TIRANE - Prokuroria kërkon dënimin me 23 vjet burg për ish-komandantin e gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe  25 vjet burg për gardistin  Agim Llupon dhe heq dorë nga akuzat për Margarit Kumen, ish-shoferin e Prendit.

Sot në Gjykatën e Tiranës Prokurorët për rreth një orë e gjysmë lexuan pretencën për të akuzuarit e vrasjeve të 4 protestuesve në demonstratën e 21 janarit 2011 para Kryeministrisë dhe më pas  fjalën e mori i pandehuri Ndrea Prendi.  Sipas Prokurorisë Ndrea Prendi akuzohet për vrasje me dashje të protestuesit nga Fieri, Faik Myrtajt ndërsa Agim Llupo akuzohet për vrasjen me dashje të protestuesit Ziver Veizi dhe Hekuran Deda.

Prokuroria heq dorë nga kërkesa për dënimin e ish-shoferit të Prendit, Margarit Kumen, pasi nuk u provua se ai kishte dijeni për ndryshimin e armës së ish-eprorit.

Në seancën e sotme që zgjati rreth 4 orë e gjysmë, Prokurorët Adriatik Camaj dhe Blerim Tominaj lexuan 56 faqe pretencë, duke risjellë skenën e demonstratës dhe vrasjeve të 21 janarit. Përfaqësuesi i organit të akuzës, deklaroi se gardistët kanë qëlluar drejt turmës, e cila nuk qëlloi me armë por dhunuan gardistët me mjete rrethanore. 4 viktimat u vranë jashtë rrethimit, çka do të thotë se ata nuk përbënin asnjë rrezik. Ndërsa Ndrea Prendi tha se kishte zbatuar vetëm ligjin dhe akuzoi Prokurorinë për shantazh dhe se nuk kishte shtënë drejtpërdrejt por në ajër. Në seancë ishin të pranishëm dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe Avokatit të Popullit.

Në përfundim të seancës së sotme trupi gjykues vendosi datën 6 shkurt për të dëgjuar avokatin mbrojtës të Ndrea Prendit, i cili do të paraqesë të gjitha provat juridike në favor të klientit të tij.

Pas përfundimit të seancës ku do të paraqiten dhe provat e avokatit të Prendit, Genci Gjokutaj, pritet që dhoma penale e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës të japë verdiktin përfundimtar për dënimin e kërkuar nga akuza për dy të pandehurit Agim Llupo dhe Ndrea Prendi.

DESHMIA E PRENDIT: UNE ZBATOVA LIGJIN 

Në orën 12:40 Ndrea Prendi mori fjalën para trupit gjykues duke thënë se ishin “provokuar dhe dhunuar nga demonstruesit”. "Ngushëlloj familjet për viktimat. Pasi dola nga spitali, natën e 21 janarit nga media mësova për viktimat"- tha Prendi.

Ai akuzoi organin e akuzës se hetoi vetëm gardën dhe harroi ata që dhunuan dhe rrezikuan jetën e gardistëve dhe Kryeministrit. “Nuk e kuptoj si Prokuroria më bëri me dije arrestin me burg ndërsa unë isha në detyrë. Kam kryer detyrën bazuar në ligjin për Gardën dhe përdorimin e armëve. Më 21 janar isha në detyrë me uniformë dhe demonstruesit na rrezikuan jetën. Nuk kam qenë në oborrin e Kryeministrit për të vrarë njerëz. Akuzohem vetëm se kam kryer detyrën dhe nuk e braktisa në asnjë çast”- tha Prendi duke shtuar se ishte i interesuar për të zbardhur të vërtetën.

Ai akuzoi prokurorinë se “fabrikoi prova për ta sulmuar." Prendi tha se nuk pranonte akuzën e vrasjes me dashje, "pasi më 21 janar nuk pati hetim, prandaj Prokuroria s'mund të ketë akuzë. Akuza se kam vrarë njerëz me dashje dhe kam shpërdoruar detyrën nuk qëndron”.

PRENDI: PROKURORET SHANTAZH, NUK KAM DHENE URDHER TE QELLOJNE
Në vazhdim të seancës ora 13: 30 Prendi akuzoi prokurorët për shantazh me orë të tëra dhe se ai nuk kishte qëlluar drejtpërdrejt. "Na kërcënuan për të thënë atë që donin ata. Asnjë efektiv i gardës nuk është thirrur si dëshmitar nga Prokuroria. S'kam marrë dhe s’kam dhëmë asnjë urdhër për të qëlluar. Çdo veprim ka qenë në planin e masave dhe në bazë të ligjit".

”Garda qëlloi në ajër dhe asnjëherë drejtpërdrejt, edhe pse ligji na lejonte të qëllonim. U plagosën 80 gardistë. U dëmtua dritarja e blinduar e zyrës së Kryeministrit. Na sulmuan me automjet vdekjeprurës ndërsa Prokuroria s'i mori për bazë. Se kam mohuar që kam qenë i armatosur. Akuza përdori ekspertizën amerikane për të ngritur prestigjin e saj"- tha Prendi. 

PRETENCA E PROKURORISE

Sipas Prokurorisë Ndrea Prendi akuzohet për vrasje me dashje të Faik Myrtajt, ndërsa Agim Llupo akuzohet për vrasjen me dashje të Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Sipas Prokurorisë gardisti Agim Llupo dhe shefi i tij Ndrea Prendi qëlluan me vetëdije të plotë mbi turmat dhe se Prendi provohet se ka dhënë një urdher virtual per vartësit.

Akuza tha se më 21 janar Prendi ka qenë prezent në sektorin verior të Kryeministrisë, duke qëlluar me pistoletë.

Gjatë leximit të pretencës thuhet se “Nga predhat e gardës u vranë 3 shtetas, u plagosën 7, mes të cilëve Aleks Nika. Në oborrin e Kryeministrisë u gjendën mbi 500 gëzhoja ndërsa turma nuk qëlloi me armë. Prokuroria nënvizoi se të shtënat nga Agim Llupo dhe Ndrea Prendi ishin në shkelje me ligjin. Ndrea Prendi ndërroi tytat e pistoletave dhe dëmtoi majën e gjilpërës për të fshehur lidhjen me veprën kriminale".

Lidhur me shoferin e Prendit thuhet se Margarit Kume ka marrë armatimin e Prendit dhe i ka transportuar. Kume nuk ka qëlluar dhe ka vepruar në besim për eprorin.

Prej dt.23 maj 2012 janë zhvilluar 38 seanca, ndërsa më 16 janar 2013 u mbyll shqyrtimi i provave dhe dëshmive dhe sot u paraqitën konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë. Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj janë katër protestuesit, të cilët mbetën të vrarë ndërsa dhjetëra u plagosën. Të pandehurit janë ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, shoferi i tij Margarit Kume dhe ish-gardisti Agim Llupo. Llupo është i vetmi që ndodhet në burg deri tani, pasi Prendi dhe Kume gjykohen nën masën e arrestit në shtëpi.