Miliona euro përfitime nga anëtarësimi në SEPA, Sejko thirrje bankave: Plotësoni kushtet që të bëheni pjesë e sistemit evropian, investoni në inovacion

Anëtarësimi në SEPA ishte vetëm hapi i parë drejt një rruge të gjatë që kërkon investime dhe përkushtim nga institucionet financiare në vend. Nuk mjafton vetëm anëtarësimi për të ulur kostot dhe për të bërë transferta e pagesa në kohë reale jashtë vendit, pasi bankat duhet të plotësojnë kushtet për tu bërë edhe ato pjesë e skemave të Sistemit Evropian të Pagesave.

“Unë sot gjej rastin t’ju nxis të nisni përgatitjet me rigorozitet dhe përkushtim për të respektuar afatet e rregullores përkatëse, në mënyrë që të realizoni aderimin në skemat SEPA dhe kryerjen e transaksioneve SEPA për klientët brenda vitit të ardhshëm”, u shpreh Sejko.

“Teknologjia dhe vështrimi drejtë të ardhmes është një perspektivë shumë e mirë edhe për sistemin bankar. Na presin shumë punë për të vënë në shërbim të sistemit dhe bizneseve të gjitha lehtësitë që do të përfitoni nga anëtarësimi në SEPA”, u shpreh Zëvendësguvernatorja e Parë Luljeta Minxhozi.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ju bën thirrje bankave të investojnë më shumë drejt digjitalizimit dhe të bëjnë të mundur që edhe hapja e një llogarie apo marrja e një kredie të jetë në distancë.

Banka e Shqipërisë inkurajon bankat të jenë sa më të orientuara drejt projekteve inovative, që synojnë ofrimin dhe rritjen e volumit të shërbimeve bankare në distancë, e veçanërisht atyre me impakt të drejtpërdrejtë në lehtësimin e përfshirjes së parë financiare, ose e thënë më thjesht, hapjes së një llogarie bankare në distancë. Investimet në këto iniciativa sjellin përfitime të dyanshme, si për bankat, ashtu edhe klientët dhe publikun në përgjithësi, në drejtim të uljes së kostove, kursimit të kohës dhe rritjes së kënaqësisë së klientëve, edukimit dhe zhvillimit të konsumatorëve, por edhe optimizimin e proceseve të punës”, tha Sejko.

Guvernatori tha se po shqyrtohen edhe disa aplikime të tjera në fushën e Open Banking pas licencimit të institucionet të parë të parasë elektronike në vend në muajin nëntor.

“Në proces shqyrtimi janë edhe aplikimet e një sërë subjektesh të tjera, për ushtrimin e veprimtarisë së bankingut të hapur. Banka e Shqipërisë nxit institucionet financiare të aplikojnë për licencën në fushën e bankingut të hapur, me qëllim krijimin e një vlere të shtuar për qytetarët shqiptarë në përditshmërinë e tyre financiare”, tha Sejko.

Anëtarësimi në SEPA, Open Banking dhe pagesat e shpejta ishin në qendër të diskutimeve gjatë mbledhjes së 10-të të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Vetëm anatarëisimi në SEPA, biznese e qytetar përfitojnë 20 milionë euro në vitin e parë pasi ulen kostot e komisioneve dhe ulet koha për të bërë një pagesë apo transfertë.

“Në radhë të parë, ky anëtarësim do t’u kursejë aktorëve ekonomikë rreth 20 milionë euro vetëm gjatë vitit të parë, si rezultat i uljes së komisioneve. Së dyti, krijimi i një ambienti mbështetës për sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si tregtia do të lehtësojë transaksionet me partnerët tanë kryesorë evropianë dhe do t’u japë akses bizneseve shqiptare në një treg prej 500 milionë banorësh. Së treti, ndikim të rëndësishëm pritet të ketë edhe në sektorin e turizmit, si dhe në dërgesat e emigrantëve dhe investimet direkte, të cilat kanë një kontribut domethënës për ekonominë shqiptare”, tha Sejko.  

Shqipëria u bë pjesë e SEPA më 21 nëntor të këtij viti pas vendimit që mori Këshilli Evropian i Pagesave, ndërkohë që aplikimi u dorëzua nga Banka e Shqipërisë më 13 qershor të këtij viti.

E.Gj/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Meloni: Gjykata e Kasacionit na dha të drejtë, qendrat e emigrantëve në Shqipëri janë gati

Meloni: Gjykata e Kasacionit na dha të drejtë, qendrat e emigrantëve në Shqipëri janë gati