Prokuroria e Sarandës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën për disa ish-drejtues të ALUIZNI-t në këtë qytet, si edhe për ish-drejtorin e ALUIZNI-t Vlorë, të cilët akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas organit të akuzës nga hetimi ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhënë leje legalizimi  për një numër të lartë ndërtimesh dhe shtesa ndërtimesh, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimin bazuar në një kallëzim të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Prokuroria ka evidentuar të paktën 24 raste të lejes së legalizimit për objekte shërbimi (lokale dhe hoteleri) në Ksamil, të cilat janë ngritur në vijën bregdetare ose pranë saj, si edhe në zona arkeologjike, muzeale e turistike.

Shtetasi Roland Tafilaj, për të cilin gjykata e Sarandës ka pranuar fillimisht kërkesën e Prokurorisë për “arrest me burg”, dhe më pas është ndryshuar në “arrest në shtëpi”, është dënuar pak muaj më parë nga Gjykata e Vlorës për të njëjtën akuzë (shpërdorim detyre) me 1 vit e gjysëm burgim. Kjo çështje është aktualisht në Apel. Po ashtu, pak ditë më parë, Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim një tjetër dosje në ngarkim të shtetasit Tafilaj.

Ndërkohë, shtetasi Vesel Koçiu, para se të merrte detyrën e drejtorit të degës së ALUIZNI-t, Sarandë, ka qenë kryetar i komunës së Ksamilit, zonë në të cilën janë evidentuar këto raste shkeljeje ligji në dhënien e lejes së legalizimit, të cilat janë të parat në një listë të gjatë objektesh të dyshuara si të legalizuara në kundërshtim me ligjin.
  

Të pandehurit janë hetuar me masat e sigurimit, si më poshtë:

“Arrest me burg” për:
Vesel Koçiu, ish-drejtor i degës së ALUIZNI-t, Sarandë
Laert Cane, Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit
Feti Deromenaj, Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë


 “Arrest në shtëpi” për:
Roland Tafilaj, ish-drejtori rajonal i ALUZNI-t, Vlorë
Manjola Nikollo-Pergjegjese e Sektorit te Hartografise



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)