Bashkia e Tiranës pezullon detyrimet fiskale vendore për bizneset e vogla të dëmtuara gjatë protestave të ditëve të fundit në kryeqytet. Pezullimi do të jetë në fuqi deri në rihapjen normale të aktivitetit të këtyre subjekteve, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

Vendimi vjen në një kohë kur dhjetëra biznese kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, deri më tani janë identifikuar 127 subjekte të prekura, ndërsa vlera e dëmeve të evidentuara arrin në 2.15 milionë euro.

Nga bizneset e identifikuara, 55 janë evidentuar përmes verifikimeve në terren nga administrata tatimore, ndërsa 72 të tjera kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.

Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon. Administrata Tatimore u ka bërë thirrje bizneseve të prekura që të raportojnë dëmet përmes shërbimit “Dëmi im” në portalin e-Albania.

Njoftimi i Bashkisë Tiranë

"Bashkia Tiranë njofton të gjitha bizneset e dëmtuara nga protestat, të cilat janë detyruar të ndërpresin aktivitetin, të ndjekin procedurat përkatëse pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për deklarimin e pezullimit të veprimtarisë, me qëllim edhe pezullimin e ecurisë së detyrimeve fiskale vendore deri në rifillimin e aktivitetit.

Nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, Bashkia Tiranë informon subjektet se trajtimi i detyrimeve vendore do të bëhet në përputhje me periudhën e ushtrimit të aktivitetit, paketën fiskale të Bashkisë dhe legjislacionin në fuqi.

Të gjitha bizneset e prekura, pas kryerjes së procedurës së pezullimit pranë QKB-së, duhet të vetëdeklarojnë këtë proces pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, duke paraqitur dokumentacionin përkatës. Kjo vlen edhe për subjektet që e kanë kryer tashmë pezullimin e aktivitetit, të cilat ftohen të paraqiten pranë taksave dhe tarifave vendore për të formalizuar situatën e tyre.

Bashkia Tiranë u bën thirrje subjekteve të prekura të ndjekin procedurat përkatëse dhe të deklarojnë rifillimin e aktivitetit në momentin e rihapjes, në mënyrë që detyrimet për taksat dhe tarifat vendore të trajtohen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi"


Lajmi kryesor:

Dëmet nga protestat në Tiranë kapin vlerën e 2.15 milionë eurove, Tatimet identifikojnë 127 bizneset e dëmtuara! Bashkia Tiranë pezullon detyrimet deri në rihapjen e aktivitetit