Kremtohet sot 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të cilën është zhvilluar dhe një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, ku morën pjesë edhe personalitete të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se pa Lidhjen e Prizrenit, Kosova nuk do kishte fituar pavarësinë, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj foli për pazare për normalizimin e marëdhënieve me Serbinë. I pranishëm në ceremoni ishte dhe Presidenti Ilir Meta. Ai theksoi rëndësinë që ka ende Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
“Lidhja e Prizrenit u përball me heshtjen e fuqive të mëdha për çështjen e shqiptarëve. Lidhja nuk jetoi gjatë, por aktet e saj janë të gjalla përjetë. Lidhja shkaktoi një jehonë të madhe në rajon e botë, ndaj dhe nuk është një relikë historike, por një vepër frymëzuese. Lidhja është një frymëzim për të rinjtë shqiptarë. E paharruar vepra e themeluesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.
Ilir Meta, president i Republikës
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u përqendrua tek aktualitetit politik i Kosovës. Ai foli për pazare sa i përket tentativave për vendosjen e marrëdhënieve normale mes Kosovës dhe Serbisë
Edhe sot i kemi marrëdhëniet e ndjeshme. Një marrëdhënie e pambyllur Kosovë-Serbi, po synohet që të kthehet në pazare të reja politike. Është e padrejtë që të ndodhë. Ju siguroj se mënyra e vetme që të përmbyllet lufta e 99-ës është me një pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve me njohje mes Kosovës dhe Serbisë pa pazare të tjera të ndyra në dëm të shqiptarëve.
Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës
Ndërsa për Kadri Veselin, kryetar i Kuvendit të Kosovës, pa Lidhjen e Prizrenit nuk do kishin pavarësi të Shqipërisë dhe Kosovës.
Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë.
Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës
Me rastin e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në këtë qytet u vendos një gurthemel të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit. Në kremtimin e kësaj ngjarjeje marrin pjesë lider nga të gjithë trevat shqiptare.