Moti i keq ka penguar kërkimin për të mbijetuarit në qytetin brazilian të Petrópolis, katër ditë pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Ekipet e emergjencës u detyruan të pezullonin disa herë punën e tyre të shtunën për shkak të shirave të rrëmbyeshëm. Ata thonë se ka pak shpresë për të gjetur dikë të gjallë.
Zyrtarët thonë se 146 persona kanë vdekur, duke përfshirë të paktën 27 fëmijë dhe adoleshentë, ndërsa 191 janë ende të zhdukur.
Më shumë se 900 njerëz janë strehuar në shkolla dhe strehimore.
Ekipet e shpëtimit gërmuan me lopata nëpër rrënoja dhe baltë në një mjegull të dendur për të gjetur ndonjë të mbijetuar.
Kërkimet po kryhen me mjete dore ndërsa skuadrat janë ndihmuar nga 41 qen nuhatës.
“Është e pamundur të sjellësh makineri të rënda këtu”, tha për agjencinë e lajmeve AFP, Roberto Amaral, koordinator i grupit special të shpëtimit të departamentit lokal të zjarrfikësve. "Kështu që ne në thelb duhet të punojmë si milingona, duke shkuar pak nga pak."