3 bajraktarët e Iballës/Komunistët në
ndjekje:Kanë rrjet informativ të fortë

3 bajraktarët e Iballës/Komunistët në<br />ndjekje:Kanë rrjet informativ të fortë
Në kulmin e aksionit për asgjësimin e kundërshtarëve politik në veri të vendit, komunistët ishin gjendur para një vështirësie të madhe në korrikun e 1946, ndërsa në zonën e Pukës ishin përballur me bajraktarët e Iballës dhe mbështetësit e tyre.
Komunistët kishin konstatuar se ata kishin lidhje të forta sidomos informative brenda dhe jashtë Shqipërisë, kishin ndikim të madh dhe mbështetje në popull.

Raporti që bënte Spiro Pano për Komitetin Qendror të PPSH-së, i bën një skaner përballjes së tyre me kundërshtarët politik në zonën e Pukës. Ai analizon se përveçse kundërshtarët e tyre kishin rrjet të fortë informativ ata kishin një taktikë të qartë për propagandën. “Taktika që ndjekin ata sot është kjo: Të ngjallin panik në popull në lidhje me gjendjen ndërkombëtare (plasje lufte, grindje në mes të K. të Bashkuara, kërcënimi grek etj), në lidhje me masat ekonomike të pushtetit (nuk mjafton bereqeti, do të vdesim urije etj) dhe të shtojnë rradhët e tyre me ilegalë të rinj, me kriminela të çdo kategorije”, shkruan Spiro Pano.

Më poshtë e sjellim të plotë raportin e tij për operacionin e asgjësimit të kundërshtarëve të komunizmit në Pukë.
 
 KOMITETI QARKOR I P.K.SH.                      
VDEKJE FASHIZMIT
LIRI POPULLIT
PËR SHKODRËN                                   
Nr. 412
Shkodër më 7.7.1946                            
 
Komitetit Qendror të P.K.Sh.
T i r a n ë
 
Në lidhje me raportin mujor, ju japim një relacion mbi lëvizjen e reaksionit në Pukë:

Si mbas informatave dhe konstatimeve që bëmë në vënd (shkova unë me një shok të Seksionit), bazat kryesore të lëvizjeve reaksionare në Pukë janë të tre bajrakët e epërtë të Iballës. Këtu reaksioni ka krijuar një rrjet të mirë informativ, më të fortë se t’onin, ka korjerët e vetë dhe mjaf ndihmë nga elementi parì. Forca e ilegalëve të Pukës arrin në 20 veta, nën Komandën e Pashukut e të vllaut Ndoc Miraka. Kësaj force i shtohet dhe ajo e bajraktarit të Shoshit prej gati 25-30 vetash.
Këta kanë lidhje dhe veprojnë në marrëveshje me ilegalët e Malsis së Gjakovës, të Lumës, Mirditës e të Nikaj Merturit.

Nga sa duket operacioni në Lumë e Mirditë i ka detyruar të mblidhen këtu, po lidhja më e mgushtë e tyre mbahet me ata të Nikaj Merturit e të Malsis Gjakovës. Pëshpëritet se të gjitha këto forca komandohen nga Muharemi. Ilegalët kanë tentuar të paraqesin formimin e një shtabi nën kryesin e Muharemit. Ata kapën në Iballë një mësues kursi dhe lëshuan parullën se e dërguam në Shtab, pranë Muharemit për t’a gjykuar. Si duket këtë mësues e vranë.

Taktika qëndjekin ata sot është kjo: Të ngjallin panik në popull në lidhje me gjendjen ndërkombëtare (plasje lufte, grindje në mes të K. të Bashkuara, kërcënimi grek etj), në lidhje me masat ekonomike të pushtetit (nuk mjafton bereqeti, do të vdesim urije etj) dhe të shtojnë rradhët e tyre me ilegalë të rinj, me kriminela të çdo kategorije. Për këtë nxisin marrjen e gjaqeve dhe ilegalizimin e qtyre që vrasin; gjithashtu me anë vizitash e fjalimesh, vënë në pozitë të vështirë fshatarët, të cilët nga frika e masave të pushtetit, mund të ilegalizohen.

Fushata e tyre është përqendruar kundra reformave t’ona: kërcënojnë me vdekje ata që shkojnë në kurse, kërcënojnë mësuesin, ata që bëjnë punë vullnetare etj. Hedhin parulla fallse se gjoja Inglezët zbarkuan në Durrës, Grekët u-futën në Jug, Enveri i la komunistat dhe iku në Moskë, “ne do t’a marrim pushtetin me pak forca sepse luftën po e bajnë vetë Inglezët” etj. Kërcënojnë shokët e terenit dhe besnikët t’anënëpër fshatra duke thënë: “ne nuk kemi gjë me këtë qeveri e me partizanët, neve e kemi me spiunët dhe me at që vijnë e na ngatrojnë këtu”. Me këtë ata mundohen të thyejnë rrjetin t’onë informativ dhe të dizorientojnë veprimet e organizatës.

Me popullin nuk sillen mirë. Ata përdorin metodat e bajraktarëve, kërcënojnë, shajnë, grabisin tesha (akoma dhe çorape vajzash; një vajze i hoqën këmishën nga trupi), rrahin. Po me gjithë këto, populli i atyre katundeve u ka frikën shumë dhe ruhet së dhëni informata.

Ata kohët e fundit kanë filluar të djegin shtëpi të njerzëve të lëvizjes, të dalin açik e të mbajnë fjalime në katund duke i folur popullit mbi gjëndjen e jashtme dhe mbi atë të brendëshmen (ato që thamë më lartë).
Karshi këtyre veprimeve organizata është munduarë të demaskojë çdo fjalë e orientim të tyre dhe çdo parullë që ata kanë lëshuar. Demaskuam fallsitetin e këtyre shpifjeve, shpirtin kriminal të Pashukut me shokë, veprat e tyre të poshtra; treguam forcën e

Pushtetit t’onë, reformat t’onanë të mirën e popullit etj. Shokët po mundohen të forcojnë rrjetin informativ dhe të shtrojnë pjesmarrjen e popullit nëpër kurse e punë të ndryshme. Ata kanë zbuluar disa baza dhe disa korjerë të armikut.
Me vajtjen t’onë atje, shokët u-vunë para përgjegjësis dhe punës që kanë për të bërë, për të thyer çdo përpjekje të armiqëve. Iu-theksua aktivizimi i elementit të lidhur me ne, i fshatarëve të varfër (të mesëm s’ka atje), i armiqëve personal të Pashukut (sidomos në çështjen e informacionit), zgjerimi i rrjetit informativ, guximi politik i shokëve, vazhdimi i demaskimit të veprimeve të ilegalëve, mobilizim vullnetar të popullit në luftë kundra tyre (kur të paraqitet rasti dhe kurdoherë me njerëz besnik e të njohur pro lëvizjes); u-theksua se si armiku mundohet të futet në pushtet, ruajtja e pushtetit dhe pastrimi i tij, u-theksua pastrimi i rradhëve të rinis dhe i kurseve nga ndonjë element kontrabant, u-theksua ruajtja e Partisë nga këta armiq etj.
U-vendos që shokët e terenit të lëvizin më shpesh, të jetojnë me popullin, të mundohen t’a skjarojnë këtë mbi çdo gjë. Këto ditë dalin dhe shokë komiteti në krahinë, bashkë me antarë të tjerë ose të rinj komunista.

Bashkpunimi me mbrojtjen përpara ka patur disa ngatresa. Shokët nga ndonjë herë kërkonin të ndërhynin në punët e mbrojtjes, mbrojtja në punët e Pushtetit etj. Këjo e metë ka shkaktuar dizarmoni dhe dëm për ne. Këto gjëra iu-vunë në dukje shokëve të cilët e panë vetë përfundimin e keq: në një kohë që reaksioni formon rrjetin informativ dhe aktivitetin e tij, ne paraqiteshim me një rrjet informativ të dobët dhe me dizarmoni.

Tashti këto ngatresa duket se janë zgjidhur. Ne do të kemi kujdes të mos përsëriten më.

Ka pasë dhe disa të meta të tjera: hutesë në fillim, pastaj mungesë guzimi (kjo u-vrejt tek nëntogeri i mbrojtjes Nello Nelaj, i cili me gjithëse ishte 200 metra largë aksionit të ilegalëve (që dogjën shtëpin) me 14-15 partizanë, nuk sulmoi po mbeti i mbyllur në një shtëpi. Këtë e bëri dy herë rrjesht. Këto gjëra iu-vunë në dukje shokëve të Komandës së Qarkut të Mbrojtjes.

Neve e shtruam guximin dhe aktivizimin e organizatës e të popullit, por që të mund të kemi një sukses, është mirë të zgjerohet operacioni në këtë rajon, pa dobësuar Mirditën ose Dukagjinin. Në këtë mënyrë ilegalët (që me lëvizjet e tyre kërkojnë të largojnë forcanga Mirdita e të rifitojnë pozitat e humbura atje) do të shtrëngohen keqas dhe do të luftohen nga të gjitha anët. Por që të bëhet një operacion i mirë pas mendimit të shokëve të Mbrojtjes duhen afro 300 partizanë. Ne mendojmë se me një shtesë prej 100 e ca partizanësh, mund të zhvillohet operacioni, pse do të jetë dhe ndihma e shokëve të terenit (që do t’i mbajnë forcat në lidhje me informata e në rast nevoje me ndihmë) dhe e katundarëve të lidhur me ne. Por para se të fillojë një operacion i tillë duhen arestuar njerzit e dyshimtë si korjera e baza të ilegalëve (që njihen nga shokët) pse do të ilegalizohen dhe ata. Duhet djegur ndonjë shtëpi (pas rastit). Mendimi i ynë është që të ndiqet edhe këtu e njëjta taktikë qëndiqet në Mirditë, me njisite të vogla; prita e lëvizje konspirative.

Vetëm njisitet të udhëhiqen nga komandanta trima e të zgjuar e jo nga tipa si Nelua.

Forcat që ka mbrojtja këtu lëvizin, por shokët e Qarkut i paraqesin këto si të pakta e kështu s’do të kenë përfundim. Zoi ka shkuar në Dukagjin. Me ardhjen e tij do t’a shtrojmë përsëri çështjen.

Me gjith’atë gjëndja nuk paraqitet alarmante. Vetëm Iballja është sot për sot bazë e fortë për ilegalët, kurse Dushi, Puka, Qerreti ç’faq shënja urrejtjeje për ta. Mund të kenë baza edhe në Sakat e Kryezi, ku i ndihmon mjaft kleri katolik por gjer tashti, kanë lëvizur duke treguar aktivitet, vetëm në tre bajrakët e epërta të Iballes (katundet Kokdodë, Poravë, Pirëz, Bjeshkë e Dardhës, Apripë etj) ku kanë baza edhe në disa katundarë të varfër.
Më vonë do t’ju lajmërojmë prap mbi lëvizjet e tyre dhe aktivitetin t’onë.
 
P. Komitetin Qarkor të Partisë
(Spiro Pano)
(firma, vula)

dosier iballa

dosier iballa
 
Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Ceremonia e ngritjes së flamurit në Shkodër

112-vjetori i Pavarësisë/ Ceremonia e ngritjes së flamurit në Shkodër