SHKODËR- Një shtëpie dy katëshe i është vendosur një sasi e konsiderueshme lënda shpërthyese artizanale në Shkodër.

Ngjarja ka ndodhur në njësinë administrative Grudë e Re në banesën e Mark Markut në orët e para të mëngjesit. Lënda shpërthyese është vendosur gjatë natës në banesë dhe shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm saqë ka shkatërruar një pjesë të shtëpisë, siç mund ta shikoni në këto foto.

Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se fillimisht gjatë natës autorët kanë shkëputur energjinë elektrike. Kryefamiljari Mark Marku ka dëgjuar zhurma në oborr dhe doli për të parë. Më pas ai ka shkuar përsëri në dhomën e tij në katin e dytë dhe pikërisht në këtë moment ka shpërthyer lëndë plasese. Mark Marku, bashkëshortja e tij dhe një person tjetër kanë dalë me shpejtësi nga shtëpia dhe kanë lajmëruar policinë.

Nga shpërthimi janë dëmtuar tërësisht disa dhoma të katit të parë, ndërkohë që janë shkatërruar dyert dhe dritaret. Ndërkohë pak momente pas shpërthimit kryefamiljari ka gjetur edhe një thasë tjetër me lëndë plasëse, e cila nuk kishte shpërthyer.

Një thasë me tritol ishte vendosur te dera e shtëpisë, ndërsa tjetri në kolonën kryesore të banesës. Sipas dëshmisë që ka dhënë në Polici, familja Marku ka thënë se nuk ka konflikte me ndonjë person. Policia dyshon se shkak i tritolit mund të jenë 3 djemtë e tij që jetojnë në Itali, ndërkohë që po vijojnë hetimet. 

[gallery]20913[/gallery]

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)