Rasti i 2-vjeçarit me tumor i cili priti mbi 10 ditë në spital derisa Ministria e Shëndetësisë siguroi ilaçin ‘Actinomycin D’ që mungonte për kimioterapinë, sipas Partisë së Lirisë, është dëshmi se qeveria nuk tregon vëmendjen e duhur për shëndetin e qytetarëve.
Përmes sekretarit të Përgjithshëm, Tedi Blushi, Partia e Lirisë kërkoi nisjen e një hetimi për mungesën e ilaçeve.
I vogli i diagnostikuar me tumor në bark, pas ndërhyrjes kirurgjikale duhej ta kishte nisur kimion 10 ditë më parë sipas denoncimit të nënës së tij, trajtimi nuk kishte nisur pasi medikamenti kimio ‘Actinomycin D’, mungonte në Pediatrinë e Onkologjikut. Ky ilaç nuk qarkullonte në treg që prej vitit 2006.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit
Shëndetësia falas rezultoi dhe po provohet çdo ditë një mashtrim i madh dhe i pabesë i "Rilindjes", jo vetëm me pasoja thellësisht shkatërrimtare për sistemin, por edhe për shëndetin dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve, siç vijojmë ta shohim çdo ditë me skandalet e pafundme tek Onkologjiku.
Drama e familjes së një 2-vjeçari të diagnostikuar me tumor, i cili për 10 ditë nuk trajtohej me kimio se nuk kishte ilaç në QSUT, është dëshmia e radhës e një sistemi shëndetësor të degraduar, çnjerëzor dhe kriminal, ku nëse nuk paguan jo vetëm nuk merr asnjë shërbim por rrezikon të humbësh edhe jetën.
Kjo ngjarje shumë e rëndë që meriton një hetim të thelluar dhe një ndëshkim të ashpër penal, që duhej të shoqërohej me dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, nuk duhet të kalonte në heshtje.
Por si për çdo skandal të Narkoqeverisë, SPAK-u pret sinjalin nga Edi Rama për të nisur hetimet për një ngjarje kaq kriminale, që minimalisht duhet të kishte sot disa të pandehur. Është kriminale që të sëmurëve me tumore, në veçanti të miturve, ju ndërpritet terapia për shkak të mungesës së barnave.
Numri i pacientëve me sëmundjet tumorale është gjithnjë e në rritje, ndërsa buxheti për onkologjikun gjithnjë e në rënie. Mbi 7 mijë raste të reja me sëmundje tumorale regjistrohen çdo vit në vend. Por shëndeti i qytetarëve asnjëherë nuk ka qenë në vëmendjen e “Rilindjes”.
Është kjo arsyeja pse Edi Rama dhe deputetët e tij rrëzuan edhe dy amendamentet e propozuara nga deputetët e Partisë së Lirisë për buxhetin e vitit të ardhshëm, konkretisht amendamentin për rritje me 6 miliard lekë të mbështetjes për barnat e rimbursueshme, si ndihmë konkrete për pensionistët dhe qytetarët në përgjithësi, si dhe amendamentin për një shtesë 2 miliard lekë për trajtimin me barna dhe aparatura për sëmundjet onkologjike, si përgjigje për dramën që po përjetojnë mijëra të sëmurë dhe familjet e tyre.
Edhe vendimi më i fundit i Qeverisë për të shkurtuar me 2.6 miliard lekë fondet e Shëndetësisë, do të thotë të braktisësh stafin mjekësor dhe të thellosh mungesën e ilaçeve dhe investimeve në spitale, si dhe të shtosh skandalet tek Onkologjiku dhe jo vetëm.
Ky shkurtim fondesh vjen në një kohë kur shqiptarët paguajnë sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bankës Botërore, 60% të shpenzimeve nga xhepi, ndërkohë që qytetarët në Maqedoninë e Veriut paguajnë 41.7%, në Malin e Zi 38.1%, në Serbi 35.8% dhe në Bosnjë-Hercegovina 30.7%.
Janë mbi 750 milion euro që paguhen nga xhepi i qytetarëve më të varfër të Europës, që Edi Rama ju premtoi shëndetësi falas. Të dhënat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm tregojnë qartë se sëmundjet kronike janë duke u rritur me shpejtësi, teksa fondet për rimbursimin e medikamenteve kanë qenë krejtësisht të pamjaftueshme.
Korrupsioni dhe klientelizmi ka shkaktuar mungesën e vazhdueshme të barnave në tregun farmaceutik për të trajtuar sëmundje kronike dhe jetike për pacientët. Mungojnë barna që janë në listën e rimbursimit, barna spitalore dhe ambulatore, barnat antitumorale në onkologji e në onkopediatri, barnat antidiabetike, gjenerata antibiotikësh për trajtime jetike për sëmundje të ndryshme, mungon kontrasti ose lënda radioaktive për shintigrafi të ndryshme.
Këto fakte nuk përbëjnë asnjë surprizë por janë konfirmim i qëndrimeve shumë të drejta të Partisë së Lirisë për degradimin e shëndetësisë nëpërmjet plaçkitjes së fondeve me koncensione, korrupsionit të tmerrshëm, si dhe klientelizmit që ka destrukturuar sistemin shëndetësor.
Për Partinë e Lirisë, shëndetësia është objektiv madhor ndaj ne angazhohemi: Të rritim shpenzimet për këtë sektor jetik në mesataren e rajonit në nivelin 6% të PBB, si dhe të dyfishojmë pagat e mjekëve dhe infermierëve duke i dhënë fund largimit dramatik të tyre nga vendi.