Pas debateve të ashpra në parlament dhe protestave në shesh, çështja e ligjit për Barazinë Gjinore dhe koncepti i familjes tradicionale zhvendosen zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Një grup prej 16 aktivistësh, i udhëhequr nga ish-gjyqtari Besnik Muçi dhe aktivisti Kastriot Çipi, kanë dorëzuar kërkesa për dy referendume: një për shfuqizim të ligjit të ri të barazisë gjinore dhe një tjetër me 7 pyetje për qytetarët që prekin tema të nxehta për familjet konservatore.

"Familja shqiptare po dëmtohet. Ne duam të pyesim qytetarët shqiptarë nëse janë dakord me këto ndryshime që prekin themelet e shoqërisë sonë", u shpreh ish-gjyqtari Besnik Muçi.

KQZ ju dha aktivistëve formularët për të mbledhur firma zgjedhësish me qëllim shfuqizimin e ligjit për barazinë gjinore, por ju kthehu pas për saktësim pyetjet për referendumin e dytë.

Kërkesa përmban 7 pika nevralgjike. Aktivistët kërkojnë që qytetarët të shprehen kundër edukimit seksual në kopshte dhe shkolla filllore, kundër adoptimit të fëmijëve nga partnerë që nuk janë çift i martuar, dhe mbi të gjitha, për përcaktimin e qartë të identitetit gjinor në ligj.

"Pyetjet duhet të jenë të qarta për zgjedhësit, që ata të kenë mundësi të përgjigjen shkurt me PO ose JO”, u shpreh kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.

“Të mos lejohet që adoptuesi të jetë burrë e tu thotë “jam nëna jote”. Edukimi seksual në shkolla të ndalohet”, tha Kastriot Çipi.

Nëse kalon këtë filtër, grupi nismëtar do të kenë 3 muaj kohë për të mbledhur 50 mijë firma në të gjithë Shqipërinë, që dorëzohen në Komision.

Pasi KQZ konfirmon 50,000 firmat, dosja dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.  Është Gjykata ajo që kontrollon nëse pyetjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe garantojnë liritë themelore të individit. Kjo përbën edhe sfidën më të madhe në rrugën për zhvillimin e një referendumi.

Nëse kërkesa kalon filtrin kushtetues, Presidenti i Republikës cakton datën e referendumit (zakonisht brenda 45 deri në 60 ditëve). Që referendumi të quhet i vlefshëm, duhet të marrin pjesë mbi 50% e zgjedhësve të regjistruar.

PYETJET PËR REFERENDUMIN
1. A doni që ligji të njohë vetëm dy gjini: mashkull (burrë) dhe femër (grua)?
2. A doni që ligji të njohë martesat vetëm mes burrit dhe gruas?
3. A doni që ligji të njohë të drejtën e fëmijës për t'u rritur me një nënë dhe një baba?
4. A doni që ligji të lejojë edukimin seksual vetëm për fëmijët mbi 12 vjeç dhe vetëm me miratimin me shkrim nga të dy prindërit?
5. A doni që adoptimi i fëmijëve t'u lejohet vetëm çifteve burrë-grua të martuar, ose vëllezërve dhe motrave beqarë, të prindërve të vdekur të fëmijës jetim?
6. A doni që ligji të dënojë marrëdhëniet seksuale mes të miturve nën 15 vjeç dhe atyre mbi 15 vjeç, si edhe mes të miturve nën 18 vjeç dhe atyre mbi 18 vjeç?
7. A doni që ligji të ndalojë pornografinë dhe dhunën ekstreme në TV dhe të vendosë kufizime audience për përmbajtjet seksuale dhe të dhunshme në TV dhe Internet?

 

Grupi Nismëtar
Erald Aga
Ilir Zmalaj
Alberto Konti
Fatjon Softa
Petrit Levendi
Lirim Fëlluza
Armando Vrushi
Andi Tepelena
Etleva Merko
Igli Zepishta
Perparim Gjeka
Olsi Çaushi
Vladimir Kera
Besnik Muçi
Ada Lushi