ngjarje të rënd e kanë hapur jkapitullin e mundësive të mëdha për kombin tionë, demokracia në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës nga pushtuesi serb. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron BE, kurse Kosova aspiron NATO-n dhe anëtarësimin në BE. Orientimi ynë është i pa rezervë në BE dhe në një miqësi me SHBA. Përvoja na ka mësuar ne shqiptarëve që. Boat është më e pasigurt se dje, për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Serbia nuk e fsheh lidhjen me Rusinë. Serbia po na lufton nga brenda dhe nga jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë deri të kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin në veri të vendit tonë. Sa më afër njëra tjetrës aq më lehtë do jetë t’i mbrojmë interesat jetike të vendit tona.

Sami Frashëri, thoshte se përkatësia më e fushqimshe është përkatësia kombëtare. Përdorte një falë të bukur shqip, kombëtaria. Është ky identitet që na bën të jemi një, kjo na mban të sigurt, të mësojmë nga rruga e kaluar dhe të zhvillohemi tutje.

Ora 10:09
Nikolla në seancën e përbashkët parlamentare mes Kosovës dhe Shqipërisë: T'i shndërrojmë kufijtë në formalë

 

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka mbajtur fjalën përshëndetëse në hapje të seancës së përbashkët parlamentare mes deputetëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Teksa përmendi disa prej sfidave që shqiptarët kaluan për të shkuar deri në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e një shteti demokratik, Nikolla tha se strategjia e përbashkët e vendimeve mes dy vendeve nuk i kundërvihej asnjë bashkësie tjetër në rajonin e Ballkanit.

“Në një sallë si kjo, tempulli i demokracisë, është vendi i duhur për të kujtuar ata që bënë Kongresin e Lushnjës, ata që luftuan kundër okupatorëve, sot është dita për të kujtuar martirët e burgjeve komuniste, qëndrimtarët, klerin. Po ashtu edhe studentët e dhjetorit të viteve ’90. Historia nuk është vetëm rrëfim por edhe një shkollë që na sjell idetë triumfuese prej të cilave duhet të marrim mësim. Mënyra e të menduarit e shqiptarëve duhet të ndryshojë në përputhje me realitetin e ri gjeostrategjik. Sfidat e Shqiptarëve në shekullin që kemi hyrë janë të përbashkëta. Sot Shqipëria ka hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në . Në 6 dhjetor Tirana do jetë kryeqyteti i Europës ku do të mblidhen krerët e 27 vendeve anëtare. Shtetet tona sa më shumë të koordinohen aq më shpejt përparon bashkësia shqiptare në Ballkan. Kjo vetëdije e një strategjie të përbashkët vendimesh, nuk i kundërvihet asnjë bashkësie tjetër në rajon. Në dekada kemi qenë të ndarë me mur por në qendër të vajeve tona kemi pasur në qendër njëri tjetrin. Do jemi dy entitete politike brenda BE. Të shndërrojmë kufijtë në kufij formal mes vete dhe me rajonin. Dy kuvendet tona duhet të japin kontributet e tyre në fushën e legjislacionit”- u shpreh Nikolla gjatë fjalës së saj.

Ora 10:07
Historike! Nis mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës

1669540089_Screenshot3.jpg

Ka nisur në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë mbledhja e përbashkët me Kuvendin e Kosovës. Kjo shënon një ditë historike për dy vendet, pasi është mbledhja e parë.

Ligjvënësit e të dy vendeve e ngritën në këmbë për të nderuar himnet kombëtare të dy vendeve përpara se të niste seanca e jashtëzakonshme plenare.

Ora 10:01
Me këngë dhe valle popullore, Rama dhe Kurti mbërrijnë në Kuvend për seancën e përbashkët mes dy vendeve

 

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë mbërritur në Kuvend ku pitet të mbahet mbledhja e përbashkët mes deputetëve të dy vendeve.

Gjatë mbërritjes së tyre, në sfond janë luajtur këngë dhe valle popullore, ndërsa dy krerët e shteteve shoqëroheshin nga dy kryeparlamentarët.

Ora 09:52
Delegacioni i Kosovës mbërrin në Tiranë për mbledhjen e dy kuvendeve, Konjufca pritet nga Nikolla

Delegacioni i Kosovës ka mbërritur në Tiranë, pak para nisjes së mbledhjes së dy kuvendeve në kuadër të 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca është pritur nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Kjo është seanca e parë plenare e përbashkët mes kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Mbledhja e përbashkët do të hapet nga fjalimet e kryeparlamentarëve të dy vendeve.

SI.E./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Opionisti: 28/11/2022 07:48

    Do kemi gjadhte varanjte edi rama eshte princ dhe pricipate albi kurti pasardhsi amet kurte pasha 2 Do kemi dy zgjedhje kosove shqiperi 3 bisedime shqiperi dhe kosove me serbi per ceshtje shqiperi vjeter presheva maqendoni mali zi cameria vojvodina serbnecka qipro hungaria bullgari rumani

    Përgjigju
  • Desi: 27/11/2022 18:29

    Te bashkuar me te forte ju lumte qe mendoni keshtu

    Përgjigju
  • Sindi: 27/11/2022 18:28

    Ju lumte kryeminister qe jeni mbeshtetje per Kosoven ne cdo moment

    Përgjigju
  • Aliu: 27/11/2022 18:27

    Keshtu qofshi perhere se bashku

    Përgjigju
  • Elti: 27/11/2022 17:53

    Gjithmone ne mbrojtje te makines

    Përgjigju
  • Kevi: 27/11/2022 17:52

    Ju lumte qe i mbroni

    Përgjigju
  • Deni: 27/11/2022 17:39

    Hallall i qofte Rames

    Përgjigju
  • Suela: 27/11/2022 17:38

    Qofshim gjithmone te bashkuar

    Përgjigju
  • Vjosa: 27/11/2022 17:07

    Gjate gjithe seances parlamentare PENICILLINA E UDB, qe ha rubla ruse, fshiheshe pas ekranit te ordinatorit se nuk ka surat te shohe njeri ne sy. Jashte ben trimin para gazetareve se do beje hatane. Nuk po shikon fare drite i ziu ne tynelin e tij pasi ja ka marre EDI qe po ndricon kete komb. Sa me shume i shtrengohet litari aq me shume pellet shpellari qe nuk ka asnje vlere shqiptarie.

    Përgjigju
  • Alb: 27/11/2022 14:23

    Bashkimi dhe puna e mposhte armikun.

    Përgjigju
  • Timi: 27/11/2022 13:54

    Show pa thelb. Shperdorim taksash, asgje me shume

    Përgjigju
  • fred: 27/11/2022 12:01

    taulant balla ose kokcepi , duhet te japi llogari per urdhera vrasjesh perpara se te na boj atdhetarin

    Përgjigju
  • Alban: 27/11/2022 11:47

    Sondazhet e Dites po manipulohet me Boots te Komputerve te Sali Berishes. Turp turp turp...

    Përgjigju
  • dardan: 27/11/2022 10:49

    Hipokrizi e gjalle, sa te jene ne krye te Kosoves plerat Osmani dhe Kurti nuk do te kete mardhenie te mira se e ka treguar vete koha, keta plera nuk jane te afte per dialog mes shqiptarise e jo me pastaj te dialogojne me Serbine.

    Përgjigju
  • Qemali: 27/11/2022 10:36

    Ti morr sterr i ke vete te gjitha ato gjera qe aki on te tjeret. Mire Amerika te shpalli non grata por Shqiperia kur do ta jape non graten per te gjitha çka i ke bere dhe po i ben?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund