14 kandidatë të PD-së në zgjedhjet e 14 majit, Logu: Të tërhequrit nuk e panë me vend kandidimin! Meçe: Maskaradë e Berishës! Caca: Grupimi i Alibeajt ka kapitulluar

14 kandidatë për kryetarë bashkie janë regjistruar deri më tani nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit. Pasi Alibeaj nxori listën me 17 kandidatë, disa prej tyre u tërhoqën nga gara me pretekstin se nuk donin të jenë përballë kolegëve të tyre të Rithemelimit.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Besart Logu tha se mes kandidatëve të cilët nuk janë tërhequr deri më tani, së bashku me atë të Gjirokastrës i cili zyrtarizoi kandidimin e tij nën siglën e PD, numri i tyre është 14 kandidatë.

I ftuar në studion e ‘Repolitix’, Logu tha se e vetmja kandidaturë e cila është ende në dyshim, është ajo e Vaut të Dejës për të cilën ende nuk dihet nëse është tërhequr apo jo. Ai tha se plani i Alibeajt ishte të dilnin me 61 kandidatë në zgjedhjet lokale por më pas kandidatë të caktuar panë se nuk e shihnin me vend kandidimin e tyre në vende të caktuara.

“Referuar edhe dorëeheqjeve të bëra publike, numri është diku tek 14 por nuk jam i qartë për Vaun e Dejës nëse u tërhoq kandidatja. Nëse do tërhiqet, do jenë 13 kandidatë. Në mbledhjen e kryesisë u vendos që të hyjmë me 61 kandidatë. Pas kësaj u diskutua rast pas rasti. Të deleguarit raportuan për gjendjen në qarqe të ndryshme dhe pati kandidatë të cilët kuptuan që nuk e shohin me vend kandidimin në zgjedhjet lokale. Rast pas rasti edhe Alibeaj e ka bërë me dije se nuk do të kandidojmë në ato zona ku kandidati i Rithemelimit mund të fitojë”- u shpreh Logu.

Ish deputeti, Arben Meçe tha se tërheqja e kandidatëve të Alibeajt në zgjedhjet lokale ka qenë e planifikuar nga Berisha i cili sipas tij punon në këtë mënyrë. Meçe tha se fakti që tërheqja e tyre ka ndodhur ditën e fundit, tregon se është e parapërgatitur.

“Më datën 22 shkurt, Gjergji Gjata është prezantuar në Korçë si kandidat për kryetar të bashkisë së Korçës. Nga 22 shkurti, deri më sot, 1 muaj e 6 ditë, Gjergji Gjata nuk kishte bindjet e tij ku të thoshte se unë nuk do kandidoj këtu, por ditën e fundit bëri veprimin e tërheqjes, Motivin e tërheqjes nuk ia gjej. Atëherë këta njerëz që u futën në grupim dhe u tërhoqën ditën e fundit, tregojnë se tërhiqen nga ky grupim apo më saktë tregon maskaradën e Berishës. Do të thotë se është një bombë që ia kanë vënë këta. Kështu punon Berisha”- argumentoi Meçe.

Nga ana tjetër, anëtari i këshillit kombëtar të PD-së, Përparim Caca e konsideroi këtë si një kapitullim të PD-së pa nisur ende gara për zgjedhjet lokale. Ai tha se grupimi i Alibeajt është treguar i paaftë për t’u organizuar dhe për të nxjerrë 61 kandidatë.

“Ka kapitulluar pa nisur fare luftën. Grupimi ka qenë i paaftë për t’u organizuar, kishin ndërmend të nxirrnin 61 kandidatë. Nuk mundën dot. Besoj se deri sa të arrijmë në zgjedhje, mund të tërhiqen të gjithë.  Bejkon nuk e di çfarë agjende ka. Tashmë ka rënë gjithë ajo alibi në kuptimin e peshës që ka sigla dhe vula dhe çfarë përgjegjësie kishin”- u shpreh Caca.

Për ish kreun e PD-së në Kukës, Ibsen Elezi, Partia Demorkatike ka detyrimin që të jetë prezentë me kandidatë në 61 bashki të vendit. Ai tha se nuk është parimore lëvizja e Alibeajt i cili deklaroi më herët se nuk do kandidonte askënd në Durrës, Tiranë dhe Elbasan për të mos dëmtuar kandidatët e Rithemelimit. Sipas tij, nuk qëndron argumenti që Berisha ka gisht në këtë tërheqje të kandidatëve të PD-së.

“Lëvizjet taktike në këtë rast nuk janë lëvizje parimore. Në momentin që grupimi i Alibeajt pretendon që janë PD reale, atyre u lind detyrimi për të qenë prezent në 61 bashki. Je partia e dytë më e votuar dhe e ke detyrim të jesh prezent. Në momentin që nuk je prezent në 61 bashki, i kthehemi argumentit që unë nuk dua të bëj dëm mes demokratëve. Atëherë pse nuk e le atë tjetrin të tërhiqet që është pa vulë por tërhiqesh ti. U thua njerëzve që u ke thënë më parë të mos votonin për siglën e LSI sot del dhe u thua të votojnë për atë sigël. Të nxjerrësh 17 dhe të ikin edhe 4 e 5 e të thuash se u bëri presion Berisha, ky është kulmi”-shtoi Elezi.

Deri më tani, Partia Demokratike ka nxjerrë kandidatë zyrtarë në këto 14 bashki të vendit:

  1. Tiranë
  2. Mallakastër
  3. Patos
  4. Fier
  5. Poliçan
  6. Kuçovë
  7. Kamëz
  8. Krujë
  9. Dibër
  10. Dimal
  11. Vau i Dejës
  12. Sarandë
  13. Mirditë
  14. Gjirokastër

Tashmë është përfundimtare përçarja e opozitës në zgjedhjet lokale të 14 majit, ku kandidatët e Rithemelimit, janë regjistruar nën siglën e koalicionit Meta-Berisha, që udhëhiqet nga Partia e Lirisë. Ndërsa disa prej kandidatëve të dalë nga PD zyrtare, ditën e sotme kanë bërë me dije se tërhiqen nga gara për kryebashkiakë. 

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë