20 vjet emigrcion, një pasuri
për Shqipërinë e Italinë

Në seminarin e organizuar nga INAS, RAT, AGORÀ dhe FAI CISL, që zhvillohet sot në Tiranë, del në pah një panoramë e qartë e pranisë shqiptare në Itali. Statistikat dhe analizat përkatëse – të përpunuara e të përgatitura nga studiuesi Rando Devole – i referohen periudhës deri në 1 janar të vitit 2011, praktikisht të dhënat e fundit që disponohen për emigracionin.

Aktualisht jetojnë në vendin fqinjë plot 482.627 shtetas shqiptarë, të cilët rezultojnë rezidentë. Prej këtyre 223.275 janë femra dhe 259.352 meshkuj. Nëse shikojmë shpërndarjen e tyre në territorin italian, vihet re natyrisht një përqendrim më i madh në ato krahina italiane ku edhe kushtet ekonomike, dhe si rrjedhojë mundësitë e punësimit janë më të mëdha. Lider për sa i përket pranisë shqiptare është rajoni i Lombardisë (me kryeqendër Milano) ku jetojnë rreth 100 mijë shqiptarë, duke vijuar më tej me Toskanën ku jetojnë mbi 68 mijë, Emilia Romanja me 60 mijë, Piemonte dhe Veneto në distancë të afërt, përafërsisht me rreth 45 mijë e 42 mijë shqiptarë. Një prani simbolike në pamje të parë, por sidoqoftë domethënëse, gjendet edhe në ato krahina italiane që shpesh merren si shembull nënzhvillimi edhe vetë në Itali. Në Sicili për shembull jetojnë plot 7 mijë shqiptarë, ndërsa në Kalabri rreth 2.700.

Duke ju referuar të dhënave të vitit 2010/2011 konstatohet që shqiptarët janë të integruar në tregun e punës të vendit fqinjë. Kemi rreth 220 mijë të punësuar dhe pothuajse 24 mijë sipërmarrës, çka tregon dinamizmin e depërtimin në sektorin prodhues. Megjithatë, nga studimi i të dhënave të punës, bie menjëherë në sy se numri i punonjësve shqiptarë ka pësuar rënie këto dy vitet e fundit. Edhe shpërndarja sipas sektorëve përmban surpriza. Gjithsesi, ulja i detyrohet krizës ekonomike, ecurisë së tregut të punës e masave për menaxhimin e hyrjeve të reja të punonjësve të huaj.

“Rivizatimi i hartës së punës së shqiptarëve në Itali – shprehet sociologu Rando Devole – mundëson jo vetëm njohjen më të mirë të dukurisë migratore, në një moment kritik të situatës ekonomike globale, por lejon vlerësimin e aspekteve të tjera të rëndësishme si integrimi dhe stabilizimi. Pa një hartë të tillë, askush nuk mund të përcaktojë veprime efikase, programimi, mbrojtjeje e asistence, në të dyja brigjet e detit, në favor të qytetarëve shqiptarë. Njohja e punës së tyre – vazhdon Devole – është e dobishme sa në vendin ku kanë emigruar, aq edhe në vendlindje. Puna është e lidhur ngushtë me integrimin, me kompetencat profesionale, me dërgesat financiare e aspekte të tjera të rëndësishme, nënvleftësimi i të cilave do të ishte i rëndë veçanërisht në kohë krize”.

Shqiptarët e Italisë nuk kontribuojnë vetëm në ekonominë italiane, me punën e tyre të përditshme, por ndërhyjnë në mënyrë “indirekte” edhe në atë shqiptare, nëpërmjet dërgesave monetare për të afërmit në atdhe. Në vitin 2010, nga Italia kanë mbërritur në Shqipëri, vetëm nëpërmjet kanaleve zyrtare, gati 136 milion euro.

Një tjetër shifër, që tregon se ka ende punë për të bërë, për mbrojtjen e emigrantëve, është ajo e aksidenteve në punë, problem ky që për fat të keq i prek shpesh punonjësit e huajt. 12 mijë shqiptarë janë lënduar në vendin e punës gjatë 2010-s dhe në 25 raste ky aksident ka qenë vdekjeprurës. Sindikatat italiane kanë kohë që e kanë ngritur zërin për këtë problem të madh shqetësues, sidomos për emigrantët, duke kërkuar masa të menjëhershme për mbrojtjen e tyre.

Shkollat janë një tjetër fushë ku prania shqiptare është domethënëse. 35 mijë nxënës me shtetësi shqiptare frekuentojnë shkollën fillore dhe 21 mijë atë tetëvjeçare. Shqiptarët në Itali qëndrojnë mbi mesataren e fëmijëve për familje, nëse e krahasojmë me atë italiane. Në fakt, kemi 22 mijë fëmijë që janë të regjistruar në kopshte. Natyrisht, në këtë numër nuk rezultojnë fëmijët e paregjistruar, meqenëse kopshti nuk është i detyrueshëm. Në klasat e shkollave të mesme, ndërkohë, ulen 23 mijë nxënës me pasaportë shqiptare.

Kategoria e studentëve, që përfshin edhe ata që vijnë në Itali posaçërisht për studime, e jo vetëm emigrantët e mirëfilltë ose fëmijët e tyre, përmban 12 mijë studentë shqiptarë, prej të cilëve 2.057 të sapo regjistruar në vitin e parë. Në vitin 2010, të cilit i referohen statistikat më të përditësuara, janë diplomuar në universitetet italiane 1.349 studentë shqiptarë.

Nga analiza e lejeqëndrimeve del se 219 mijë shqiptarë janë të martuar, ndërsa 212 mijë janë beqarë. Ndërsa një tregues tjetër i rrënjosjes dhe i stabilizimit të emigracionit shqiptar në Itali, ai i marrjes së shtetësisë italiane, na thotë se në vitin 2010 kanë marrë pasaportë italiane 5.628 shqiptarë, trend ky në rritje, duke pasur parasysh kohëgjatësinë e emigracionit shqiptar.

Pyetjet që kanë të bëjnë me emigracionin janë të shumëllojshme. Sa janë shqiptarët që jetojnë në Itali? Ku punojnë? Në cilët sektorë? Çfarë bëhet për mbrojtjen e të drejtave të tyre? Si është zhvilluar në kohë prania e tyre në territor? Sa ndikojnë në ekonominë shqiptare? Cila është gjendja civile e shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinjë? Po ndarja sipas gjinisë? Sa të mitur ka? Sa prej tyre ndjekin shkollat përkatëse? Cilat janë politikat që ndjek shteti italian në fushën e imigracionit? Po qeveria shqiptare çfarë strategjie po ndjek në lëmin e emigracionit? Çfarë imazhi kanë bashkatdhetarët tanë në Itali? Cilat janë perspektivat e ardhshme të emigrantëve shqiptarë?

Emigracioni shqiptar është univers jo shumë i njohur, sikurse rëndësia e tij në rrafshin shoqëror, ekonomik e politik, si për Italinë ashtu edhe për Shqipërinë. Për më tepër kemi të bëjmë me një dukuri në transformim të vazhdueshëm, çka e bën vëmendjen ndaj tij të domosdoshëm, duke filluar nga institucionet dhe shoqëria civile.

Vetë bashkëpunimi midis promovuesve të nismës për emigracionin shqiptar, duke filluar nga patronati italian INAS, shoqata e shqiptarëve në Toskanë RAT, e deri tek shoqata shqiptare AGORÀ e sindikata italiane FAI CISL, dëshmon se vetëm sinergjia ndërmjet institucioneve, organizmave të ndryshme dhe shoqërisë civile mund ta përballë sfidën e madhe të migrimit, duke mos harruar se pas numrave dhe statistikave qëndrojnë gjithnjë njerëzit, me të drejtat e dinjitetin e tyre.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Vota e diasporës/ Celibashi jep detajet: Ja si funksionon regjistrimi! Asnjë votues nuk penalizohet, mund të riaplikojnë disa herë nëse kërkesa u refuzohet

Vota e diasporës/ Celibashi jep detajet: Ja si funksionon regjistrimi! Asnjë votues nuk penalizohet, mund të riaplikojnë disa herë nëse kërkesa u refuzohet