Riatdhesimi i Eva Dumanit nga kampi famëkeq Al Hol në veri të Sirisë, pas 12 vitesh, riktheu edhe një herë në vëmendje plagën e hapur të familjeve shqiptare që presin të afërmit e tyre nga zonat e konfliktit. Vajza, e rrëmbyer nga i ati në moshë të mitur, u kthye në atdhe falë përpjekjeve të vazhdueshme të familjes dhe bashkëpunimit me institucionet shqiptare. Por ndërsa një histori pritjeje u mbyll, një tjetër vijon të mbetet pezull në fshatin Gurras të Pogradecit.
Dylber Shuli, tashmë në moshë të thyer dhe me probleme shëndetësore, jeton prej vitesh me shpresën e rikthimit të nipërve dhe mbesave të tij, të cilët ndodhen ende në Siri. Ai mban kontakte të herëpashershme me 3 mbesat, nipin e tij dhe stërnipin.
Historia e familjes nis vite më parë, kur djali i tij, Krenari, së bashku me bashkëshorten, u largua drejt Sirisë, duke marrë me vete tre vajzat e mitura. Në territorin sirian lindi edhe djali. Konflikti i armatosur u mori jetën prindërve, ndërsa fëmijët mbetën në kamp, në kushte të vështira dhe larg çdo strukture të qëndrueshme arsimimi apo integrimi.
Sipas familjarëve, njëra prej vajzave është martuar në moshë të mitur dhe ka sjellë në jetë një fëmijë. Përpjekjet për riatdhesim kanë ekzistuar, por në tentativa të mëparshme familjarët nuk kanë pranuar kthimin, duke e lënë çështjen pezull në një situatë të ndërlikuar ligjore dhe humanitare.
“E pashë që atë ditë që doli edhe mbrëmë, të gjitha çfarë jepeshin që kishte kaluar në këmbë, por gjithë këtë punë e ka bërë Turqia, aman. Kam 12 vite, ca kohë kam folur me fëmijët, më thërrisnin ‘baba forca’. Kam 1 vit ose 2 që nuk po flas. Mbesa e madhe është martuar dhe ka lindur një djalë, merret më shumë atje. Unë kisha këtu një të sëmurë, djalin, kisha tre vjet dhe ato më thoshin ‘baba pse na dorëzove?’. U thoja ‘bijë e babait, kështu e kam punën’. Rama kur doli atëherë tha që do i nxjerrin por edhe do i ruajmë se mund t’i vrasin. Kush është bërë gjysh dhe ka nipërinj, le ta kuptojë vetë si ndihem unë.
Unë jam 90 vjeç, shpresë kam deri sa të mbyll sytë sepse ata më thërrasin baba. Më shumë më thërrasin ata sesa fëmijët e mi. Si s’kam shpresë? Shtetit i kërkojmë ndihmë. Mbesa e mesme më thotë baba sepse ajo nuk ndahej nga unë. Duan të kthehen por janë të zënë në burg atje.
Sa për kushtet, ju e keni parë edhe vetë dhe unë kam marrë vesh që janë të vështira dhe unë u kam dërguar lekë atyre, por se kush i ha këto lekë unë nuk e di. Gjithmonë kam dërguar lekë andej.
Shtetit i kërkoj ndihmë, siç i kërkova për djalin që ma shpuri në Turqi, ashtu i kërkoj edhe këtë shtetit unë. Unë i kam kërkuar dhe i kërkoj prapë dhe s’di me atë ministren tani që hiqet si e zgjuar, po s’e kap dot që t’i them. Nuk merrem më me letra, nuk i punoj dot unë prandaj them.
Kanë qenë të sëmurë, më ka treguar ajo mbesa e madhe. Atë mbesën e madhe e falënderoj se iu vra i jati dhe e jëma dhe qëndroi trime. 16 vjeç dhe qëndroi trime me vëllezërit, djalin e saj, të motrat i rriti. Atë që të vijë këtu nuk di si do ta mbaj. E madhja po shkon 22, të vegjlit nga 7 vjeç, mbesa tjetër 1 muajshe iku. Nuk kanë krahë atje ata të mitë, janë 22 gra në Siri, janë 8 burra, e jepte ajo mbrëmë. Allah them, Zoti (për kthimin e mbesave)", rrëfen ai.
22 shqiptarë, gra dhe fëmijë, të cilët me rrëzimin e regjimit atje, janë larguar nga kampi i ferrit Al-Hol. Ata janë ende në Siri, ndërsa në operacionet e mëparshme të shpëtimit, kanë refuzuar të kthehen në Shqipëri.
Komente











