Popullsia e Shqipërisë brenda vendit është thuajse e barabartë me numrin e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Raporti i fundit i INSTAT tregon se diaspora shqiptare ka arritur në 2.2 milionë qytetarë, të shpërndarë në të gjithë botën, por pjesa dërrmuese në kontinentin evropian.
Në kushtet kur sipërmarrja shqiptare vuan mungesën e fuqisë punëtore, ky raport tregon se rreth 1.7 milionë janë në moshë pune, ku vetëm të grupmoshës 25-44 vjeç janë 880 mijë individë. Më konkretisht 18% shqiptarëve që jetojnë jashtë janë deri 14 vjeç, 77% i përkasin moshës 15-64 vjeç dhe vetëm 5% janë mbi 65 vjeç.
“Kjo tregon një diasporë me profil të ri, ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë kontributi në tregjet e punës të vendeve pritëse”, thuhet në raport.
Vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptarë, janë: Italia, Greqia, Gjermania, Franca, dhe Mbretëria e Bashkuar. Bashkimi familjar ka qenë ndër vite është arsyeja kryesore se përse kanë emigruar shqiptarët, por vitet e fundit dominon largimi për arsye punësimi.
“Migrantët largohen për një sërë arsyesh, por kryesisht në kërkim të mundësive më të mira ekonomike (rreth 70 %). Motive të tjera të rëndësishme përfshijnë arsyet familjare (16 %) dhe arsimin (6 %)”, vijon raporti.
Po ashtu është vlerësuar se të larguarit fitojnë deri 2.5 herë më shumë se në Shqipëri, me punën që bëjnë jashtë vendit. Një emigrant vlerësohet se ka marrë 665 dollarë në Shqipëri ndërsa jashtë vendit paguhet me 1,789 dollarë.
Përveç sfidave demografike me të cilat po përballet Shqipëria, ku lindjet kanë rënë, apo mungojnë punonjësit, nga ana tjetër referuar kësaj analize diaspora është burimi i dytë kryesor i të ardhurave për familjet e tyre.
Rritja e fitimeve, ka bërë të mundur sipas INSTAT që gjysma e emigrantëve të dërgojë para për familjarët në Shqipëri. Sipas të dhënave publike të Bankës së Shqipërisë prej vitit 2008 deri në fund të shtatorit 2025, emigrantët kanë sjellë në vend 13 miliardë euro. Por kjo vlerë është shumë më e lartë, pasi vetëm 30% e remitancave vjen në rrugë zyrtare, përmes transfertave, ndërsa pjesa tjetër vjen në cash.
Në anketën e migracionit të hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore tregonte se familjet e pyetura pohonin vlerë deri 40% më të ulët se ajo që merrnin realisht, pasi një pjesë e madhe e parave vinte në cash.
“Kur pyeten për madhësinë e remitancave totale të marra, familjet e migrantëve raportojnë mesatarisht 93 USD në muaj. Kur anëtarët e familjes pyeten për remitancat nga secili migrant individual, shuma totale rritet me 10 për qind, në 103 USD. Megjithatë, ndryshimi më i rëndësishëm vërehet kur vetë migrantët jashtë vendit pyeten drejtpërdrejt për gjasat dhe madhësinë e remitancave, duke raportuar mesatarisht 131 USD, pra më shumë se 40 për qind më shumë sesa ajo që raportojnë anëtarët e familjeve në Shqipëri përmes metodave tradicionale”, thuhet në Anketës së Migracionit pranë Familjeve në Shqipëri, 2024.
Komente










