TIRANË- "Koha është për përgjegjshmëri të lartë dhe jo për “trimëri” të marrë". Kështu e nis reagimin e tij ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj lidhur me ndëshkimin e 165 këmbësorëve që dolën nga shtëpia pas orës 10:00.

Ai thotë se ato jo vetëm po rrezikojnë veten e tyre, por edhe të tjerëve e për pasojë janë marrë masa ndëshkimore ndaj tyre. Lleshaj ka bërë apel qytetarëve që të bashkëpunojnë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

"Shumica absolute e shqiptarëve po respekton jetën e vet dhe të të tjerëve, duke zbatuar rregullat e parandalimit të përhapjes së COVID-19. Por fatkeqësisht ka edhe ndryshe. 165 persona janë gjobitur sot pas orës 10:00 nga Policia e Shtetit, për mos respektim të orarit të kufizimit të lëvizjes.

Koha është për përgjegjshmëri të lartë dhe jo për “trimëri” të marrë. Ata që nuk kanë frikë për jetën e tyre, duhet të paktën të kenë respekt për jetën e të tjerëve. Duke qarkulluar në mjedise publike ne shtojmë rrezikun për veten, por dhe për të tjerët. Policia dhe organet e tjera shtetërore janë të angazhuara të sigurojnë zbatimin e ligjit dhe të rregullave të jashtëzakonshme. Që kjo të ndodhë më mirë, kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve të ndërgjegjshëm.

Ju lutem raportoni në numrin 112, ose në aplikacionin “Komisariati Digjital” rastet e shkeljes së rregullave të vendosura për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Vetëm kështu do të mund t’ia dalim", shkruan Lleshaj.

Postimi i plotë i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj