Këshilli i Ministrave, vendoi gjatë mbledhjes së sotme miratimin e një shtese fondi në buxhetin e vitit 2014, miratuar për aparatin e Kryeministrisë.

Më poshtë vendimi i plotë i KM:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, të neneve 10 e 13, të ligjit nr.185/2013, "Për buxhetin e vitit 2014", me propozimin e Kryeministrit , Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Aparatit të Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në programin "Planifikim, menaxhim, administrim", t'i shtohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh, në zërin "Shpenzime korente", për funksionimin e grupit Task-Forcë "Për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore, në kuptim të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, "Për pronat e paluajtshme të shtetit", të ndryshuar".
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondi i kontingjencës për vitin 2014.
3. Ngarkohen Kryeministria dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare". /ATSH/