20 Shkurti u kthye në një orë historie ndryshe për nxënësit e shkollës jopublike TES (Tomorrow Education School). Në vend të një mësimi klasik, ata panë dokumentarin “Ana tjetër e Valiasit” dhe më pas diskutuan për jetën në internim gjatë diktaturës komuniste.

Data e 20 shkurtit 1991 njihet si momenti kur në Tiranë u rrëzua statuja e Enver Hoxhës, një akt që u kthye në simbol të rënies së diktaturës në Shqipëri. Ajo ditë mbetet një nga pamjet më të forta të fundit të regjimit komunist.

Aktiviteti u zhvillua nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në kuadër të kalendarit “Udha e kujtesës”. Dokumentari, prodhim i vitit 2025, sjell historitë e mijëra shqiptarëve të dënuar me internim në kampin e Valiasit dhe kampe të tjera të kohës.

Para nxënësve foli edhe Vilma Mirakaj, e lindur dhe e rritur në internim, e cila tregoi për jetën në izolim, vuajtjet dhe qëndresën e familjeve që u dënuan padrejtësisht.

Gjatë takimit u prezantuan edhe libra me këtë temë, të përgatitura për arsimin parauniversitar, pjesë e platformës “Mësojmë nga e Kaluara 1944–1991”. Botimet iu shtuan bibliotekës së shkollës dhe pritet të përdoren si materiale bazë në orët e historisë.

Kampi i Valiasit ishte një nga kampet e internimit ku përfunduan qindra familje që regjimi komunist i quante “të deklasuara”. Burra, gra dhe fëmijë u detyruan të jetonin dhe të punonin në kushte të rënda, nën mbikëqyrje të vazhdueshme.

Shumë prej të internuarve punonin në minierën e qymyrgurit, pa kushte sigurie dhe me orë të gjata pune. Fëmijët u rritën brenda telave të kampit, me shkollim të kufizuar dhe jetë të izoluar. Ushqimi dhe kujdesi shëndetësor ishin minimalë, ndërsa frika ishte pjesë e përditshmërisë.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, kampi u mbyll, por dëshmitë e atyre që jetuan aty nxorën në dritë realitetin e ashpër të internimit. Sot, Valiasi përmendet si një nga simbolet e vuajtjeve që përjetuan familjet e dënuara gjatë diktaturës.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Shkurt, 08:56

    A është vlerësim për Shqipërinë pjesëmarrja në Bordin e Paqes?