Mes ujërave të liqenit dhe gjelbërimit të jugut, Butrinti mbart mbi supe mijëra vite histori. I vendosur në gadishullin e Ksamilit, ky qytet antik ka qenë ndër shekuj një pikë takimi qytetërimesh, ndërsa sot po kthehet në një nga historitë më të forta të suksesit të turizmit kulturor në Shqipëri.
Parku arkeologjik, i shtrirë në rreth 15 hektarë dhe i rrethuar nga liqeni i Butrintit dhe kanali i Vivarit, ofron një kombinim të rrallë mes trashëgimisë historike dhe peizazhit natyror të virgjër. Ky kombinim duket se po e favorizon shumë Butrintin. Sepse, sot Butrinti nuk është më thjesht një sit arkeologjik për t’u vizituar, por një destinacion i konsoliduar në hartën ndërkombëtare.
Këtë e konfirmojnë të dhënat e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të bëra publike të enjten.
Në një postim në rrjete sociale, Gonxhja shpjegon se ky transformim vjen pas një periudhe të gjatë ku potenciali i sitit nuk u shfrytëzua siç duhet.
Sipas tij, menaxhimi i fragmentuar dhe mungesa e standardeve për vite me radhë e lanë Butrintin nën hijen e vet. Ndërsa sot, me një qasje të re të bazuar në mirëmenaxhim dhe zhvillim të qëndrueshëm, ai po afirmohet si një destinacion me vlerë të shtuar në arenën ndërkombëtare.
Dhe shifrat flasin vetë.
Franca, Gjermania, Polonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda janë ndër tregjet kryesore nga vijnë numri më i lartë i vizitorëve.
Edhe mënyra si vizitohet Butrinti ka ndryshuar. Koha mesatare e qëndrimit prej 2.4 orësh tregon se vizitorët nuk kalojnë thjesht për një ndalesë të shpejtë, por e përjetojnë këtë atraksion si një eksperiencë të plotë.
Profili i vizitorëve në fakt e konfirmon, sepse 80.6% prej tyre kanë arsim universitar, 70% janë të punësuar, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes të vetëpunësuarve, studentëve dhe pensionistëve.
Ajo që edhe pamjet e shpërndara nga Gonxhja tregojnë, është se historia dhe menaxhimi duket se më në fund janë bërë bashkë për ta kthyer Butrintin nga një pasuri të nënvlerësuar, në një destinacion që po mban mbërthyer vizitorët nga e gjithë bota.
Komente










