Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian kërkon që pushteti vendor të jetë më i fortë ekonomikisht dhe t’i shërbejë qytetarëve sipas standardeve evropiane, prandaj edhe qeveria i ka kthyer më shumë sytë nga bashkitë dhe përgatitja e tyre thotë Demo, Ministri i Pushtetit vendor.

Gjatë një konference për shtyp, Ministri Demo foli në terma konkret për mbështetjen me financim shtesë, kryesisht në përballimin e emergjencave civile dhe transportit urban.

“20 mln euro do të jenë të fokusuara në logjistikë sa u përket infrastrukturës së emergjencave. Kemi financim prej 10 mln eurosh që do të jetë i fokusuar në një program të ri për përmirësimin e transportit urban, i cili problematikat po i nxjerr më shumë në pah”, tha Demo.

Qeveria parashikon edhe një bonus për zjarrfikësit që janë në vijën e parë të përballjes me zjarret.

“Shumë shpejt do të dalim me një paketë mbështetëse për ata që janë në vijën e parë. Bonusi i zjarrfikësve do të shpërndahet për të gjithë ata që luftojnë me zjarret gjatë sezonit. Më parë e kemi shpërndarë në fund të sezonit”, shtoi ai.

Demo nuk i shpëtoi as pyetjes për protestën, por qëndrimin e qeverisë për të e kishte të qartë: Kërkesat e protestueseve do të shqyrtohen.

“Vetë protesta në 36 ditë ka pësuar një metamorfozë shumë interesante sepse zgjodhi simbolet për të komunikuar disa mesazhe, ku i pari ishte flamingo. Pas 36 ditësh, nga flamingo na u shfaq një arkivol. Ky është një rrugëtim interesant. Nëpërmjet vdekjes s’mund të perceptohet zhvillim. Referuar kërkesave, jemi duke marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat që janë të qenësishme”, tha Demo.

I pyetur për komisionin e reformës territoriale, i cili rrezikon të mos dalë me një produkt të finalizuar brenda 15 korrikut, e me që me gjasë do të shkojë në zgjatjen e afatit, Demo tha se brenda muajit tetor panorama do të jetë më e qartë nëse zgjedhjet e ardhshme vendore do të mbahen me një hartë të re administrative-territoriale, apo me ndarjen aktuale.

P.J/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Korrik, 10:41

    Sipas jush, protesta te Kuvendi a ka qenë e dhunshme nga ana e protestuesve?