1.5 milionë euro import në ditë, Kosova në krizë për energji ende pa hyrë në dimër

1.5 milionë euro import në ditë, Kosova në krizë për energji ende pa hyrë në dimër

Kosovë

Kompania Kosovare e Distribuimit të Energjisë ka treguar se brenda një dite importi i energjisë elektrike ka arritur në vlerën 1.5 milionë euro.

Nga kjo kompani kanë kërkuar që të kursehet shpenzimi i energjisë elektrike.

Ende pa hyrë në dimër, por me uljen e temperaturave është rritur konsumi i energjisë elektrike në Kosovë.

Kësisoj situata e furnizimit me rrymë është rënduar për shkak të konsumit të lartë.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se me uljen e temperaturave, është rritur edhe kërkesa për konsum të energjisë elektrike.

Kjo energji, thotë KESCO, po përdoret për ngrohje.

Sipas njoftimit të kësaj kompanie, ditët e para të nëntorit tregojnë një rritje të kërkesës për rreth 18% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Kur ende nuk kemi hyrë në dimër, kërkesa ka shkuar në mbi 1100 megavat për orë në kohë pikut. Por, konsumatorët duhet ta kenë parasysh që Kosova ka tarifa që e nxisin kursimin e energjisë elektrike. Pra, sa më pak harxhojnë, aq më pak paguajnë jo vetëm si sasi, por edhe si çmim”, thotë KESCO në njoftim.

Kompania sqaron më tej se tarifat janë të ndara në dy blloqe kryesore sa i përket shpenzimit: deri në 800 kwh dhe mbi 800 kwh. Ndërkaq thotë se çmimet janë dukshëm më të larta për shpenzimin mbi 800 kwh. Prandaj, thotë se konsumatorët duhet ta kenë parasysh këtë dhe ta kursejnë maksimalisht energjinë elektrike. KESCO kërkon që të evitohet ngrohja me energji elektrike në ato hapësira të banimit ku kjo është e mundshme.

“Por, aty ku nuk është e mundshme, ndër metodat e kursimit është përdorimi i pajisjeve efiçiente, sikurse edhe përdorimi i ngrohjes në mënyrë efiçiente, duke mos krijuar temperatura shumë të larta”, shprehen nga kjo kompani.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike kujton se gjatë krizës energjetike, shumë vende evropiane e patën kufizuar temperaturën e brendshme të mos jetë gjatë dimrit mbi 19°C.

“Kjo temperaturë llogaritet që ofron ngrohje të mjaftueshme për njeriun gjatë dimrit. Gjithashtu duhet të ngrohen vetëm hapësirat ku qëndroni e jo edhe ato ku nuk qëndroni. Izolimi i hapësirave të banimit është një hap tjetër i rëndësishëm që kursen rrymën që përdoret për ngrohje”.

Kurse, ditë më parë nga Kompania Distribuimit të Energjisë është bërë me dije se brenda një ditë importi i energjisë elektrike ka shkuar në mbi 1.5 milionë euro.

“Aktualisht konsumi i energjisë elektrike është mbi 930 mega vat për orë, ndërsa së fundmi një megavat për orë i energjisë elektrike është paguar deri në mbi 700 euro, shto këtu edhe kapacitetin ndërkufitar i cili krahasuar me një periudhë paraprake sa ishte 10, 20 deri 30 euro së fundmi është ngritur deri në 400 euro. Sipas këtyre parametrave vetëm përgjatë ditës së sotme importi i energjisë elektrike do të jetë diku mbi 1.5 milionë euro”.

Kjo kompani ka treguar se reduktime të energjisë mund të ketë në rast se nuk mund të furnizohen mjaftueshëm nga prodhuesi i energjisë, që në këtë rast është Korporata Energjetike e Kosovës.

Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, që ndodhen në qytetin e Obiliqit, janë burimet kryesore të rrymës me anë të djegies së thëngjillit, ndonëse nuk i plotësojnë nevojat e shtetit, kryesisht për shkak të vjetërsisë.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë. Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë./Monitor

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Sulm me thikë në zemër të Londrës, por të gjithë presin hetimet

Sulm me thikë në zemër të Londrës, por të gjithë presin hetimet