TIRANE - Një konflikt pronësie është bërë shkak për plagosjen e një 45 vjeçari mëngjesin e sotëm në Tiranë, ndërsa autori është larguar me makinë nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:15 në rrugën “5 Maji”, ku i plagosur ka mbetur Dritan Jazenxhiu, 45 vjeç. Ai është qëlluar pranë dyqanit të tij, ku janë gjetur 16 gëzhoja kallashnikovi,  ndërsa mësohet se në drejtim të tij është qëlluar nga dritarja e një automjeti

Mësohet se Jazenxhiu u plagos me 1 plumb nga 16 që u qëlluan, ndërsa shkak për plagosjen mësohet të jetë një konflikt pronësie. Kjo pasi sipas policisë, i plagosuri ka një konflikt të hershëm pronësie me familjarët e tij, të cilat kanë qenë të dokumentuara. Madje ato janë bërë publike edhe në një emission televiziv të fundjavës.. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës, ndërsa sipas mjekëve pavarësisht se është në gjendje të rëndë, 45 vjeçari është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq nga të dhënat e para hetimore mësohet se pas plagosjes, autori është larguar me makinë nga vendi i ngjarjes. Megjithatë forcat e policisë, kanë arritur ta identifikojnë, dhe janë vënë në kërkim të tij. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)