TIRANËNë një mbledhje që zgjati 5 orë, Këshilli i Imunitetit shqyrtoi kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, pozita e së cilës, siç thanë prokurorët e posaçëm, është rënduar dhe rrezikon deri në 35 vite burg. PS dhe PD do të dalin me dy raporte, që pritet të hidhen në votim seancën e 5 marsit. Socialistët duket se nuk do ta lejojnë arrestimin e Ballukut.

***

Belinda Balluku nuk ishte e pranishme në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit, ku pas dy muajsh u shqyrtua kërkesa e SPAK për arrestimin e saj. Balluku dërgoi në mbledhje dy avokatët e saj, të motrën Pamela Qirko dhe Ardian Kalijan, ndërsa SPAK u përfaqësua nga drejtuesi Klodian Braho dhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Mbledhja që zgjati 5 orë, u zhvillua me dyer të mbyllura pas kërkesës së SPAK se materialet përbëjnë sekret hetimor. Kërkesë kjo që krijoi përplasje mes PD dhe PS.  

“Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren”, u shpreh Gazment Bardhi.

“Është e pakuptueshme dhe qesharake që PD kundërshton kërkesën e prokurorit për zhvillim me dyer të mbyllura, duke pranuar vetëm një pjesë të së njëjtës kërkesë", iu përgjigj Taulant Balla.

Katër muaj pasi Balluku u mor e pandehur për shkelje të barazisë për tenderin e Tunelit të Llogarasë, pozita e saj përballë drejtësisë është rënduar. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e Ballukut me argumentin se në duar kanë prova të reja. “Gjendja e saj procedurale është rënduar, ka rrezik të prishë prova dhe të kryejë krime të tjera”, tha SPAK në mbledhje, duke shtuar se zv.kryeministrja rrezikon deri në 35 vite burg. E konfirmuar kjo nga vetë kreu i SPAK, Klodian Braho, i cili deklaroi se kur u kërkua masa e parë për Ballukun, ajo e pezullimit nga detyra, zv.kryeministrja rrezikonte deri në 10 vite burg, por aktualisht pozita i është rënduar dhe të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë.

“Në situatën kur është kërkuar masa e parë ndaj  znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë. Secila vepër dënohet me 4 vite. Me bashkim dënimesh ky është marzhi i veprës”, ka deklaruar kreu i SPAK.

Prokurorët e Posaçëm thanë se Belinda Balluku ka intimiduar dëshmitar përmes dy formave. SPAK tha se vetë Balluku, më 20 nëntor 2025, ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë ose në të kundërt do t’u rrezikohej vendi i punës në administratë.

Jo vetëm kaq, por sipas SPAK, persona të ‘fortë’ kanë kërcënuar dëshmitarët dhe të pandehur në emër të Ballukut. Burime të Report Tv në mbledhje, por edhe deklarata të deputetëve opozitarë në Këshill, kanë konfirmuar se 3 prokurorët e SPAK kanë treguar trankripte konkrete bisedash dhe prova të tjera se dëshmitarëve u është kërkuar ndryshimi apo manipulimi i dëshmive të tyre përmes dy formave. Të fortët, që SPAK dyshon si të lidhur me krimin dhe po heton për këtë, kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë, ndërsa zyrtarë të lartë publikë, punonjës të Ministrisë së Infrastrukturës, fillimisht i kërcënonin  dëshmitarët me vendin e punës së tyre dhe familjarëve të tyre, dhe kur dështonin me këtë presion i ofronin para që të ndryshonin dëshmitë që kishin bërë apo do të bënin për Ballukun.

Ka qenë pikërisht një pyetje e bërë nga deputetët socialistë nëse bëhej fjalë vetëm për persona të bashkëpandehur në dosje, që i dha mundësinë SPAK-ut ta bëjë të qartë se të kërcënuarit ishin edhe dëshmitarë të tjerë që nuk deponuar ende por pritej të thirreshin nga SPAK për shkak të rolit të tyre në procedura dhe dijenisë që kanë për veprimet konkret. Ata janë kontaktuar paraprakisht nga njerëzit e Ballukut. 

Avokatët e Ballukut kërkuan rrëzimin e kërkesës së SPAK, duke argumentuar se Balluku nuk është paraqitur asnjë ditë në detyrë pas rikthimit të pezullimit, edhe pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka hyrë në fuqi pasi ende nuk është zbardhur dhe botuar në fletoren zyrtare. Avokatët kërkuan nga SPAK, që në kushtet kur duan zëvendësimin e masës së sigurisë, të provojnë pretendimet për prishjen e provave dhe rrezikun që Balluku të largohet nga vendi. 

“Prokuroria ka detyrimin që të provojë kushtet që Belinda Balluku po tenton të largohet nga vendi në një kohë kur kërkon zëvendësimin. Ajo ka zbatuar masën dhe nuk është paraqitur në detyrë. Zonja ka dorëzuar menjëherë çdo dokument personal. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës”, tha avokati i Ballukut,  Ardian Kalija.

Pyetjes së Gazment Bardhit “nëse kërkesa për arrestimin e Ballukut është e bazuar në motive politike”, SPAK iu përgjigj se gjithçka bazohet vetëm në provë. Kjo pikë e diskutimit shërbeu që edhe mbrojtja e Ballukut të pranojë se “nuk kanë indicie për asnjë motiv politik”, referuar kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres.

5 orë diskutime nuk i mjaftuan PS dhe PD që të dilnim me një raport. Palët do hartojnë 2 raporte të ndara, të cilat i kalojnë Kuvendit për votim seancën e 5 marsit. Socialistët pritet që të mos e ngrenë kartonin jeshil për të aprovuar arrestimin e Ballukut, pasi sipas tyre masa e pezullimit nga detyra për Ballukun është e mjaftueshme.

“Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, në përfundim të këtij procesi, sapo kolegu Ulsi Manja të ketë hartuar raportin në emër të pesëshes sonë. Masa e pezullimit besoj se është e mjaftueshme”, tha Taulant Balla.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi socialistët se janë kthyer në mburojë të Ballukut, ndërsa i dha ‘zë’ argumenteve të SPAK se Balluku intimidoi dëshmitarët.

"Asnjë surprizë, Rama kishte urdhëruar 5 anëtarët e tij që të bëheshin mburojë politike për të korruptuarën Balluku”, tha Bardhi.

Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe.

Mbledhja e Këshillit të Mandateve erdhi pasi Kushtetuesja nuk arriti shumicën për rastin Balluku dhe u nda 4-4 duke rrëzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe lënë në fuqi masën e pezullimit. Pasi Kuvendi të shprehet për kërkesën e SPAK, socialsitët do të vijojnë me ndryshimet ligjore në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, përmes së cilave synohet që gjykatat të mos pezullojnë dot edhe Presidentin, kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Avokatin e Popullit dhe Kreun e KLSH.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:42
Bardhi: Avokatët e Ballukut e pranuan që nuk ka ndërhyrje politike, SPAK foli për miliona euro dëm në buxhetin e shtetit

Gazment Bardhi shprehu dhe njëherë qëndrimin e 5 anëtarëve të PD në Këshillin e Mandateve duke kërkuar votimin pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut në Kuvend. Bardhi tha se avokatët e Ballukut ndihmuan dhe më shumë përparimin e kërkesës së SPAK duke pranuar se çështja në ngarkim të Ballukut konsiderohet ligjore dhe nuk ka pretendime për ndërhyrje politike.

 “Me paratë që i ka vjedhur shqiptarëve, kërkon të blejë dëshmitarët, sesi kërcënohen me bukën e gojës dëshmitarët. Falënderoj kolegët e Partia Socialiste e Shqipërisë që me pyetjet e tyre menduan se po zhysnin në paqartësi prokurorinë. Konfirmuan se nuk bëhej fjalë vetëm për të pandehur, por janë dhe dëshmitarë që do të thirren nga SPAK, janë kontaktuar dhe janë intimiduar, përmes të fortëve, që prokuroria konfirmon nëse janë nën hetim dhe nga zyrtarët e lartë, pjesë e kabinetit të zv. kryeministres, duke i kërcënuar me shkarkim nga detyra. Avokatët e Belinda Balluku e ndihmuan këshillin që të merrte një vendim për miratimin e kërkesës. Ne mund të refuzojmë një kërkesë për heqjen e imunitetit për një deputet nëse çështja ka ngjyresa politike ose ndërhyrje politike, dhe avokatët e pyetur nga ne e konfirmuan që e konsiderojnë çështje ligjore dhe nuk kanë asnjë pretendim për ndërhyrje politike.

SPAK ka konfirmuar që hetimet kanë hyrë në një fazë intensive, që pritet të ketë sekuestrime të tjera të dokumenteve. Kundërshtuan edhe atë që tha kryeministri Edi Rama, që prokurorët i kanë marrë tani të gjitha provat. Prokurorët konfirmuan që kjo nuk është e vërtetë. Prokuroria konfirmoi që çështja që ndodhet në Kuvendi i Shqipërisë nuk ka lidhje me çështjen në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Pasi po përpiqeshin, asnjëri prej tyre nuk merrte dot fjalën për të thënë kush ishte qëndrimi i prerë. Njëri prej tyre u bë burrë dhe e tha qëndrimin, Rama përmes 5 anëtarëve vendosi të pengojë drejtësinë. Ata nuk ishin të gatshëm të votonin pro. Prokuroria foli sot për një dëm të rëndë ekonomik që i është bërë buxhetit të shtetit, flitet për miliona euro”, tha Gazment Bardhi.

Ora 15:30
Bardhi flet pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve: PS u kthye në mburojë për Ballukun, të fortët kanë kërcënuar dëshmitarët (po hetohet nëse kanë lidhje me krimin)

Gazment Bardhi ka folur pas mbledhjes së Këshillit të Imunitetit për rastin e Belinda Ballukut. Bardhu akuzoi kryeministrin Rama se kishte urdhëruar 5 anëtarët socialistë që të ktheheshin mburojë për Ballukun. Bardhi po ashtu zbuloi edhe qëndrimin e SPAK brenda në mbledhje, ku kërkojnë arrestimin e saj, ndërsa thanë se ‘të fortët’ kërcënuan dëshmitarët. Siç, Bardhi tha, prokurorët kanë deklaruar se janë duke hetuar nëse këta persona kanë ose jo lidhje me krimin.

"Asnjë surprizë, Rama kishte urdhëruar 5 anëtarët e tij që të bëheshin mburojë politike për të korruptuarën Balluku. Ajo që konfirmoi SPAK, është që situata penale ndaj Ballukut është rënduar së tepërmi krahasuar me masat e para që gjykata ka dhënë ndaj saj. Masa që në këtë moment të hetimit, nuk mbrojnë dot hetimin e paanshëm dhe të plotë nga prokuroria. Në momentin që ndaj Ballukut është kërkuar marrja e masave shtrënguese dhe ndaluese në GJKKO ajo rrezikonte një dënim që shkonte deri në 10 vite, sot që flasim nëse provohen të akuzat, balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Kjo tregon që jemi në situatë të rënduar.

Prokurorët në një dëshmi tronditëse, i kanë vendosur në dispozicion këshillit provat se si balluku përmes dy formave, forma e parë përmes të fortëve që ata po hetojnë, nëse bëhet fjalë për persona të krimit është në hetim, dhe rezervuan të drejtën për të mos dhënë detaje. Kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështjen balluku,. Dhe forma e dytë, përmes zyrtarëve të lartë publik, që së pari duke kërcënuar dëshmitarët se do t’i hiqnin nga puna ata që dëshmonin kundër ballukut, është nënë, edhe babanë. Dhe pasi kishin dështuar me kërcënimin i kishin ofruar para", tha Bardhi. 

Ora 15:28
Çështja ‘Balluku’, PS kundër kërkesës së SPAK për arrestimin: Masa e pezullimit nga detyra e mjaftueshme, të prezumohet pafajësia

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit për Imunitetin dhe Mandatet, Taulant Balla sqaroi se qëndrimi i 5 anëtarëve të PS është kundër kërkesës së SPAK duke thënë se ‘masa e pezullimit është e mjaftueshme’. Balla kërkon prezumimin e pafajësisë për Ballukun.

“Ka qenë një proces shumë i mirë ku, jo pa arsye, por me arsye të plota, Kuvendi i Shqipërisë ka marrë kohën e nevojshme, sa kohë që në këtë proces u përfshi edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Sot ka dalë në pah se Apeli i GJKKO pati pezulluar shqyrtimin e pezullimit, pasi po shprehej Gjykata Kushtetuese. Pyetjet e të gjithë deputetëve ndaj palëve përfaqësuese, si SPAK dhe avokatëve, mendoj që kanë hedhur dritë mbi shumë çështje që lidhen me elementin e Kushtetutës, prezumimin e pafajësisë. Në përfundim të këtij procesi, duke qenë se pala tjetër e kishte marrë vendimin para se të bëhej shqyrtimi, ndërkohë që në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve, kam informuar Këshillin e Mandateve, ne nuk ishim dakord me atë mënyrë sesi është propozuar. Do të keni një informim nga ana ime dhe anëtarëve të tjerë në një nga mbledhjet e para të grupit. Pas atij komunikimi, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, në përfundim të këtij procesi, sapo kolegu Ulsi Manja të ketë hartuar raportin në emër të pesëshes sonë. Masa e pezullimit besoj se është e mjaftueshme”, tha ndër të tjera Taulant Balla.

Ora 15:25
SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, PS e PD do dalin me dy raporte

PS dhe PD do të dalin me dy raporte për rastin e Belinda Ballukut. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve tha se masa e pezullimit për Belinda Ballukun është e mjaftueshme.

Raportin e socialistëve do ta hartojë kryetari i Komisionit të Ligjeve. Njëherazi edhe anëtar i Këshillit të Imunitetit. Ndërkohë, opozita do të hartojë raportin e saj, të cilat më pas i kalohen Kuvendit dhe votimi pritet të bëhet në seancën në e 5 marsit.

Ora 14:59
Këshilli i Mandateve për Ballukun, 5 anëtarët e PD: Seanca plenare të autorizojë SPAK për arrestin

1771844386_keshillimandatevepartiademokratike.jpg

Pesë anëtarët e PD në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, kërkojnë nga që të gjithë deputetët në parlament, të votojnë pro heqjes së imunitetit dhe hapjen rrugë Prokurorisë së Posaçme për të marrë të tjera masa ligjore.

“Përfundimisht, 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin, përfaqësues të opozitës, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit;

Rekomandojnë:

Deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e "Ndalimit të daljes jashtë shtetit" e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe "Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për znj. Belinda BALLUKU”, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal”, thuhet në qëndrimin e PD.

Ora 14:53
PS kundër arrestimit të Ballukut, Manja: Masat në fuqi, të mjaftueshme

1771854607_ulsimanja.jpg

Në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit, PS ka dalë kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut. Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi mëson se deputeti Ulsi Manja ka deklaruar se “masat që janë në fuqi tani ndaj znj. Balluku janë të mjaftueshme për nevojat e hetimit”.

Ora 14:12
Kreu i SPAK: Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg, të njëjtën vepër penale e ka kryer 9 herë

1771844178_prokuroretespak.jpg

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që po zhvillohet në kryesinë e Kuvendit, prokurorët e SPAK kanë deklaruar se Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg, raporton gazetarja e Report Tv Esiona Konomi.

Kreu i SPAK Klodian Braho: Në situatën kur i kërkuar masa e parë ndaj  znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë. Secila vepër dënohet me 4 vite. Me bashkim dënimesh ky është marzhi i veprës.

Ora 13:25
Çështja ‘Balluku’/ Manja pyet SPAK: Kush është intimiduar? Prokurorët: Dëshmitarë dhe të pandehur

1771843978_taulantballaulsimanjakeshilliimandateve.jpg

Anëtari i Këshillit të Mandateve Ulsi Manja i ka drejtuar prokurorëve të SPAK pyetje mbi deklaratat e tyre se Belinda Balluku, drejtpërdrejt dhe nëpërmjet palëve të tjera, ka kërcënuar dëshmitarë lidhur me çështjen e saj.

Ulsi Manja: Këto që janë kërcënuar janë dëshmitar apo të pandehur?

Prokuroria: Janë edhe të pandehur të tjerë, edhe persona dëshmitar qe s’janë të pandehur.

Manja: A janë sekuestruar të gjitha provat?

Prokuroria: Jo.

Ulsi Manja: Cili është mekanizmi përmes se cilës Balluku po prish provat pasi është e pezulluar.

Prokurori: Balluku është në detyrë. Mekanizmi, duke takuar vartësit.

Ora 13:12
Kërkohet arrestimi i Ballukut, SPAK: 'Disa të fortë' kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të saj, i është rënduar pozita

1771844178_prokuroretespak.jpg

Në mbledhjen e Këshillit të Mandatit po vijon shqyrtimi i kërkesës për arrestimin e Belinda Ballukut. Gjatë përgjigjeve që prokurorët e SPAK kanë dhënë për deputetin e PD, Gazment Bardhi, mësohet të kenë deklaruar se janë konstatuar fakte të tjera penale për Ballukun. “Gjendja e saj procedurale është rënduar, ka rrezik të prish prova dhe të kryejë krime të tjera”, mësohet të ketë deklaruar SPAK.

SPAK ka konfirmuar në mbledhje, se më datë 20 Nëntor 2025, Balluku ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Burime për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi bëjnë me dije se SPAK ka deklaruar në mbledhje se 'disa të fortë', kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të Ballukut. Sipas SPAK, kjo është e vërtetuar me transkripte të bisedave, të cilat ndodhen në 16 mijë faqet që prokuroria ka dorëzuar në Kuvend.

Sipas prokurorisë, Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokuroria.

“Hetimi nuk ka sfond politik. Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e Ballukut, të cilët u shprehen se nuk kanë ndonjë pretendim të këtij lloji”, mësohet të kenë deklaruar prokurorët e SPAK.

Ora 11:49
Avokati i Ballukut kërkon rrëzimin e kërkesës së SPAK: Të provohen pretendimet se rrezikon të prishë provat! S'është më në detyrë, zbatoi pezullimin

1771843946_ardiankaliaavokatiballukut.jpg

Avokati i Belinda Ballukut, Ardian Kalija i ka kërkuar prokurorisë të provojë pretendimet se Balluku rrezikon që të prishë provat hetimore përderisa kërkon zëvendësim të masës së sigurisë. Kalija thotë se Balluku ka zbatuar masën, nuk është paraqitur më në detyrë dhe ka dorëzuar dokumentet personale.

“Prokuroria ka detyrimin që të provojë kushtet që Belinda Balluku po tenton të largohet nga vendi në një kohë kur kërkon zëvendësimin. Ajo ka zbatuar masën dhe nuk është paraqitur në detyrë. Zonja ka dorëzuar menjëherë çdo dokument personal. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës”, tha avokati i Ballukut,  Ardian Kalija.

Ora 11:08
PD kërkoi mbledhje të hapur për Ballukun, Balla: Qesharake që kundërshtoni kërkesën e SPAK, mjerë Shqipëria për këtë opozitë

1771843739_Sequence23.00164508.Still013.jpg

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i është përgjigjur opozitës, e cila kërkoi mbledhje me dyer të hapura në Këshillin e Mandateve, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut. Balla i tha opozitës që është qesharake që kundërshton kërkesën e SPAK për mbledhje me dyer të mbyllura, ndërsa shtoi “mjerë Shqipëria për këtë opozitë.”

“Është e pakuptueshme dhe qesharake që PD kundërshton kërkesën e prokurorit për zhvillim me dyer të mbyllura, duke pranuar vetëm një pjesë të së njëjtës kërkesë; mjerë Shqipëria për këtë opozitë", tha Balla. 

Ora 10:39
Mblidhet Këshilli i Imunitetit për Ballukun, opozita kërkon mbledhje të hapur! Bardhi: Keni penguar për 2 muaj drejtësinë

1771843775_Sequence23.00191715.Still009.jpg

Mbledhja e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut po zhvillohet me dyer të mbyllura. Opozita kërkoi që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura. Gazment Bardhi tha se mbledhja mund të mbyllej vetëm kur prokurorët e SPAK ta shihnin të arsyeshme, kur të cenohej sekreti hetimor. 

“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshiheni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje” - mësohet të jetë shprehur Gazment Bardhi.

Bardhi ka ngritur shqetësimin për zvarritjen për më shumë se 2 muaj të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Zëvendëskryeminsitres Belinda Balluku.

“Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren”- është shprehur Bardhi. 

Ora 09:52
Mbërrijnë në kryesinë e Kuvendit prokurorët e SPAK, përveç avokatit Kalija, Balluku do të përfaqësohet dhe nga e motra

 

Në kryesinë e Kuvendit ka mbërritur kreu i SPAK Klodian Braho së bashku me dy prokurorët që kanë në dorë çështjen e Belinda Ballukut, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Gjithashtu në Kuvend ka mbërritur dhe motra e Belinda Ballukut, Palema Qirko në cilësinë e avokates. Pra Balluku në Këshillin e Mandateve, do të përfaqësohet dhe nga Pamela Qirko përveç avokatit Ardian Kalija.