Më 23 shkurt në orën 10:00 do të mbahet mbledhja e Këshillit të Imunitetit për rastin Balluku.

Edhe pse kryeministri Rama deklaroi pas vendimit të Kushtetueses se nuk ka urgjencë për trajtimin e kërkesës së SPAK pasi Balluku është tashmë e pezulluar dhe mund të hetohet lehtësisht, socialistët ndryshuan kurs.

Fillimisht ata ishin shprehur se do të prisnin zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe botimin e tij në Fletoren Zyrtare. Kushtetuesja ka thënë se po punon për ta zbardhur vendimin para afatit 30-ditor.

Vendimi për mbledhjen e Këshillit të Imunitetit erdhi disa ditë pas Komisioni Europian në një përgjigje ekskluzive për Report Tv, i kërkoi Kuvendit të trajtojë pa vonesa kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

Siç është theksuar edhe më parë, është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të shqyrtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhej në përgjigjen e KE.

Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese.

Duke qenë se java e ardhshme është “javë e gjelbër”, pritet që raporti të votohet në seancën plenare të 5 marsit.

Gjatë mbledhjes të 16 shkurtit të grupit parlamentar të PS, kryeministri Rama tha se “parlamenti do të shprehet fillimisht për imunitetin, më pas për ndryshimet ligjore.”

Me ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale që në parlament kërkojnë 84 vota, gjykata nuk mund të ushtrojë ndaj Presidentit, kryeministrit, zv/kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit dhe Kreut të KLSH, vetëm masën e pezullimit nga detyra.

Për masa të tjera si marrja e pasaportës apo detyrim paraqitje, SPAK nuk ka nevojë për asnjë autorizim nga parlamenti. Ndërsa për arrestin, qoftë me burg apo në shtëpi, do të duhet si gjithnjë autorizimi i Kuvendit.

Miratimi i ndryshimeve nuk zhbën dot masën ndaj Ballukut sepse nuk kanë fuqi prapavepruese.

Ndarja 4-4 e Gjykatës Kushtetuese mundësoi rrëzimin e kërkesës së Ramës duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra.

Në mbledhjen e grupit të PS, Rama tha se “pezullimi nga detyra cenon funksionin”.

Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.