"28 nëntori"/ Akti i Pavarësisë
gabimet në kopjen e Lef Nosit

gabimet në kopjen e Lef Nosit">
TIRANE-  (Pjesa e dyte) Zbulesa e albanologut Necip P. Alpan, është dokument saktësisht i plotë e tepër i qartë, mjaft pozant e ndiellamirë; dhe për herë të parë kemi imazhin e plotë, të qartë e të drejtpërdrejt të Dokumentit të Pavarësisë në ditën e parë të nënëshkrimit të tij, 28 nëntor 1912…

Pjesa e pare

Cili të jetë burimi i dokumentit të Pavarësimit, nga Alpan?

Dokumenti i Pavarësimit shkruhej në shqip dhe në osmanisht e logjika e do dhe është elementare që shkrimi i menduar në osmanisht bëhej që dokumenti të dërgohej në Porta e Lartë e Perandorisë dhe s’ka arsye tjetër, ndaj dhe kërkimi e gjetja nga Alpan do të ishte arkivi turk, me probabilitetin më të madh.

Siç shkruan dhe vetë Alpan, ai kishte miqësi e bashkëpunim me personalitetin e madh të kohës, Branko Merxhani (në fillim të vitit 1939 shkon në Turqi e jetoi atje deri në vitet ’80 kur ndahet nga jeta) dhe është fare e besueshme që Alpan të ketë marrë prej tij një kopje të Aktit, të cilin Merxhani e botonte e në Përpjekja Shqiptare (Janar 1938), me shumë pak ndryshime nga botimi i Nosit dheqë të dy ishin miq të mirë.

Dhe nëse Alpan do të kishte për burim Përpjekjen e Merxhanit, atëherë kurrësesi nuk mund të besohet që revista Përpjekja Shqiptare, e mikut të tij të një qyteti, të mos ishte në bibliografinë e librit që shkroi Alpan. Të rejat e zbulesës së Alpan, cilat janë? Dokumenti i Pavarësisë,  siç shihet në Figura 2, është i ruajtur mirë në dosje arkivore apo vendi ku mbahej.

Teksti i Vendimit dhe nënëshkrimet e firmëtarëve të dokumentit janë fare të qartë për meritë profesionele të dizajnerit Papa, por edhe shumë më joshëse intelektualisht e emocionalisht është dizajnimi prej tij i imazhit të dokumentit të Pavarësisë në nëntor 1937.  Imazhin e dokumentit të Pavarësisë për herë të parë na e dha me mjeshtëri firmëtari Lef Nosi, në botimin e dokumentit me ngjyra, më 28 nëntor 1937, por ai imazh është imazh i imazhit të dokumentit origjinal, kurse dokumenti i Pavarësisë, që vjen nga Necip Alpan, është imazhi i drejtpërdrejtë i dokumentit origjinal.  

Kush di për ç’arsye, ndoshta lodhja e epërme, Lef Nosit apo tipografit u ikën nga syri disapak pasaktësi fare të vogla shkrimore në shkrimet e nënëshkrimeve të disa firmëtarëve dheqë korrigjohen e plotësohen në Aktin e botuar nga Alpan: kështu, emri saktësohet emri i firmëtarit Qazim Kokoshi, identifikohet mbiemri Daja i firmëtarit Shefqet Daja dhe po ashtu mbiemri Vokopola i firmëtarit Ferit Vokopola.

Një pikë e vogël, në fillim të dokumentit, e vënë në skaner me rezolucion të lartë shihet qartë se është një hapje thonjëza dhe për shprehje origjinaliteti Akti  fillon me hapje thonjëza, por mbyllja e thonjëzave, për ndonjë paqartësi, është në fillim të mbiemrit Ohria e saktësohet po kështu. Tekstin e vendimit të Pavarësisë në shqip e ndan një pikë e madhe në ekstremin e djathtë nga teksti në osmanisht.

Në rreshtin e katërt shihet ndarja e fjalës delegatët në fund të rreshtit: një saktësim drejtshkrimor. Skaneri me rezolucion të lartë bën zbulesën domethënëse se ato tre “njolla boje” nuk janë boje, siç është “vendosur” nga specialistët, por janë myhyrë (vula) me nënëshkrim osmanisht të tre firmëtarëve të Dokumentit, paçka se dokumenti i botuar në turqisht s’ka mundur t’i i dentifikojë, madje po ashtu as Lef Nosi dhe këtu identifikimi si myhyrë vjen nga autori (vb).

      Dy përfundime, më në zâ: I pari, dokumenti origjinal i botuar në formatin me ngjyra nga firmëtari Lef Nosi(nëntor ’37) është i pazëvendësueshëm, amá për hir të së vërtetës ai le pak gjurmë të imazhit në origjinal të tekstit të Vendimit të Aktit dhe 43 nënëshkrimet e origjinalit, amá ky imazh shumë i zbehtë e më shumë i padukshëm me sy të lirë, ripërtërihet thuajse saktësisht e bëhet njësh me origjinalin; por imazhi i Aktit ruan edhe gjurmë tmerruese të tij nga lëngata e gjatë në lagështirë, kalbëzim, myk, pluhur,, siç shihet në pamjen e tij, në nëntor 37; dokumenti i botuar me ngjyra është konceptuar mrekulli nga Lef Nosi, që të lerë pas një fotografi për t’u treguar pasardhësve se dokumenti i botuar prej Tij s’është origjinali por është përtëritje e origjinalit- me mjeshtëri të lartë e thuajse saktësisht.

Përfundimi i dytë është se zbulesa e albanologut Necip P. Alpan, është dokument saktësisht i plotë e tepër i qartë, mjaft pozant e ndiellamirë; dhe për herë të parë kemi imazhin e plotë, të qartë e të drejtpërdrejt të Dokumentit të Pavarësisë në ditën e parë të nënëshkrimit të tij, 28 nëntor 1912. Dokumenti, i ofruar nga Alpan, do të ishte përfaqësues i denjë i ngjarjes më të madhe historike të Shqipërisë së re politike, derisa të vijë në jetë dokumenti origjinal i Pavarësisë, paçka se Eureka publikohet “zbulesa” e fotografisë “origjinale” fantazmë!
 
E vërtetë apo vegime…
     Profesor Frashëri ka bërë të vetën argumentin se vendimi i shpalljes së Pavarësisë  është vetëm ai që vetë e shpreh në një intervistë e që vjen këtu në fjalët e gazetares intervistuese: “[Kristo Frashëri… e ka parë me dyshim faktin që kjo mund të jetë fotografia origjinale, duke pohuar se i vetmi imazh i saktë [i Aktit të Pavaresisë, v.b] është ai që është ofruar deri më sot e që është botuar edhe nga ai vet.”[Lajme,parajsa.com.Shqipëria/id-3506992/28.11.2011].

Në kërkim të dokumentit të rekomanduar prej Profesorit, që jep imazh të “sakt” të Aktit të Pavarësisë, dhe e gjej botuar në albumi Rilindja Kombëtare, Tiranë 1962, me autor Kristo Frashëri, e s’mund mos të befasohesha me dokumentin e “saktë” të Pavarësisë të censuruar harbuçe: fotografia (sipër) mbulon firmëtarët Mithat Frashëri, Shefqet Daji, Xhelal Koprencka dhe fotografia tjetër (poshtë) mbulon firmëtarët

Qemal Mullaj, Lef Nosi, Dr. H. Myrteza, Nuri Sojliu, Mustafa Kruja, Ferid Vokopola, amá s’rri pa e marrë edhe një goditje e fortë Ismail Qemalit- nga i pari në rreshtin e parë të firmëtarëve ulet në rreshtimin e dytë i pari! [Figura 3]. Në historinë e censurës politike është censura e parë publike dhe pikërisht është ky dokument i censuruar që përhapej si kolera në tekste historie në vend po dhe në ribotimet e tyre në Kosovë (nga viti 1962 deri 1996.)
 
Historiani si larg e larg godet Lef Nosin, por shpejt dalin kthetra e predikon se “Dokumenti i Pavarësisë u botua në gazeta Përlindja Shqiptare, në muajin dhjetor 1914”, dhe jo vetëm se gazeta u mbyll më 28 mars 1914 e s’u rihap më asnjëherë, as edhe në dhjetor, por kryesore është se dokumenti i Pavarësisë nuk gjendet i botuar në asnjë numër të asaj gazeta dhe jo më kot krijohen kësi tymnaja: Lef Nosit t’i hiqet merita e Engjëll Mbrojtësit të dokumentit të Pavarësisë, të çmeritohet ai nga bëma e madhe e ruajtjes së dokumentit e pa Nosin s’do të mbetej ndonjë gjurmë e dokumentit kaq të rëndësishëm.

Nga intervista e dhënë, gazetarja i referohet Profesor Frashërit: “Për më tepër, historiani beson se akti origjinal i pavarësisë nuk është ruajtur asnjëherë nga Lef Nosi, por nga një njeri shumë i besuar i Ismail Qemalit dhe Nosi vetëm sa e ka fotografuar për të bërë botimin e vitit 1937.” [“Lajme,parajsa.com.Shqipëria/id-35006992/28.11.2011”] Që Dokumenti i Pavarësisë  ishte në ruajtje nga një firmëtar tjetër, Qemal Elbasani-Karaosmai (këtu qartësisht kuptohet jo nga Lef Nosi) lexohet nga Profesor Frashëri në librin e tij “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, Tiranë 2008:95, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, dhe fragmenti i cituar më parë, që i bën gazetaja Profesorit, është i saktë.

Dhe unë do të bëhesha palë me profesorin e historisë, për atë se vërtet dokumenti i Pavarësisë ishte në ruajtje nga firmëtari Qemal Karaosmani nëse Profesor Frashëri do të komentonte faktin se firmëtarët e aktit të Pavarësisë në dokumentin e botuar nga Lef Nosi (1937) janë saktësisht me të njëjtën renditje rreshtore njësoj si në dokumentin e botuar nga Nosi në broshura e tij “Dokumente historike për t’i shërbye historisë sonë kombëtare” (nr. 6, 1924:167), amá fakti është argument për të kundërtën: se dokumenti ishte në ruajtje nga Lef Nosi që edhe ka bërë i pari e i vetmi transkriptimin e Aktit të Pavarësisë në Dokumente historike…, të botuar me autorsinë e tij.

Nga Profesori kërkon përgjigje edhe pyetja: Përderisa është e padyshimte se Dokumenti i Pavarësisë nuk është i botuar nga gazeta Përlindja e Shqipnisë më 1913 apo 1914, atëherë cili është autori i transkriptimit të dokumentit të Pavarësisë, si shkruhet në broshura e Nosit? Edhe një memorie e kohës nga Branko Merxhani, personalitet i madh i kohës e njohës i afër i Nosit: “Ky dokument [i pavarësisë, v.b] tepër i vlefshëm për historinë politike të Shqiprisë së re është ruajtur gjer më sot për hir të kujdesjes së Lef Nosit, një nga patriotët e orës së parë.” [Revista Përpjekja, janar 1938:82].

E vërtetë e pamëshirë: Në meritë të Lef Nosit është ruajtja e Dokumentit të Pavarësisë, për meritë të tij është transkriptimi i Dokumentit, po ashtu, në meritë të tij është ruajtja e dokumentit dhe botimi i tij në dy formate dhe është shpëtimtari i dokumentit nga zhbërja e tij, nëntor 1937. S’do shumë mend: “Mali që ka borë, nuk fëlliqet me këllirë.” (Çajupi në polemikë me Lulo Malësori që i kishte rrëmbyer të dashurën që e adhuronte, Evgjeninë)…

LEF NOSI















































NOCI















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë