Gjykata e Tiranës liroi nga qelia Vladimir Gjutën dhe kunatën e tij, motrën e vëllait, Mirvete Rexhmati. Në burg u la nipi i tij 22-vjeçar, Erisjaldo Gjuta. Të tre, u arrestuan pas plagosjes me armë zjarri së të dashurës 18-vjeçare të të riut, në një nga dhomat e hotel “Gjuta” në zonën e Saukut, në pronësi të familjes.

Më i riu i Gjutajve u la në qeli, ashtu siç kërkoi edhe prokuroria, pasi dyshohet për moskallëzim të krimit, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe armë pa leje. Ishte pistoleta e tij ajo me të cilën e dashura tha se u vetë plagos, një dëshmi kjo që po shihet me rezerva dhe hetohet nëse vajza po tenton të mbrojë dikë tjetër.

Për Vladimir Gjutën, një personash i njohur me precedentë penalë, dhe kunatën e tij, prokuroria kërkoi lirimin nga qelia dhe masë detyrim paraqitje, çka u vulos dhe nga gjykata.

Nëna e 22-vjeçarit e çoi vajzën në spital, bashkë me një nip të familjes, i shpallur në kërkim. Bluzave të bardha iu deklaruara se 18-vjeçaren e gjetën të plagosur në rrugë, por hetimet zbuluan se vendngjarja ishte pikërisht te Hotel Gjuta, aty ku burrat e fisit, përfshirë Vladimirin, dyshohet se fshinë gjurmët, përfshirë armën e cila ende nuk është gjetur. Në kërkim vijon edhe babai i 22-vjeçarit që sot u mbyll në qeli.