Zonja Topalli pati kërkuar që në 2 Prill të nisnin protestat e pandashme opozitare, ndërsa Basha po zbatonte një strategji tjetër. Gjithsesi, zonja Topalli e ka justifikuar mungesën e prezencës, pasi dje ka marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Paris. Nga ana tjetër, mungesa e Topallit është theksuar nga një tjetër mungesë, ajo e Sali Berishës, liderit historik të Partisë Demokratike. Berisha mori pjesë dje në konferencën ndërkombëtare për dialogun ndërfetar në Lugano. Ndërkaq, në ceremoni morën pjesë përfaqësues të Partisë Demokratike si Edi Paloka, Astrit Patozi, Genc Ruli, Jorida Tabaku, Gerti Bogdani etj., por, ra në sy mungesa e Majlinda Bregut, e cila në mbledhjet e javëve të fundit të PD, ka qenë mjaft kritike ndaj kryetarit të PD. Në ceremoni munguan gjithashtu figurat historike të PD, duke nisur që nga Besnik Mustafaj, Preç Zogaj etj.
As protestë, as homazh
Demokratët patën paralajmëruar një protestë të fuqishme ditën e djeshme në Shkodër, në kuadër të 25-vjetorit të ngjarjeve të 2 Prillit, me qëllim për t’i dhënë një mesazh qeverisë. Gjithsesi, aktiviteti i djeshëm nuk ishte as protestë, por as homazh, por një ceremoni e ndërmjetme. Megjithatë, partia më e madhe në opozitë, pas aktivitetit të djeshëm, do të nisë një aksion të ri politik, tashmë për prezantimin e programit politik.
Basha për vrasjet
Kryetari i opozitës, gjatë fjalës së tij, u shpreh se vrasjet e 2 Prillit nuk ishin aksidentale, por hakmarrje e partisë-shtet. “Sot e dimë mirë se vrasja e Arbenit Brocit, Bujar Beshanakut, Besnik Cekës dhe Nazmi Kryeziut nuk ishte një aksident, por një shfrim hakmarrës i partisë-shtet dhe instrumenteve të saj të dhunës- Sigurimit famëkeq dhe policisë së politizuar deri në palcë -për humbjen e thellë këtu në Shkodër të zgjedhjeve të para shumëpartiake me 31 mars 1991”, u shpreh Basha. Sipas tij, vrasjet ishin një shpërthim i vetvetishëm dhe njëkohësisht i programuar i dhunës kriminale që buron nga vetë natyra e regjimeve shtypëse, nga shpirti i prishur në gen i drejtuesve me mendësi sundimtari.
Ish-kryehetuesi Qemal Lame
Ish-kryehetuesi i regjimit komunist Qemal Lame ka deklaruar se urdhri për vrasjet e 2 Prillit, ishte dhënë jashtë Shkodrës. “Policia ishte ekzekutorja e urdhrit. Autorët e dhënies së urdhrit për këtë masakër nuk ishin në Shkodër. Hetuesia duhej të ndeshej me pushtetin e autorëve, që kishin drejtimin e shtetit dhe vendosnin direkt për fatin e hetuesve.
Detyra për hetimin ishte shumë e vështirë dhe përbënte provën dhe sfidën më të madhe të drejtësisë ndaj krimit të organizuar shtetëror të realizuar brutalisht dhe publikisht”, ka deklaruar ai. Qemal Lame ka shtuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka bashkëpunuar për zbardhjen e ngjarjes.
“Kërkohej të vepronim me zgjuarsi dhe të gjitha mundësitë për zbatimin e ligjit dhe realizimin e drejtësisë në emër të popullit. Isha i vendosur të realizoja detyrën. Ministria e Punëve të Brendshme nuk na dha të dhëna sipas ligjit dhe sipas kërkesës sime direkte. I vetmi informacion në hetuesi mbetej njoftimi në televizion si për gjithë opinionin publik. Qëndrimi i përbashkët i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial”, ka deklaruar ai.