Skeda/ U strehua nga Çyrbja, kush është Altin Hajri! Nga trafiku i drogës Shqipëri-Itali me kodet ‘Enigma’, te kompleksi ‘Golden’, bizneset dhe rrëmbimi e zhdukja e Jan Prengës

Skeda/ U strehua nga Çyrbja, kush është Altin Hajri! Nga trafiku i drogës Shqipëri-Itali me kodet ‘Enigma’, te kompleksi ‘Golden’, bizneset dhe rrëmbimi e zhdukja e Jan Prengës

Jani Prenga, i zhdukur dhe Altin Hajri, i akuzuar si organizator

Vëllezërit e familjes Hajri në Shijak, nuk janë emra të panjohur për drejtësinë. Dhe jo vetëm në Shqipëri, por kryesisht aktiviteti ilegal kryhej edhe në Itali, i nisur më shumë se një dekadë më parë.

Fillimisht u gjurmuan, përgjuan dhe hetuan në një dosje që kishte të bënte me trafikun e drogës, duke përdorur kompaninë e tregtimit të karburanteve. Dosja u publikua në muajin Tetor të vitit 2015. Të dyshuar ishin vëllezërit Altin dhe Emiljano Hajri. Njëkohësisht pronarë të kompleksit luksoz “Golden”, në Shijak.

Altin Hajri u shpall në kërkim atëkohë si kreu i organizatës kriminale të 21 shqiptarëve të përfshirë në narkotrafik. Hajri rezultonte pronar i “Alt Oil 2008” me seli në fshatin Xhafzotaj, kompani e krijuar që më 1998.

Një pasuri që në atë kohë përllogaritej në 10 milion euro dhe u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në emër të të dy vëllezërve.

Pak ditë më pas, media italiane dhe autoritetet shqiptare publikojnë edhe dosjen e koduar “Enigma”, marrë nga kodi sekret i komunikimit të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, me anë të të cilit komunikonin. Autoriteteve të Antimafias Italiane iu deshën disa vjet për ta gjurmuar dhe zbërthyer, derisa mësuan përmbajtjen e mesazheve që dy vëllezërit, krerë të organizatës, përcillnin nëpërmjet ‘ambasadorit’ të tyre, Fortuz Hajri, i arrestuar atëkohë në Itali.

Sipas hetimeve, mesazhet jepeshin të koduara në copa letre ose me fjalë dhe u përcilleshin anëtarëve. Struktura ishte e tillë, ku çdo celulë nuk e njihte celulën tjetër dhe kishin role të ndara. Vetëm një person u përcillte mesazhet e koduara dhe marrësi dinte dëshifrimin e saj. Kjo bëhej për arsye sigurie dhe që të mos diktoheshin apo kapeshin me prova. Tipike e një organizate mafioze.

Hetimet ndaj tij u pushuan më pas, madje u rikthye edhe pasuria e sekuestruar me vlerë 10 mln euro. Gjithashtu Gjykata e Apelit Durrës i kishte shuar edhe një dënim me 7 vite burgim, për tentativën e vrasjes së një hidrauliku, ngjarje e ndodhur më 24 Dhjetor 2017, në fshatin Pjezë.

Dhe pak vite pasi hetimet u përfunduan dhe madje një pjesë u shuan, Altin Hajri dukej se lëvizte i lirë në Shqipëri. Derisa emri i tij ridel në skenë në muajin Janar të vitit 2020.

Pronari i kompleksit “Golden” cilësohet si një nga organizatorët e rrëmbimit të Jan Prengës më 17 Janar 2020 në Kamëz dhe dërgohet nga grupi kriminal drejt kompleksit, ku torturohet dhe duket se u mbetet në dorë rrëmbyesve.

Sipas hetimeve, shkak ishte bërë një ngarkesë kokaine prej 260 kg, e vjedhur në portin e Portsmuthit nga vëllai i Jan Prengës dhe një mik i tij në Angli, por që i përkiste një karteli shqipfolës. Po nga hetimet dhe dëshmitë e deritanishme, personat që janë prezantuar si pronarët e kokainës dyshohet se janë Gramoz Rexhepi, atëkohë nga burgu në Ekuador, i dënuar për narkotrafik dhe Gentian Funiqi (Doçi), në kërkim. Gramoz Rexhepi, i njohur edhe si Dritan, me precedentë të shumtë dhe i arrestuar vitin e kaluar në Turqi, ka kërkuar kthimin e mallit. Edhe pse droga dhe paratë u kthyen në Londër, nuk ndodhi kështu me Jan Prengën.

Policia dhe Prokuroria zbuluan nga një kamera e kompleksit “Golden” veprimet e grupit kriminal, teksa lëviznin trupin e pajetë të Prengës për ta zhdukur.

Fillimisht u arrestuan 6 persona dhe shpallën në kërkim 8 të tjerë. Dosja u mëvetësua, Altin Hajri u arratis dhe shpall në kërkim. Bashkë me të Rexhepi dhe Funiqi. Procesi gjyqësor në GJKKO vijon në mungesë për këta të pandehur, teksa po dëgjohen dëshmitë.

Aktualisht Hajri rezulton se është ndihmuar dhe strehuar nga ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, pasi u shpall në kërkim për Prengën. Ai e ka fshehur në pronat e tij, kryesisht banesa. Komunikimet në platformën e koduar SKY ECC duket se kanë provuar dyshimet. Hajri mbetet ende në kërkim dhe kontrollet e kryera nga Policia dje kanë dështuar përsëri në kapjen e tij.

Vëllezërit Altin dhe Emiljano Hajri, të akuzuar në dosjen e drejtësisë italiane 'Enigma'

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    E kujt është përgjegjësia për kaosin në Kuvend?



×

Lajmi i fundit

Arrestimi i ish-deputetit Çyrbja, Bardhi: Trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjësim i zgjedhjeve të lira

Arrestimi i ish-deputetit Çyrbja, Bardhi: Trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjësim i zgjedhjeve të lira