Në qytetin e Vlorës u zhvillua këtë të shtunë ceremonia përkujtimore për 29-vjetorin e Tragjedisë së Otrantos, ku humbën jetën 81 shqiptarë.

Familjarë të viktimave, përfaqësues të pushtetit lokal e qendror, si dhe qytetarë morën pjesë në aktivitetin përkujtimor të tragjedisë së Otrantos.

81 karrige të lëna bosh simbolizuan jetët e humbura, ndërsa buqeta me lule u hodhën në det për të nderuar viktimat.

Gjatë ceremonisë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, shpërtheu në lot, teksa theksoi se “harresa dhemb më shumë se vetë ngjarja”.

“Për këdo, kjo tragjedi ka lënë një shenjë që as nuk zhbëhet e as nuk zbehet. Do t’i përkujtojmë çdo vit. Të paharruar qofshi. Ajo që mund të bëjmë sot është që të mos përsëriten më tragjedi të tilla”, tha Ismaili.

Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, e cilësoi momentin si një reflektim të domosdoshëm.

“Duke ecur, dhimbja ecën bashkë me ne. Gjithmonë do të jetë e vështirë të flasësh për tragjedinë e Otrantos”, tha Mersini.

Familjarët e viktimave, pas 29 vitesh, janë të lodhur nga padrejtësia. Ata kritikuan vendimin e gjykatës italiane që, sipas tyre, nuk mori parasysh provat e paraqitura.

“Kjo tragjedi është e krijuar me dashje. Që ka rënduar dhe çdo vit është rënduar edhe më shumë. Sot familjarët përballen me një dhunë psikologjike, janë lodhur. Vendimi i gjykatës italiane ka qenë i padrejtë, i ka goditur edhe njëherë. Gjyqi është mbyllur, por nuk mbyllet një krim njerëzor”, tha njëra prej familjarëve të viktimave.

“Ata për ne do të mbeten të paharruar. Varrezat i bëri shteti atëherë, tani i kanë lënë në harresë”, tha një tjetër familjare.

Pas luftës civile që shpërtheu prej skemave piramidale në ’97, nisi eksodi drejt shtetit fqinj, ndërsa Italia patrullonte ngushticën e Otrantos për të ndaluar lundrimet e paligjshme. Më 28 mars 1997, anija “Kateri i Radës”, me 142 persona në bord, u godit nga anija ushtarake italiane “Sibila” në kanalin e Otrantos. 81 persona u mbytën, mes tyre fëmijë, të cilët shpresonin për një jetë më të mirë përtej detit.

K.B/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E sakt: 28/03/2026 20:25

    I perzini italianet nga vlora qe rrin per nje jet me te lir,kurse shqiptaret qe iken per nje cop buke drejt italis,i mbyten.KRIM.

    Përgjigju
  • Mara emigrante ne Itali: 28/03/2026 11:20

    Jepini voten saluut qe te beje nje Otrant te dyte .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 27 Mars, 08:12

    Rritja e çmimit të ushqimeve, a duhet të marrë masa qeveria për të mbrojtur konsumatorët?