Edhe ky vit, ishte i ‘super lekut’. Euro dhe dollari prekën vlerat më të ulëta historike në tregun e këmbimit valutor, ndërsa leku u fuqizua edhe më shumë. Tkurrja e euros ishte e pashmangshme këtë vit edhe pse Banka e Shqipërisë i përshpejtoi ndërhyrjet në treg duke blerë euro.
Për shkak të zhvlerësimit të fortë të euros këtë vit, Banka e Shqipërisë ka blerë gjatë 9 muajve afro 542.3 milionë euro, ku 313.7 prej tyre u tërhoqën jashtë ankandeve zyrtare vetëm për të frenuar rënien e euros.
Vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit që përkon me fluksin e turistëve të sezonit veror që shtojnë edhe sasinë e euros në treg, Banka thotë se ka blerë 270.50 milionë euro, nga të cilat janë blerë 176.10 milionë euro për të ndalur zhvlerësimin e euros dhe 94.4 milionë euro me qëllim rritjen e rezervës valutore. Por përtej këtyre blerjeve euro në korrik-gusht-shtator, preku vlerat më të ulta, duke zbritur nën 100 lekë.
Deri në fund të vitit 2024-ës plani i bankës ishte që përmes ankandeve për të shtuar rezervën valutore të blinte deri në 330 milionë euro, por për shkak të zhvlerësimit të fortë të euros ndërhyrjet në treg janë shtuar ndjeshëm.
Për të frenuar një dobësim tjetër të monedhës evropiane por më shumë për të rritur rezervën valutore në vitin 2025, Banka e Shqipërisë do të shtojë ankandet për të tërhequr euro nga tregu në raport me këtë vit.
Në kalendarin e ndërhyrjeve për vitin e ardhshëm, banka ka planifikuar 22 ankande, me synim blerjen e 350 milionë euro për të rritur rezervën valutore, rreth 20 mln euro më shumë se plani i këtij viti. Të gjitha ankandet janë midis vlerave 5-10 milionë euro.
Ndërhyrjet e para në treg do të bëhen në 17 shkurt 2025, ku do të kërkohet të blihen deri në 10 milionë euro, dhe kalendari i ankandeve planifikohet të mbyllet më 19 dhjetor 2025. Blerjet më të mëdha të euros do të bëhen në pranverë dhe në vjeshtë.
Nuk i dilet superlekut duke blere parate qe vijne te fshehura nen sediljet e autobuzeve e fundet e dyfishta te valixheve.Kjo me kujton nje rast kur po beja popcorns ne microwave dhe ndersa perpiqesha t'i nxirrja nga pakoja u gjenda ne nje gare te humbur me tim ate qe po i hante pa u lene shans as mua t'i nxirrja,as te tjeret ne familje qe t'i shijonin.E bera kete krahasim figurativ ne pamje te pare pa lidhje me rastin e mesiperm,por eshte mjaft domethenes sepse banka i ka hyre nje lufte /popcornash/pa sukses me blerjen e valutes se huaj,sepse parate qe pastrohen e nuk deklarohen do te vazhdojne te permbytin tregun e banken bashke,po nuk ndermorri qeveria politika me te ashpra per deklarimin e parave e origjines se tyre.
PërgjigjuShume i bukur komenti. Edhe paralelizmi gjithashtu. Normalisht secili nga ne e dime qe ai lek qe vjen nuk eshte "i shendetshem", nuk e di se cilat jane pasojat afatgjate te kesaj qe po ndodh. Do doja qe ky raporim me lart, te detajoje edhe analizoje thelle, shumica e keture raportimeve lene per te deshiruar nuk ndjehem e informuar.