Report Tv sjell historinë frymëzuese të një nxënësje që jeton në Gjermani, e cila është vlerësuar si Personalitet me Inteligjencën më të Lartë në Bavari.
Igerta Miftari është vetëm 14 vjeçe dhe jep mësim prej 2 vitesh në tre gjuhë të huaja, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Gjithashtu ajo është autore e një libri, ndërkohë që po punon edhe për vëllimin e dytë të librit.
“Shkoj në shkollë dhe pastaj vi në shtëpi për të shkuar tek nxënësit për t’iu dhënë mësim në gjuhë anleze, gjermani dhe frënge. Kam një nxënëse që e mësoj dy orë dhe tjetrën një orë, nuk është gjithmonë e njëjtë. Pastaj vi në shtëpi për të bërë detyrat, para se të fle lexoj dhe vazhdoj librin e dytë. ”, tha nxënësja në një intervistë për Report Tv.
14 vjeçarja vjen me një mesazh të fortë për bashkëmoshatarët e cila thotë se ata duhet të lexojnë e të ndjekin pasionet dhe jo pasurinë.
“Moshatarëve duhet ti tregojmë që duhet të mësojmë dhe të lexojmë sa më shumë. Të ndjekim pasionet dhe jo pasurinë”, tha Miftari.
Rrugëtimin e saj e përshkruan jo shumë të lehtë, ku sjell në vëmendje indiferencën e bashkëmoshatarëve. Igerta Mifatri thotë se e ka pasur problem mungesën e kontaktit me shoqërinë, por gjithmonë ka gjetur mbështetjen e familjes dhe mësuesve.
“Gjithmonë kam qenë e mbyllur, kam pasur probleme me moshatarët pasi kanë pasur zilli shumë, por e kam pasur familjen pranë gjithmonë. Kam mësuese që më përkrahin, të cilat më kanë lehtësuar hapat në drejtimin e suksesit. Me moshatrët nuk kam shumë kontakt, por me mësuesit dhe familjen. E kam pasur problem por suksesi më erdhi”, vijoi ajo.