2 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, banorët nxirren nga hotelet....por ende nuk u është siguruar banesë me qira

Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga tërmeti i 26 nëntorit dhe gjendja e emergjencës mbetet ende në fuqi deri më 31 mars, për Lezhën, Durrësin e Tiranën, ende nuk ka gjetur zgjidhje procesi i strehimit të qytetarëve shtëpitë e të cilëve morën dëmtime të mëdha, duke i kthyer në të pabanueshme.

Në disa prej hoteleve ku janë strehuar këta banorë, janë shpërndarë njoftime për t'u larguar nga ambientet e hoteleve, edhe pse sipas një urdhri të mëparshëm, banorët e prekur nga tërmeti duhet të qëndronin në hotele pa afat, deri në sigurimin e një banese me qira përmes bonusit të siguruar nga bashkitë, siç tha një ditë më parë Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku. Në disa hotele, veçanërisht në Shëngjin, banorëve, kryesisht të zonës së Thumanës, u kanë thënë se mund të qëndrojnë në hotele deri më 31 janar, megjithatë, situata mbetet kaotike. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:34
Banorja nga Thumana: Jemi akoma në çadra...Mos të ngrihet shteti me pa njerëzit?! (VIDEO)

Një tjetër banore në zonën e Thumanës kërkon që shteti të kthejë sytë nga banorët e prekur nga tërmeti, pasi sipas saj po qëndrojnë ende në çadra verore, ndërkohë që nuk kanë mundur të gjejnë shtëpi me qira. 

"Shteti duhet të vijë të na shikojë. Jemi 6 familje. Kam 5 fëmijë të vegjël me gjilpëra, e kam vëllanë me pompa me astmë, vet jam sëmurë. Gjendja është kritike, flemë në dyshekë me ujë. Mos të ngrihet shteti me pa njerëzit? Çfarë ka sjellë shteti, çadra verore. Duhet të ngrihet Edi Rama që na premton gjëra, mos të turret vetëm për vota, por të vijë të na shikojë. Ku të shkojmë online me telefona 2 qind lekësha që kemi në dorë, kërkojmë një konteniere kisha i ndan me interes, njerëzit ndajnë ushqime me interes", tha zonja nga Thumana.

Ora 13:29
'Kam dalë nga varri, më kanë rënë 50 tulla në kurriz', banorët kërcënojnë se do të vetëflijohen: Na kanë thënë të dalim nga hoteli! (VIDEO)

31 janari është afati i fundit që të lirojnë hotelet  në Shëngjin ku qëndrojnë të strehuar që pas tërmeti të 26 nëntorit. Ky është pretendimi i banorëve të Kurbinit sipas të cilëve vendimin ju kanë komunikuar përfaqësuesit e Bashkisë një natë më parë. Shumë prej banoreve thonë se ende nuk e kanë përfituar bonusin e qirasë, ndërsa shprehen se nuk kanë mundur të gjejnë as banesa me qira, pasi numri është i kufizuar dhe çmimet janë rritur.  Përballë kësaj situate banoret e Kurbinit kërcënojnë me vëtëflijim, pasi nuk kanë ku të strehohen.

"Kemi shkuar me apkikuar. Shtëpia është shumë e shtrenjtë nuk e marrim dot me qira. Na tha ai i bashkisë për të dalë. Kemi kërkuar por nuk kemi gjetur, është shtrenjtë qiraja. Me këto pare që jep bashkia nuk gjen dot shtëpi me qira', thotë një banor.

"Me 12 mijë lekë nuk mund të gjesh një vathë bagëtish. Ku do shkojmë ne. Nuk e di çfarë kërkon kjo qeveri. Të marrë të na pushkatojë këtu në breg të detit. Bashkia thotë dil ku të shkojmë ne. Kam dalë nga varri, më kanë rënë 50 tulla në kurriz. Nuk kam lënë vend pa kërkuar", tregon një tjetër banor.

"Kanë ardhur këto të bashkisë na kanë thënë me datë 1 duhet të dilni. Ne nuk kemi ku të shkojmë, vetëm t'ia fusim këtej me not nja 100 metra derisa të lodhemi dhe pastaj mbarojmë" thotë një tjetër banor.

E kontaktuar nëpërmjet telefonit Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit Majlinda Cara, thotë se njoftimi është bërë për familjet që kanë përfituar bonusin e qirasë dhe ata duhet të kërkojnë për të gjetur strehim, pasi mbajtja sërish në hotele ka kosto të dyfishtë.

Ora 13:21
Banorja e Thumanës: Na kanë vjedhur të gjitha mobiliet pas tërmetit! Deri në fund të muajit duhet të dalim nga hoteli (VIDEO)

Një banore e Thumanës e shpërngulur në Shëngjin pas tërmetit të 26 nëntorit ka rrëfyer për Report Tv se përgjatë kësaj kohe i kanë marrë nga shtëpia të gjitha moboliet.  Ajo thotë se i kanë dhënë afat deri në fund të muajit për të qëndruar në hotel, ndërsa ende nuk ka arritur të gjejë një banesë të re.

"Nuk kemi marrë akoma bonus qiraje. Banesat na e i mbajnë shumë shtrenjtë. Unë kam pas qëndruar me qira këtu. Na kanë thënë që deri në fund do rrimë në hotel. Pronari na ka thënë mund të qëndroni deri në fund të marsit. Goca studion në Shëngjin.  Erdha për të parë këtu pas tërmetit që ra mbrëmë. Hajdutët na kanë marrë mobiliet që kemi pasur brenda. Ne nuk ka merr gjumi atje pa i kujtuar viktimat.  Në hotel na kanë trajtuar shumë mirë. Edhe psikologia na ka ardhur atje. Na ka takuar", tregon banorja.

Ora 13:17
Banorja e Thumanës: Sot na nxorrën nga hoteli, nuk kisha lekë për makinën...Nëna nuk ka më takat (VIDEO)

Sejdie Ruka është një banore e zonës së Thumanës prej muajit nëntor kur ra tërmeti, ka gjetur strehim në hotel "Rafaelo" në zonën e Shëngjinit. Por sot, një ditë pas tërmetit me magnitudë 4.9 ballë të shkallës Rihter, asaj dhe banorëve të strehuar në hotel, i është dhënë një njoftim nga recepsioni se duhet të dalin nga hoteli. Njoftimi sipas saj është dhënë nga Bashkia e Krujës.

"Njoftim për të dalë të gjithë banorët nga bashkia e Krujë, për të dalë të gjithë banorët e Thumanës nga hoteli. Më nuk di nëna cfarë të thotë. Kemi paguar makinën kemi ardhur, i dhash një sasi lekësh e nuk kisha më me vete. Tani bëni ç'bëni vet, nëna nuk ka më takat, mendoni si për nënat tuaja. Kanë dalë të gjitha familjet e Thumanës që ishin atje. Apeli është të na gjejnë një strehim me fut kokën të paktën, nuk dimë ku të shkojmë. Lekë për të paguar qiratë nuk kemi, se qiraja është shumë shtrenjtë", tha nënë Sejdie Ruka për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta, i cili këtë të mërkurë ishte në një lidhje live nga Thumana, ku zonja ka shkuar pasi e kanë nxjerrë nga hoteli.

Gazetari i Report Tv shkoi së bashku me banoren  të interesohet nëse ka dalë bonusi i qirasë, ndërsa Sejdie Ruka tha se përgjigjja e marrë ishte: Bonusi nuk ka dalë. Në momentin që gazetari ka trokitur në dyert e administratës së Thumanës, askush nuk ka qenë i pranishëm në zyrë.

Ora 10:44
9 anëtarë të një familje në Bubq në qiell të hapur/ Kryefamiljari: Pas tërmetit të djeshëm nuk kishim besim as te çadra! U trishtuam shumë (VIDEO)

BUBQ- 9 antarë të familjes Masha në Bubq vijojnë të jetojë në çadër pasi banesa e tyre u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa ende nuk kan përfituar bonus qiraje.

Bajram Masha tregon për Report Tv se tërmeti i djeshëm ka krijuar akoma më shumë frikë në familjen e tij ndërsa rrëfen se para 26 nëntorit kishte restauruar banesën dhe për shkak të kësaj nuk ka shlyer ende borxhin prej 4 milionë lekësh.

"Mbrëmë jemi trishtuar shumë. Ishim në çadër, por edhe nga çadra nuk kishim besim. Dolëm jashtë. I kam paratë  pa paguar akoma 4 milionë lekë që kam marrë materialet për të riparuar shtëpinë para 26 nëntorit.  Kjo është e pabanueshme. Këtu jetojmë ne. Unë e shoh vetë që është e pabanueshme, nuk duam të na e thonë ata", tregon Bajram Masha.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vera: 29/01/2020 18:07

    HIC MOS DILNI DERISA T'JUA GJEJE SHTEPITE EDI RAMA ,,SHTEPI SOCIALE OSE BANESA TE REJA,,,TI GJEJE EDI RAMA KU TE DOJE ,,,TE MOS I VIDHTE LEKET POR TE NDERTONTE TE PAKTEN 10 PALLATE QE DO TE SHERBENIN NE RAST FATKEQESIE SI KY I TANISHMI....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari arratiset nga burgu në Zvicër

Shqiptari arratiset nga burgu në Zvicër