21 Janari/ Si e shantazhoi prokurorinë Berisha për mbulimin e krimit, përdori Bashën si Mediun për Gërdecin! Hakmarrja ndaj Ina Ramës! Pse dosjen duhet ta marrë SPAK

21 Janari/ Si e shantazhoi prokurorinë Berisha për mbulimin e krimit, përdori Bashën si Mediun për Gërdecin! Hakmarrja ndaj Ina Ramës! Pse dosjen duhet ta marrë SPAK

Sali Berisha dhe 21 janari

Në çdo vend normal, kur ndodh një krim, është prokurori autoriteti i cili heton dhe merr në pyetje të dyshuarin. Në Shqipëri, pas krimit shtetëror të 21 Janarit 2011, i dyshuari dhe i akuzuari kryesor Sali Berisha tentoi të merrte në pyetje kryeprokuroren Ina Rama, përmes komisionit të famshëm të çadrave-pistoletë dhe thikave me helm. Urdhër-arrestet për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës nuk i njohu me policinë e tij me justifikimin se kishin gabime gramatikore. Pamjet filmike të krimit, siç edhe u konfirmua nga ekspertiza e FBI, u fshinë natën e 21 Janarit nga serveri i Kryeministrisë. Armët e krimi u ndërruan me armë të tjera. Vrasësit u mbajtën tre ditë në Kryeministri gjoja për t'u 'mjekuar plagët', por në fakt u izoluan për të koordinuar dëshmitë e rreme dhe veprimet për mbulimin e gjurmëve të krimit.

Dhe megjithatë, Sali Berisha u kërkon prova Shteteve të Bashkuara të Amerikës pse e futën në listën e zezë bashkë me familjen, për korrupsion dhe pengim të drejtësisë. 21 janari është prova më verbuese i pengimit, shantazhimit dhe sabotimit të drejtësisë nga Sali Berisha, për të mos hetuar një krim të tij shtetëror, i kryer për të mbrojtur korrupsionin e aleatit Ilir Meta. Ngritja e një sistemi korruptiv, mbrojta e vetes, familjes dhe aleatit, është edhe motivi kryesor se pse DASH shpalli non grata Berishën dhe Familjen e tij.

Berisha i kërkon Bamir Topit të ndërhyjë tek Ina Rama

Më e rëndësishme është dëshmia e Bamir Topit. Mëngjesin e 23 janarit 2011, dy ditë pas vrasjeve në bulevard, Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Brendshëm, shfaqet i alarmuar në zyrën e Bamir Topit, në atë kohë President i Republikës. Basha i kërkon Topit në emër të Sali Berishës të ndërhynte tek kryeprokurorja Ina Rama, që tërhiqte urdhër-arrestet për zinxhirin komandues të Gardës dhe të bëhej kështu palë me pushtetin që kishte vrarë. Bamir Topi i refuzon kërkesën. Kaq do të mjaftonte që disa orë më vonë, kur Basha i kishte komunikuar refuzimin nga Topi, Sali Berisha të shpallte Bamir Topin si pjesë e grupit organizator të puçit të pretenduar ndaj tij. Topi u shpall pjesë e grupit puçit vetëm sepse nuk pranoi kërkesën e paligjshme për të ndërhyrë tek kryeprokurorja.

Bamir Topi ka rrëfyer se “Ishte i shqetësuar, nuk e fshinte dot gjendjen e tij dhe ndërrimin e kursit të ngjarjeve... –Erdha të them edhe në emër të kryeministrit të ndërhyni të Prokurorja e Përgjithshme për t’u tërhequr nga kjo iniciativë! – tha Luli duke mbyllur kërkesën e tij.

Kjo ishte sipas meje çasti që do të kuptohej nëse presidenti merrte pozicion në favor të qeverisë apo të kryetarit të shtetit, ku shërbimi i tij duhet të jetë kushtetues dhe jo arbitrar. Tashmë gjithçka ishte e qartë dhe vendosmëria për të mbështetur prokurorinë ishte e palëkundur.

-Dëgjo, Luli! Besoj se biem dakord që ka ndodhur një ngjarje e përmasave tragjike, me implikime të rënda të politikës dhe shtetit. Unë jam kryetar shteti dhe interesi është që me qetësi të vendosemi të zbulojmë shkaktarët, duke filluar me politikanët, demonstruesit, policët, gardistët e kushdo qoftë pas tyre. Unë nuk mund të marr përgjegjësi historike për të devijuar të vërtetën. I kam dhënë besimin kryeprokurores në një takim të zhvilluar dje, nga ku rezulton se qeveria dhe garda apo policia nuk po bashkëpunojnë për mbledhjen e provave dhe hetimin.

Në fund, para se të ndaheshim, duke dashur të ruaj një komunikim me njerëzor, ndoshta i dhashë një këshillë të panevojshme.

–Shiko letrat e tua nëse i ke në rregull se kjo punë parashikon se do të shkojë jo mirë”.

Berisha nuk njeh prokurorinë

Disa orë para masakrës në bulevard, mbrëmjen e 21 Janarit, prokuroria kishte firmosur disa urdhër-arreste për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës, e cila kishte hapur zjarr me urdhër ndaj protestuesve, duke vrarë katër qytetarë të pafajshëm dhe plagosur 6 të tjerë. Por, policia nuk e njihte autoritetin e prokurorisë, pasi zbatimi i urdhër-arresteve, mund të çonte në zbërthimin e gardistëve në prokurori dhe për rrjedhojë në implikimin e treshes, Berisha-Basha-Ndrea Prendi. Edhe një herë Sali Berisha përdori Lulzim Bashën, i cili kishe nën varësi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgajn, për të refuzuar zbatimin e urdhër-arresteve. Berisha i konsideronte publikisht urdhër-arrestet si pjesë e skenarit B të grushtit të shtetit, ndërsa policia nuk i zbatonte me pretendimin se kishin gabime gramatikore.

Berisha kërcënon kryeprokuroren Ina Rama

Menjëherë pas vrasjeve, Sali Berisha u shpreh se “i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura”, ndërkohë që në mbrëmje nuk zbatonte urdhër-arreste, duke penguar hetimet. Pasi prokuroria nuk po hetonte sipas udhëzimeve të tij publike dhe mesazheve të koduara dhe në kushtet ku kishte marrë refuzimin e Bamir Topit për të ndërhyrë, Berisha i jep këtë mesazh shantazhues Ina Ramës: “Zonja që liron njeriun që u vërsul me pistoletë drejt gardistëve, të cilët e mbrojnë, duhet të ketë të qartë se ka hyrë në ujëra shumë të gabuara. Ndonëse puçistët vazhdojnë skenarin e tyre, ne do të vazhdojmë detyrat tona si qeveri”.

Në një takim më 24 janar, me efektivë të policisë dhe familje të tyre, Berisha shpërtheu ndaj Ina Ramës dhe Bamir Topit, ku të parën e quajti “lavire bulevardi”, ndërsa të dytin “horr bulevardi”.

Po atë ditë, Sali Berisha humbi kontrollin, kur tha se “Urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për gjashtë drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, nuk do të zbatohen në mënyrë absolute, në bazë të Kodit të Procedurës Penale”. Do të mjaftonte vetëm kjo deklaratë që rihapja e dosjes nga prokuroria të kalojë menjëherë në duart e SPAK, pasi ish-kryeministri është subjekt i Prokurorisë së Posaçme.

Hetim paralel me prokurorinë

Fillimisht Sali Berisha sajoi grushtin e shtetit, ndërsa vrasjet ia faturoi Edi Ramës. Përplasja e tij me prokurorinë erdhi fillimisht se pse organi i akuzës nuk u investua për t’i faturuar vrasjet e kundërshtarit të tij politik. Jo rastësisht, pasditen e 21 Janarit tha se vrasjet i kishte bërë opozita, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të hetonte në këtë pistë. “Të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura”, tha Berisha.

Kur prokuroria kërkoi arrestimin e gardistëve dhe sekuestrimin e pamjeve filmike, Sali Berisha urdhëroi ngritjen e komisionit hetimor. Komisioni duhet të provonte sajesën e grushtit të shtetit, atë që nuk pranoi ta bënte prokuroria me në krye Ina Ramën. Por, jo vetëm kaq. Komisioni duhet edhe të dublonte prokurorinë. Vendimi për ngritjen e komisionit hetimor u miratua natën e 23 janarit 2011, gjatë një seance të jashtëzakonshme.

Berisha tenton të marrë në pyetje kryeprokuroren Ina Rama

Do të dukej e pabesueshme, por është realizuar nga pushteti i Sali Berishës. Në vend që prokurori të merrte në pyetje për vrasjet, Sali Berisha tentoi të merrte në pyetje kryeprokuroren Ina Rama. Komisioni hetimor thirri Ina Ramën për t’ju përgjigjur pyetjeve, në kuadër të hetimeve për të provuar grushtin e shtetit.  Zonja Rama u paraqit në komisionin hetimor në datën 2 shkurt 2021. Ishte koha kur Bersha tashmë kishte pranuar vrasjet nga Garda, me alibinë e re se garda vret po kalove gardhin, por nuk kishte hequr dorë nga teza e puçit. “Ngjarjet që ju po hetoni, janë të njëjtat ngjarje që ne po hetojmë dhe unë nuk mund të vazhdoj më të qëndroj”, deklaroi zonja Ina Rama dhe u largua nga salla. Kreu i Komisionit, Eduard Halimi tha se "Komisioni do ta shikojë me kujdes të gjithë qëndrimin arrogant dhe në përputhje me të gjitha provat që po administron ky komision".

Ina Rama nën presion, del në krah të ambasadorit amerikan

Ashtu si për Gërdecin, kur Berisha përdori Fatmir Mediun për ngritjen e biznesit të vdekjes, prokuroria nuk arriti deri tek urdhëruesit në përfundim të hetimeve për 21 Janarin. Presioni ishte aq i fortë saqë Ina Rama, në atë kohë kryeprokurore, doli me në krah ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, për të shpallur konkluzionet e hetimit. Bëhet fjalë për konferencën për shtyp të datës 23 janar 2012, pra një vit pas krimit në bulevard. Në këtë konferencë, kryeprokurorja tha se kreu i gardës Ndrea Prendi kishte vrarë Faik Myrtajn dhe më pas ka ndërruar tytën e pistoletës me shoferin Margarit Kume, se Armando Kasaj kishte fshirë pamjet filmike natën e 21 Janarit. Kasa u shpall i pafajshëm, ndërsa vrasjet e kryera nga Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo u shpallën nga gjykata si vrasje nga pakujdesia, pikërisht nga disa gjykatës që u shkarkuan më pas nga Vetingu si të korruptuar.

Berisha shkarkon Ina Ramën para afatit, emëron Adriatik Llallën

Mandati i Ina Ramës mbaronte në muajin mars 2013, por Sali Berisha e largoi që në muajin dhjetor 2012, përmes Bujar Nishanit, të cilin kishte arritur ta emëronte president që në qershor të vitit 2012. Kryeprokurorja e konsideroi këtë nxitim si hakmarrje e Berishës për shkak se kishte refuzuar kërkesat e tij të paligjshme në lidhje me orientimin e hetimeve për 21 Janarit. Në vend të Ina Ramës, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Nishani emëruan Adriatik Llallën, i cili më parë kishte drejtuar institucionin e deklarimit dhe kontrollit të pasurive të pushtetarëve. Fati i Llallës dihet tashmë, i dënuar, me pasuri të sekuestruar dhe në listën e zezë të SHBA.

Berisha vijoi hakmarrjen ndaj Ina Ramës

Sali Berisha vijoi hakmarrjen ndaj Ina Ramës deri ditën e fundit që kishte nën kontroll drejtësinë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të cilin Berisha e kontrollonte përmes Bujar Nishanit dhe një çete gjyqtarësh, sot të ndëshkuar nga Vetingu, refuzonte rikthimin e Ina Ramës në drejtësi, pas largimit nga posti i kryeprokurores. Në mënyrë flagrante dhe të paprecedentë, KLD-ja rezultonte të zbatonte vendimin e gjykatës për kthimin e Ina Ramës në Gjykatën e Apelit. Zonja Rama nuk u lejua të rikthehej në detyrën e mëparshme në kundërshtim flagrant me ligjin dhe duke mos njohur vendimin e gjykatës. Hakmarrja zgjati deri në vitin 2017, kur zonja Rama u zgjodh anëtare në Kolegjin e Posaçëm të Apelit, shkallë e dytë dhe të fundit të Vettingut.

 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • qytetari: 28/05/2021 04:38

    Merni ne pytje ina ramen e bamir topin seato jane pucistet hahahhah.. Pistleta stilolaps dhe cadra automatik perdoren per tevrare qytetaret..

    Përgjigju
  • Opionisti: 27/05/2021 20:23

    Te merrte ne pyetje Sali Berisha Fatmir Sejdiu Agron Kulicaj Isa Mustafa Bujar Bukoshi fatbardh Kadilli Dritan Shehu Fatmir Mediu Petriti te tjera

    Përgjigju
  • Yes yes: 27/05/2021 18:04

    Te erdhi dita ZOTI VONON POR NUK HARRON

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë