21 vite nga masakra e Reçakut, Meta: Mohimi rrezikon riciklim të dhunës (VIDEO)

'Krim kundër njerëzimit' kështu e ka quajtur Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, masakrën e Reçakut teksa ishte i pranishëm në veprimtarinë përkujtimore të 21-vjetorit të kësaj ngjarje të kryer nga ushtarakët serb mbi popullin kosovar.

Presidenti Meta, së bashku me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, vendosi një kurorë me lule dhe bëri homazhe në kompleksin memorial të Reçakut,  ku u vranë 45 persona të pafajshëm

Meta, duke theksuar se Masakra e Reçakut ishte një krim kundër njerëzimit, u shpreh: 

“Kisha detyrimin kombëtar të isha sot këtu, në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, së bashku me Presidentin Thaçi dhe me të gjithë ju, për t’u përulur me nderim të pakufishëm përpara kujtimit të fëmijëve, të të moshuarve, të banorëve të Reçakut të masakruar barbarisht 21 vite më parë në një akt që nuk mund të përkufizohet më saktë se sa me tre fjalë, siç bëri 21 vite më parë Ambasadori Walker: Krim kundër njerëzimit.

Ishte pikërisht kjo masakër dhe kjo sakrificë e pashembullt e popullit të Reçakut që shokoi mbarë botën, por edhe që vuri në lëvizje diplomacinë botërore përmes Konferencës së Rambujesë, për të kërkuar një zgjidhje për të ndalur genocidin në Kosovë, përmes ndërhyrjes së NATO-s. Kjo masakër, por edhe të tjera që kanë ndodhur në Kosovë në kuadër të një plani për spastrimin etnik, tregoi se liria dhe dinjiteti njerëzor padyshim që gjithmonë triumfojnë ndaj genocidit, dhunës dhe barbarizmit. Ishte kjo sakrificë që solli edhe drejtësinë ndërkombëtare përmes lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ndaj sot është koha, jo vetëm për të kujtuar këtë masakër dhe të gjitha ato ngjarje tragjike të ndodhura në Kosovë, por edhe për të kërkuar që drejtësia të shkojë deri në fund për të gjithë ata, të cilët orkestruan dhe realizuan këtë krim kundër njerëzimit, pasi kjo është rruga më e mirë për një pajtim të vërtetë e të qëndrueshëm në rajonin tonë. Çdo përpjekje për të mohuar masakrën e Reçakut, dhe çdo masakër tjetër në rajon, është një rrezik për riciklimin e dhunës.  Të gjithë ne duhet të qëndrojmë të bashkuar rreth vlerave më të mira europiane, dhe të bëjmë gjithçka që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në rajonin tonë. Dhe këtë mund ta garantojë një e ardhme e përbashkët europiane.”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:40
'Mos harro Reçakun', Meta në Kosovë: Krim kundër njerëzimit në mes të Europës


Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë edhe në akademinë përkujtimore “Mos harro Reçakun”, që u zhvillua në “Shtëpinë e Kulturës” të Komunës Shtime në kuadër të Ditës Përkujtimore të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë. Kreu i shtetit shqiptar u shpreh se jemi këtu për të kujtuar se sa shtrenjtë kushton liria, pavarësia dhe dinjiteti njerëzor.

Me përulje të thellë jam sot këtu si President i Republikës së Shqipërisë për të nderuar dhe për të kujtuar viktimat dhe martirët e masakrës së Reçakut, të cilët janë simboli i një sakrifice tejet sublime të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Jemi sot këtu, jo vetëm për të kujtuar jetët e tyre të humbura në mënyrën më barbare, por njëkohësisht edhe për të kujtuar se sa shtrenjtë kushton liria, pavarësia dhe dinjiteti njerëzor.

Jemi këtu për të kujtuar se si një popull fisnik, i fortë dhe paqedashës, i ka rezistuar me çdo sakrificë të gjitha përpjekjeve sistematike për ta asgjësuar dhe shpërngulur nga trojet e lashta të etërve të vet. Jemi sot këtu për të kujtuar se si drejtësia gjen vendin e saj në histori, duke dhënë si shpërblim të merituar, edhe pse me një çmim jashtëzakonisht të lartë, lirinë dhe pavarësinë e një populli.

Jemi këtu për t’i kujtuar kujtdo që tenton ta mohojë këtë krim se kjo është prova dhe dëshmia më flagrante historike e një krimi kundër njerëzimit, e një gjenocidi të kryer për fat të keq në zemër të Europës.Ndodhemi sot këtu për të kujtuar se të vërteta të tilla, si Masakra e Reçakut, nuk duhen harruar, edhe si domosdoshmëri për të mos lejuar përsëritjen e tyre në të ardhmen.

Dhe ne do vijmë e mblidhemi këtu çdo përvjetor për t’i kujtuar gjithmonë, jo vetëm jetët e humbura dhe sakrificat e tyre, por njëkohësisht edhe gjithë këto të vërteta të patundura mbi të cilat ndërtohet një e ardhme e fortë dhe e qëndrueshme e aspiratave europiane. Kjo masakër ishte një tragjedi që shokoi botën, zgjoi ndërgjegjen e mbarë opinionit ndërkombëtar dhe vuri në veprim diplomacinë botërore, duke ndryshuar rrjedhën e historisë.

Ndaj, përjetë i jemi mirënjohës Ambasadorit William Walker, i cili i gjendur menjëherë në vendin e krimit, e përcaktoi atë ngjarje me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit! Ishin këto tri fjalë që tronditën botën, që e detyruan të kthente sytë nga gjenocidi që po ndodhte në Kosovë dhe të bënte çdo gjë për t’i dhënë fund atij. Ishte ky një motivim për konferencën e Rambujesë e më pas në ndërhyrjen vendimtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja, që i dhanë fund një projekti makabër në zemër të Europës.

21 vite më parë ,ne në Shqipëri, por edhe mbarë kombi ynë kudo, ndiqte me ankth ngjarje të tilla, si këto të Reçakut, të Krushës, të Prekazit e kudo anembanë në Kosovë. Jo vetëm kaq, por 21 vite më parë ne në Shqipëri pritëm të paktën 1 milionë motra dhe vëllezër kosovarë të dëbuar me dhunë falë një projekti kriminal për të zbrazur një herë e përgjithmonë Kosovën nga shqiptarët.

Unë jam sot i lumtur që këto sakrifica ia kanë vlejtur dhe që vij në një Kosovë të pavarur, demokratike, në një Kosovë e cila jam i sigurt që i ka të gjitha mundësitë për të qenë një shembull i bashkëjetesës, i pajtimit dhe i ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët europiane në rajonin tonë.

Prandaj besoj se sakrificat e dëshmorëve e në mënyrë të veçantë sakrificat edhe të gjithë atyre viktimave të pafajshme, të martirëve të Reçakut dhe të gjithë atij gjenocidi që ndodhi në Kosovë janë një motivim i fortë për Kosovën për të ecur edhe më e vendosur në rrugën e lirisë, në rrugën e pavarësisë, të forcimit të institucioneve demokratike dhe për të qenë një shembull, siç ka qenë, i bashkëpunimit rajonal" tha ai.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja