Ishmi çeli dyert e Festës tradicionale, në përkujtim të 110 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në qarkun e Durrësi duke bërë bashkë banorë të zonës dhe personalitete të artit dhe kulturës.

Organizuar nga shoqata me të njëjtin emër festa e Ishmit nisi me përurimin e memorialit ABC, simbol i trashëgimisë kulturore e historike të trevës për të  vazhduar me homazhe dhe vendosjen e kurorave me lule në lapidarin kushtuar dëshmorëve të Ishmit, në përkujtim të 80 vjetorit të krijimit të çetës partizane.

Në ceremoninë e zhvilluar në kalanë e Ishmit kreu i shoqatës “Ishmi”, Isuf Shehu kujtoi disa prej ngjarjeve historike ndërsa foli dhe mbi vlerat e rralla të traditës dhe kulturës së zonës.

 “Ne sapo inaguruam Memorialin ABC, ku kemi përjetësuar momentin më me vlerë të historisë tonë të arsimit, 110 vjetorin e hapjes së Shkollës së parë shqipe me 5 prill 1913. Do mbetet në memorie e ishmakëve mësuesi i parë Sulejman Zalla.’- tha kreu i shoqatës “Ishmi”, Isuf Shehu.

Homazhe u zhvilluan edhe në varrin e piktorit me famë botërore Ibrahim Kodra në kujtim të 105 vjetorit të lindjes.

Festës i është bashkuar dhe shfaqja artistike e të rinjve me këngë dhe valle popullore si dhe panairi me produktet karakteristike të zonës së Ishmit.