Më shumë se 5 mijë shqiptarë kërkonin azil politik në oborret e ambasadave të huaja në Tiranë. Ishte 2 korriku i vitit 1990,  ku mijëra shqiptarë hynë në territorin e ambasadave të  që funksiononin në atë kohë në Shqipëri në kërkim të lirisë së munguar prej 5 dekadash.

Nuk kaloi shumë dhe brenda një jave në ambasadat e Gjermanisë, Francës, Italisë e të Greqisë, kishin ngritur “kampin e fushimit” rreth 5.000 refugjatë shqiptarë. Asnjë prej tyre nuk e dinte se ku do të përfundonte, por shqiptarët kapërcyen muret e selive diplomatike në Shqipëri me një qëllim të vetëm: ikjen për në perëndim.

Ngjarje është konsideruar si rënia e “Murit të Berlinit” në Tiranë, që më pas do të sillte dhe zhvillime të tjera për të kulmuar në dhjetor të vitit 1990 me lëvizjen studentore dhe lejimin e pluralizmit politik. Hapja e ambasadave ishte akti i parë i dramës shqiptare në mbyllje të mijëvjeçarit. Në  këto rrethana u përgatit edhe terreni i volitshëm për zhvillimin e lëvizjes antikomuniste të studentëve.

Në sajë të qëndresës së tyre, do të instalohej edhe pluralizmi politik. Drejtoria e Përgjithshme Arkivave ndau në rrjetet sociale informacion për “problemin e qytetarëve shqiptarë që u larguan nga vendi ynë nëpërmjet rrugës së strehimit në ambasadat e huaja”. Për afro gjysmë shekulli, Shqipëria nën thundrën e diktaturës komuniste ishte  shndërruar në vendin më të izoluar të Europës.