Sot është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Për rolin e tyre si drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin.

Kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, tha në Report Tv se Gjykata Speciale në Hagë është tërësisht e njëanshme. Pretendimet e prokurorëve specialë se Thaçi ka gënjyer ndërkombëtarët për veprimtarinë e UÇK-së dhe rolin e tij, Gucati i quajti absurde dhe të pamundura.

Gucati i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, anëmbanë botës, që t’i bashkohehen protestës që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, ditën e Pavarësisë së Kosovës, kundër padrejtësisë që po i bëhet 4 ish-krerëve të UÇK-së.

“Ne na ka befasur vetë fakti që kjo prokurori që ngriti këtë aktakuzë të falsifikuar, me disa gënjeshtarë dëshmitarë shqipfolës të cilët ishin dëshmitarë dhe ngriti një aktakuzë pa bazë ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe fakti që në fjalën përmbyllëse kërkoi 180 vite burg për komplet grupin, për ne është e papranueshme. Ju e dini, me kohë ne kemi reaguar që kjo gjykatë është e njëanshme, është e padrejtë dhe ka punuar me disa shqiptarë shqipfolës që kanë qenë dëshmitarë gënjeshtarë, të fabrikuar ose përpunuar nga Gjykata Speciale. Ku mundi Hashim Thaçi të mashtrojë e manipulojë ndërkombëtarët, sidomos amerikanët. Amerikanët ishin aleatët tonë bashkë me NATO-n. Ne e kemi një protestë gjithëpopullore apo gjithë qytetare. Protesta ka karakter ju e dini vetë kundër Gjykatës Speciale dhe kundër padrejtësisë që po ndodh në Hagë. Kjo protestë është gjithë qytetare. Gjithë qytetarët pa ndalim të vijnë më 17 shkurt dhe të protestojnë në Sheshin Skënderbej, ora 14:00, ku do të jetë një protestë e qetë, nëj protestë paqësore. Ne do ta ngremë zërin kundër kësaj padrejtësie që po ndodh dhe kundër UÇK-së”,- tha Gucati.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.