3 anëtarë të KQZ: S’ka kohë
për regjistrim të partive të tjera

3 anëtarë të KQZ: S’ka kohë<br />për regjistrim të partive të tjera
Tre anëtarët e djathtë të Komisionit Qendror te Zgjedhjeve e cilësojnë të kundraligjshme deklaratën për shtyrjen e datës së regjistrimit të partive deri në 3 maj.
 
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat Hysen Osmanaj, Klement Zguri dhe Vera Shtjefni kanë akuzuar Denar Bibën për njëanshmëri.

Ata gjithashtu i cilësojnë personale deklaratat e këtij komisioni në datat 29 dhe 30 prill 2017 dhe thonë se afati i fundit i regjistrimit të listave të deputetëve ishte mesnata e 28 prillit duke nënvizuar se çdo regjistrim për lista të paraqitura nga subjektet tej këtij afati është nul, i paligjshëm dhe i pavlefshëm.

Ndërsa pasi njoftoi regjistrimin e 17 partive në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit dhe nisjen e procesit të verifikimit të kandidatëve, KQZ dje ka paralajmëruar partitë se në rast të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për zgjerim të pjesëmarrjes data 3 maj është afati i fundit për regjistrimin.

Deklarata e Hysen Osmanaj, Klement Zguri, Vera Shtjefni
“Tre anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), informojnë opinionin publik se deklaratat e KQZ të ditëve të fundit (datat 29 dhe 30 prill 2017) nuk përfaqësojnë asnjë vendimarrje të KQZ. Ato janë qëndrime personale në kundërshtim më misionin e KQZ-së, si organi më i lartë shtetëror, i ngarkuar nga ligji zgjedhor për administrimin e zgjedhjeve, si edhe jane tejkalim flagrant i kompetencave të kryetarit të këtij organi.
 
Fatkeqësisht në deklaratën e datës 29 Prill 2017, jashtë mbledhjes së KQZ dhe në tejkalim të çdo kompetence ligjore, në emër të KQZ, është bërë një interpretim subjektiv i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, duke vendosur që “afati i regjistrimit të listave shumemërore të kandidatëve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 18 qershor 2017 [...] korrespondon me datën 29 prill 2017”, pavarsisht se në çdo perllogaritje kjo datë duhej të ishte 28 prill 2017, në mesnatë. Rrjedhimisht, çdo rregjistrim për lista të paraqitura nga subjektet tej këtij afati është nul, i paligjshëm dhe i pavlefshëm.
 
Në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, përmes një deklaratë të dytë (dt 30.4.2017), kryetari i KQZ shpik norma të reja ligjore duke vendosur një afat tjetër ligjor për regjistrimin e subjekteve zgjedhore/listave të kandidatëve, datën 3 maj 2017, kur dihet që ky afat ka mbaruar prej më shumë se 20 ditësh.
 
KQZ nuk mund të krijojë apo ndryshojë afatet ligjore zgjedhore që i ka caktuar Kodi Zgjedhor përmes deklaratave por duhet vetëm t’i zbatojë ato.
 
Shprehim shqetësim të thellë që këto qëndrime të përsëritura po kompromentojnë misionin e KQZ duke i dhënë KQZ, një pozicion partizan, të anshëm, në shërbim të mazhorancës politike aktuale. Nëse vazhdohet me këto qëndrime KQZ rrezikon të dëmtojë rëndë procesin zgjedhor.
 
Hysen Osmanaj, Klement Zguri, Vera Shtjefni “.


Kundërshtitë mes KQZ dhe PD
Paraditen e 29 prillit ishte Oerd Bylykbashi që përmes një deklarate njoftoi se afati i regjistrimit të listave të deputetëve në KQZ ka përfunduar që në mesnatën e 28 prillit duke hapur diskutime mbi paligjshmërinë e listave.
 
Debati vijoi ndërsa për Report Tv dy ish-krerë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhanë sërish ishin në kontradiktë me njëri-tjetrin.
 
Sipas Kristaq Kumes 29 prilli ishte afati i fundit që subjektet e regjistruara në zgjedhje të paraqisnin listat e deputetëve.
 
Ndërsa Çlirim Gjata i dha të drejtë Bylykbashit duke u shprehur se afati i regjistrimit të listave të kandidatëve nga partitë ka përfunduar mesnatën e 28 prillit.
 
Pikëpyetjet u shuan pas reagimit zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku zëdhënësja Drilona Hoxhaj tha se partitë kanë kohë deri në mbrëmjen e 29 prillit për të kryer regjistrimin duke rrëzuar kështu përpjekjen e Partisë Demokratike për ta nxjerrë si të pavlefshëm këtë proces.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

BE paralajmëron Sllovakinë kundër ligjit për ‘agjentët e huaj’

BE paralajmëron Sllovakinë kundër ligjit për ‘agjentët e huaj’