Pasi selia e Partisë Demokratike u kthye në strehë për protestuesit e maskuar që sulmuan policinë me molotovë, Sali Berisha u ka dërguar një mesazh strukturave të partisë.
Berisha pretendon se ka dështuar një skenar i kryeministrit Edi Rama për të nxitur sulme ndaj selisë së PD-së. Berisha del hapur në mbështetje të selisë, duke nxitur nesër edhe protesta para komisariateve.
Mesazh i plotë
Për Kryesinë e PD, drejtuesit politikë të qarqeve, deputetët, kryetarët e degëve, anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike.
Përshëndetje,
Mosbindja civile njohu sot përmasa të reja. Skenari i regjimit për të shmangur sulmet ndaj Kryeministrisë, duke i zëvendësuar ato me sulmin ndaj Selisë së PD dhe PS (de fakto ndaj PD), ndonëse e kishin marrë përsipër çirakët e tij në revoltë, dështoi me turp. Protestuesit refuzuan vendosmërisht të sulmonin selinë e PD.
Mottoja e ditës së nesërme duhet të jetë solidaritet: solidaritet kombëtar me revoltën studentore në Tiranë.
Nesër është me rëndësi shumë të madhe të mbështetet masivisht greva e përgjithshme e universiteteve dhe shkollave të mesme në të gjitha qytetet dhe degët e PD. Së bashku me të rinjtë, të hidhen në protestë para bashkive të partisë së krimit, komisariateve dhe prefekturave të gjithë anëtarët, mbështetësit tanë dhe qytetarët!
Përshëndetje të përzemërta, me respekt,
Sali Berisha
Lajmi kryesor:
Protestuesit me maska përdorin zyrat e PD si strehim për të sulmuar policinë me molotovë, Berisha: Janë të mitur, ne do t'i mbrojmë! Policia: U futën për t’i shpëtuar kapjes! Rrezikohet edhe operatori i Report Tv (VIDEO)







