Sot zgjidhet kryetari i ri i PDIU-së. Dy kandidatët Shpëtim Idrizi dhe Halil Hyseni kanë votuar në selinë qëndrore të PDIU-së, të shoqëruar nga deputetët Mesila Doda, Aqif Rakipi e Tahir Muhedini.

Menjëherë pas votimit, Shpëtim Idrizi u shpreh se PDIU ka ambicje të mëdha për të dyfishuar mandatet. Ai theksoi se ky proces tregon demokracinë e brendshme që ndihmon në arritjet e PDIU-së.

“Ne po krijojmë një demokraci të brendshme për herë të parë, duke ju përgjigjur ndarjes së re territoriale. Ne po krijojmë të gjithë infrastrukturën tonë partiake, sepse PDIU me numrin e ri të anëtarësisë sa saj, është një parti e cila ka ambicje të mëdha elektorale, në garën e ardhshme parlamentare, për t’i dyfishuar mandatet tona”, u shpreh Idrizi.

Ndërsa kandidati tjetër për kryetar të PDIU-së, Halil Hyseni tha se kjo parti është e hapur për cilindo.

“E veçanta që unë mund të shtoj është zgjerimi i PDIU-së. Dera e PDIU-së është e hapur për cilindo, jo vetëm për t’u promovuar por edhe për të punuar në të gjitha nivelet e saj”,u shpreh Hyseni.

Procesi i votimit ka nisur pa vonesa dhe do të ndiqet nga komisionet e ngritura, të cilat kanë 3 anëtarë. Menjëherë pas mbylljes së procesit  të votimit do të nisë numërimi i votave për të shpallur më pas, kryetarin e ri të PDIU-së dhe drejtuesit e rinj në çdo bashki. 

Ora 15:00 Zgjedhjet e PDIU në Elbasan dhe Berat
PDIU  është duke zhvilluar zgjedhjet  në Elbasan dhe Berat. Në Bashkinë e Elbasanit, 1750 anëtarë do të votojnë për kryetarin e degës mes Alketa Ipekut dhe Servo Mehmetit. Elbasani është edhe qyteti që do të dërgojë më shumë delegatë në Kongresin e PDIU, i cili pritet të mbahet në 4 qershor. Në Berat numri i votuesve është 630 ku do të votojnë për kryetarin e ardhshëm të kësaj partie si dhe për kryetarin e përgjithshëm të PDIU-së. Në këtë proces votimi kandidate janë Hajrie Mbrati si dhe  Ornela Bramka.

Redaksia Online
(M.Ç/Shqiptarja.com)