Sot shënohet 111 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, nobelistes dhe shenjtores shqiptare që kreu bamirësi për të varfrit gjatë gjithë jetës së saj. Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910, ndërsa në 4 shtator 2015 ajo u shpall nga Papa Françesku 'Shenjt'.
Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar ditën e lindjes së shenjtit shqiptar duke uruar për shqiptarët një ditë të paqtë siç ishte dhe ajo vetë.
"Mirëmëngjes dhe me këtë foto të Nënë Terezës së shenjtë në ditën e lindjes së saj, ju uroj një ditë të paqtë si vetë ajo", shkruan Rama.
E njohur si Nënë Tereza e Kalkutës iu përkushtuar gjithmonë të varfërve dhe të sëmurëve dhe për këtë është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe.
Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar ditëlindjen e shenjtores Nënë Tereza. Përmes disa rreshtave në ‘Facebook’, Meta shkruan se nderimi më i madh që mund t’i bëjmë bamirëses shqiptare është të ndjekim shembullin e saj dhe të përcjellim vlerat hyjnore që ajo ka promovuar.
“Dashuria duhet vënë në veprim", predikonte Shenjtorja Nënë Tereza, simboli më përfaqësues dhe frymëzues i humanizmit, solidaritetit dhe i vajzës, motrës dhe nënës së dhembshur shqiptare. Sot, në 111-vjetorin e lindjes së saj, nderimi më i madh që mund t’i bëjmë është të ndjekim shembullin e veprës së saj dhe vlerat më të mira kombëtare, njerëzore dhe hyjnore që promovoi gjatë gjithë angazhimit jetësor. Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, shkruan Meta.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka i ka dedikuar disa fjalë bamirësisë së Nënë Terezës në 111 vjetori e lindjes së saj. Duke vendosur një paralele me situatën e sotme në Afganistan, ku Shqipëria po përgatitet të prej me mijëra afganë, Xhaçka shprehet se është e krenare që vlerat e solidaritet të Nënë Terezës janë të pranishme mes shqiptarëve edhe sot.
"111 vite më parë, një grua e veçantë lindi, një grua e cila vendosi t’ia dedikoje jetën e saj kujdesit për njerëzit. Sot, kur Shqipëria po përgatitet të mirëpresë mijëra njerëz të cilët po arratisen pasi jeta e tyre po kërcënohet, ne jemi krenarë që solidariteti dhe bamirësia për të cilën ajo predikoi dhe praktikoi gjatë gjithë jetës, është e pranishme mes shqiptarëve. Gëzuar ditëlindjen Nënë Tereza', shkruan Xhaçka.